POLITIKANI POPSTAR

Është një frazë e dëgjuar shpesh ndër muzikantët më të famshëm të Shqipërisë. Kur pyeten pse prodhojnë këngë kaq të cekëta, të përsëritura dhe të harrueshme, ata përgjigjen me thjeshtësi çarmatosëse: “Atë do pop’lli“. Me fjalë të tjera: “Ne u japim njerëzve atë që duan”. Në pamje të parë kjo përgjigje duket e arsyeshme, madje edhe demokratike. Në fund të fundit, kush mund të kundërshtojë t’u japësh njerëzve atë që ata duan? A nuk është ky thelbi i lirisë, i zgjedhjes?

Por në këtë slogan fshihet një logjikë më e mbrapshtë, më e helmët. Supozohet se njerëzit, ky trup i madh amorf, duhet të miklohen dhe jo të sfidohen. Supozohet se turma është e mençur në instinktet e saj, kurrë e gabuar, se ajo e di se çfarë dëshiron dhe se ajo që dëshiron është gjithmonë e mirë për të. Pretendohet, mbi të gjitha, se arti duhet të ndjekë kërkesën në vend që ta formësojë atë.

Kjo mund të quhet tragjedi për muzikën, por është një katastrofë për politikën. Sepse, nëse muzikantët, me meloditë dhe tekstet e tyre, ulen në nivelin e turmës, është për të ardhur keq, por jo fatale. Por kur politikanët, me ligjet dhe politikëbërjen e tyre, bëjnë të njëjtën gjë, pasojat janë shumëfish më të rënda.

Në muzikë, “duke u dhënë njerëzve atë që duan” prodhohen këngë që janë të zhurmshme, të thjeshta dhe jetëshkurtra. Në politikë, ajo prodhon liderë të zëshëm, të thjeshtë dhe dritëshkurtër. Dhe ashtu si muzikanti ndjek transmetimet për të parë se çfarë është në trend, politikani modern monitoron mediat sociale, duke kërkuar të zbërthejë gjendjet e turmës. Rezultati nuk është qeverisja apo politikëbërja, por performanca. Nuk ka lidership, por spektakël.

Mjetet janë të njëjta. Ritmi i këngës pop zëvendësohet me ritmin e postimit viral të fjalimit të zjarrtë. Muzikanti publikon një videoklip; politikani lëshon një deklaratë “historike”, e plotësuar me duartrokitje koreografike të fotografuara nga këndi më i favorshëm. Turma brohorit në të dy rastet, si për këngën, si për fjalimin, por momenti është i shkurtër. Nesër duhet një goditje tjetër. Një tjetër shpërqendrim. Një tjetër performancë.

Por çfarë ndodh kur “dhënia njerëzve atë që duan” bëhet parimi udhëheqës i qeverisjes dhe politikëbërjes? A i jep mjeku pacientit atë që dëshiron apo atë që i nevojitet? A i jep mësuesi nxënësit mësimin që është i lehtë dhe dëfryes apo atë që është i nevojshëm? Nëse ata japin vetëm atë që është e kollajtë, që është popullore, që nuk sfidon, atëherë mjeku humb pacientin e tij, mësuesi humb nxënësin dhe politikani humb vendin e tij.

Qeverisja, si arti, dikur shihej si një akt guximi. Kërkonte konfrontim, jo ​​nënshtrim. Artisti, po të ishte trim, do të përballej me shijet e turmës, duke ofruar diçka më të lartë, më të vështirë, më të qëndrueshme. Udhëheqësi, nëse do të ishte i drejtë, do të përballej me instinktet e masave, duke ofruar jo atë që është e lehtë, por atë që është e nevojshme.

Por sot, guximi është zëvendësuar nga llogaritja. Politikani, ashtu si ylli i popit, tani i frikësohet “tregut”, në këtë rast, gjendjeve të ndryshueshme dhe të paqëndrueshme të opinionit publik. Ai nuk ka frikë nga kolapsi i vendit të tij, por nga rënia e “numrave”, audienca në mediat sociale dhe perceptimi në mediat e tjera. Ashtu si muzikanti i fiksuar pas shpeshtësisë së transmetimit, politikani modern është i fiksuar pas “pëlqimeve”, “postimeve” dhe “temave në trend”. Ai është më pak i shqetësuar për të ardhmen e vendit të tij sesa për “performancën” dixhitale e mediatike në të tashmen.

