Përse nuk dëgjojmë për krimin korporativ të kompanive të mëdha në lajme? Ndoshta lidhet me mentalitetin tonë, i prirur për t’u përqëndruar te personalja dhe dramatikja, duke injoruar abstrakten dhe sistemiken. Krimet pa fytyra nuk na e tërheqin vëmendjen, dhe për gabimet e mëdha të fshehura në dritë të ditës, hiqemi si të paditur.
Në Shqipëri, koncepti i kompanisë, në mendjen e përgjithshme, mbart një mungesë peshe, domethënë, të substancës, sikur i mungon mishërimi në realitet. Kompanitë shihen më pak si entitete autonome e me personalitet të vetin dhe më shumë si zgjatime spektrale të pronarëve të tyre. Ato përfytyrohen të stërlidhura në mënyrë të pandashme me individët që i krijojnë dhe i kontrollojnë ato.
Ky perceptim, i palëkundur midis pështjellimit të përditshmërisë, në vetvete, ka pasoja parapambetëse dhe të dëmshme për zhvillimin e mirëqeverisjes së kompanive (governancës korporative), të biznesit në tërësi dhe të shoqërisë përgjithësisht.
Ndryshe nga vendet me një shtet ligjor të pjekur, ku kompanitë shihen si “persona juridikë” autonom, tek ne, ende nuk është pranuar plotësisht ky abstragim. Ndoshta, ky perceptim shpjegohet me përvojën historike të Shqipërisë me pushtetin dhe pronën. Ndoshta. Por, gjithashtu, spikat që “kompania” është një koncept i ri te ne. Nëse gjatë periudhës pas Pavarësisë, kompanitë kuptoheshin me termin e përgjithshëm ‘allafrënga’, nën regjimin komunist, ndërmarrjet shtetërore ishin krahu i gjatë i Partisë e nuk mund të ekzistonin më vete apo jashtë saj.
Pas kalimit në pluralizëm, kompanitë private trashëguan vetitë e pararendësve. U shfaqën pronarët, biznesmenë, gjysmë-oligarkë dhe elita të lidhura politikisht, por kompanitë e tyre nuk e fituan një identitet të vetin. Ideja e “kompanisë” si e pavarur mbeti e mjegullt, e paqartë. Në vend të kësaj, kompania mbet një maskë, një mjet për pasurim personal, për përfitime të tjera, e të tjera.
Dhe sot vazhdohet ende me çështjen e pazgjidhur të konceptit të ndarjes, si ndarja e pushtetit, ndarja e roleve dhe ndarja e kompanive nga pronarët e tyre.
Ende, shumë njerëz e shohin një kompani si një hije e hedhur nga pronari i saj, ndërsa vazhdojnë ta mendojnë pushtetin si personal dhe jo institucional. Fuqia lidhet me një emër, një familje, një fytyrë, dhe jo me një markë, një logo ose një bilanc.
Në një mjedis ku lidhjet familjare, patronazhi dhe rrjetet informale të pushtetit dominojnë sferën publike dhe private, koncepti i kompanisë, si një ent i pavarur me vullnetin dhe përgjegjësinë e vet, zbehet përpara projeksionit vibrant të pronarit të saj.
Edhe ligji penal vepron e sillet me kompanitë në mënyrë të ngjashme. Pse të ndjekësh një hije kur mund të ndjekësh personin që e hedh atë?
Kompanitë rreshtohen si të pandehur në çështjet penale, por rrallëherë vërehet ndjekja ngadhënjyese e krimit korporativ. Në vend të saj, akuzat ndaj kompanive (kryesisht atyre të vogla e të mesme, mbasi kompanitë e mëdha shqiptare rrallëherë e shkelin ligjin penal ose thuajse fare), ngrihen njëfarsoj si kërkesa shtesë për plotësimin e rastit kundër individit, si një dënim më tepër për të. Kompania bëhet një i pandehur simbolik, dhe kjo qasje, kontribuon në përforcimin e perceptimit se kompanitë janë “entitete letre”, të paaftë për përgjegjësi penale apo përmirësim.
Ky mendim për kompanitë është i përgjithshëm. Kur plasin skandale biznesi, ato rrallë shfaqen në media si skandale të vetë kompanisë. Më shpesh, narrativa mediatike (ashtu si diskursi privat e publik), fokusohet drejtpërdrejt tek individët pas kompanive.
Lehtësisht dallohet kontrasti i fortë me qasjen e konsoliduar dhe të institucionalizuar perëndimore, ku skandalet korporative kuptohen, para së gjithash, si dështime të vetë kompanive. Andej, kompanitë perceptohen se kanë një identitet dhe personalitet të mëvetshëm, të veçuar nga drejtuesit e tyre. Dëgjohet për hetime të bujshme kompanish, publiku kërkon ndryshime rrënjësore brenda organizatës dhe ngjarja ndikon rëndë në reputacionin, kulturën dhe qeverisjen e tyre të mëvonshme.
Andej, vendimmarrja shpërndahet në nivele të ndryshme të menaxhimit dhe strukturat e qeverisjes janë të mirëpërcaktuara. Ndërsa, kompanive shqiptare, jo të huaja, shpesh u mungojnë nivelet e brendshme të kontrollit dhe llogaridhënies, ndonëse mund të ketë për to mjaft politika e procedura. Qofshin grupe te mëdha vendase, apo ndërmarrje të mesme, në tërësi, ato karakterizohen nga pronësia familjare ose mbajtja e kontrollit individual ose brenda një rrethi shumë të ngushtë, me pronarin që luan një rol qendror në çdo aspekt të organizatës, duke mjegulluar linjat ndarëse midis identitetit personal dhe atij të kompanisë edhe duke deformuar pa kthim sistemet e brendshme të kontrollit dhe llogaridhënies.
Kjo ekzistencë e kompanive si instrumente pa personalitet, të kontrolluara dhe mbizotëruara nga personaliteti aq impozant i pronarit, të paktën nga këndvështrimi i të gjitha praktikave të mira në këtë fushë, përbën problem majft serioz për zhvillimin e qeverisjes në arenën e biznesit shqiptar.
Qeverisja ndërtohet mbi premisën se një kompani është një entitet autonom, me përgjegjësi, me detyrime dhe sisteme të brendshme të llogaridhënies dhe ky koncept është në qendër të sistemeve të pajtueshmërisë, të auditimeve të brendshme dhe të bordeve të drejtorëve.
Por në Shqipëri ka pak nxitje për të krijuar llojet e mekanizmave të qeverisjes që sigurojnë njëmendësisht llogaridhënie, integritet dhe kulturë në kompani. Meqë kompanitë janë si të pandashme nga pronarët e tyre, këto struktura shihen si të panevojshme ose sipërfaqësore. Pse të investohet në qeverisje kur fati i kompanisë mund të shkëlqejë ose të bjerë tërësisht me pronarin e saj?
Këto janë kondita që e ulin potencialin e kompanisë për rritje, inovacion dhe konkurrencë jashtëkufitare. Shkakpasojshëm, ato kontribuojnë edhe në dobësimin e besimit të publikut edhe në prapambetjen e zhvillimit.
Skizma mes standardeve dhe realitetit është e madhe. Përafrimi duket kaq larg. Çështja qëndron te ndryshimi i mendësisë dhe kompanitë mund të fajësohen, ndëshkohen dhe gjykohen moralisht për veprime joetike.