Ku është, pra, burri i shtetit që guxon të thotë një të vërtetë të pakëndshme? Ku është lideri që thotë: “Kjo është ajo që ju nevojitet, edhe nëse nuk e dëshironi”? Ai është zhdukur në drejtim të  paditur. Në vend të tij qëndron populisti, me sytë e ngulur në ekran, me veshët e akorduar sipas algoritmit. Ai rrotullon, klikon, e rregullon mesazhin e tij për t’iu përshtatur tendencave të momentit. Një ditë flitet për “reformë”; të nesërmen, “tradita”. Një ditë është “me të rinjtë”, të nesërmen “me pensionistët”. Asnjë pozicion nuk është fiks, asnjë parim nuk është i vendosur. Ka vetëm nevojë të pafundme për të ndjekur atë që njerëzit duan.

Por a e dinë njerëzit se çfarë duan? Apo, si masat që përpijnë muzikë të cekët, konsumojnë thjesht atë që u kojnë? Sepse ky është mashtrimi i madh: populli nuk është një trup i bashkuar, i mençur që i njeh nevojat e veta. Ai është lehtësisht të manipulueshëm, lehtësisht i përflakur dhe lehtësisht i shpërqendruar.

Në këtë kuptim, politikani modern dhe muzikanti modern nuk po i përgjigjen thjesht kërkesës publike, por po e krijojnë atë. Muzikanti stërvit publikun që të preferojë thjeshtësinë mbi kompleksitetin, ritmin mbi kuptimin, koleriken mbi reflektimin. Të njëjtën gjë bën edhe politikani. Ai i stërvit njerëzit që të kërkojnë rezultate të menjëhershme, zgjidhje të thjeshta dhe fajësim plot imagjinatë të zuzarëve. Ai u jep atyre parulla, simbole dhe spektakël, bukë dhe cirk për epokën digjitale.

Dhe si kënga e cekët, politika e cekët krijon varësi, por nuk lë pas asnjë melodi, asnjë frazë për të kujtuar. Konsumohet në çast dhe harrohet po aq shpejt. Populli, ose siç thonë muzikantët “pop’lli”, pasi është argëtuar me dozën e momentit, mbetet i shqetësuar, i zemëruar dhe i uritur.

Historia i njeh udhëheqësit e mëdhenj të së kaluarës që nuk e ndoqën turmën, që e drejtuan atë, e sfiduan dhe kuptuan se lidershipi nuk është marrja e duartrokitjeve, por vetmi. Vetmia e atij që sheh më larg se turma, edhe nëse ecën vetëm.

“T’u japësh njerëzve atë që duan” nuk është demokraci. Është nënshtrim. Artisti i vërtetë e di këtë. Ai/ajo shkruan këngë që nuk janë “hite” sot, por klasike nesër, pikturon vepra të keqkuptuara tani, por të nderuara më vonë. Lideri i vërtetë duhet të bëjë të njëjtën gjë. Ai duhet të krijojë politika, në vend të sloganeve. Duhet të marrë dhe zbatojë vendime, jo vetëm të bëjë deklarata. Ai duhet të jetë i gatshëm të humbasë popullaritetin për hir të pasardhësve.

Ku është sot një lider i tillë? Ai nuk gjendet askund. Rezultati: të argëtuar dhe të pandriçuar. Na është dhënë, jo ajo që kemi nevojë, por ajo që duam.

Çfarë do të ndodhë më pas? Turma do të mbufatet më shumë, duke kërkuar më shumë “hite”, më shumë këngë të cekëta, më shumë udhëheqës të cekët. Dhe do të përgjigjen edhe muzikantët edhe politikanët. Ata do të prodhojnë përmbajtje, jo art. Ata do të prodhojnë njoftime politikash, do printojnë strategji dhe do i postojnë ato në portale, por nuk do zbatojnë asgje nga ato që shkruhen. Do të bërtasin, sepse heshtja është shumë e rrezikshme. Ata do të jenë kudo, por nuk do të na çojnë askund.

Postime të fundit