Në çdo teori mbi menaxhimin e rrezikut, kontrollin e brendshëm dhe pajtushmërinë (compliance), një nga kërcënimet më serioze për një kompani është humbja e besimit. Jo vetëm e besimit të klientëve, por edhe të partnerëve të biznesit, punonjësve, mbikëqyrësve dhe publikut.
Në ekonomitë e zhvilluara, një skandal etik, një aferë korrupsioni apo thjesht një mënyrë e pamoralshme menaxhimi sjell pasoja të rënda: investitorët tërhiqen, furnitorët shmangin bashkëpunimin dhe punonjësit më të mirë largohen, duke shkaktuar humbje të konsiderueshme për kompaninë.
Në këto tregje, humbja e besimit, rreziku reputacional, ka një vlerë të matshme, të kuantifikueshme. Kompanitë e tyre e kanë kuptuar se ndoshta, më i madh se ndëshkimi nga autoritetet apo vendimet gjyqësore, është rreziku i humbjes së konsumatorit. Nëse një markë, një grup, përfshihen në skandale korrupsioni, mashtrimi financiar, apo abuzime ato rrezikojnë të humbasin klientët, sepse konsumatori modern është bërë një gjykatës i ashpër dhe një ndëshkues i pamëshirshëm. Ai nuk blen më vetëm një produkt, ai blen një histori, një vlerë, një filozofi.
Ndërsa te ne, matja e humbjes së besimit nuk shihet e nevojshme. Vlerësimi i rrezikut nuk ndodh, sepse humbja e besimit nuk ngjet. Ndoshta sepse sjellja e konsumatorit, marrëdhëniet e biznesit dhe marrëdhëniet e punës nuk bazohen mbi vlerat, por mbi nevojën dhe kompromisin. Ndoshta këtu te ne, i gjithë tregu dhe forcat brenda tij funksionojnë ndryshe.
Një kompani që shkel etikën, vazhdon njësoj edhe pas aktit. Konsumatori shqiptar nuk e ndëshkon atë që mashtron, që shpërfill, që thyen normat. Madje skandalet, përvec dënimeve nga shteti, rrallëherë sjellin pasoja të tjera për bizneset e përfshira. Skandalet harrohen shpejt, konsumatorët nuk ndryshojnë sjelljen dhe bizneset vazhdojnë sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
E njëjta sjellje manifestohet në rastin e partnerëve të biznesit. As ata nuk e kanë atë ndjeshmëri ndaj veprimeve të gabuara të një kompanie bashkëpunëtore. Natyrisht, në një treg të ndërtuar mbi marrëdhënie informale, ku biznesi varet më shumë nga njohjet sesa nga rregullat, morali i një kompanie nuk është faktor i rëndësishëm që përcakton partneritetet. Furnitorët e blerësit rrallë e shohin, psh., një aferë korruptive ose evazionin fiskal, si një shenjë për të ndërprerë marrëdhëniet. Ata nuk shohin ndonjë rrezik nga furnizimi i tyre apo bashkëpunimi me ta. Një kompani e kapur në skandale nuk braktiset. Madje, mund të bëhet edhe më e fuqishme, sepse ky është sistemi: kush shkel rregullat nuk izolohet, por shpesh shndërrohet në një partner të pashmangshëm për të tjerët që duan të mbijetojnë në të njëjtën lojë.
Kemi punonjësit. Edhe ata vazhdojnë të punojnë në një ambient që ndoshta, në një vend tjetër, do ishte braktisur. Në vende të zhvilluara dëgjojmë se lënë punën për të ruajtur dinjitetin profesional dhe kodin moral. Te ne s’e bëjnë, edhe kur shikohen padrejtësi dhe abuzime. Nuk është se ata nuk i kuptojnë këto probleme, por mundësitë janë të pakta, gjërat janë të paqëndrueshme, dhe besimi se një punëdhënës tjetër do të jetë më i drejtë mungon.
Në këtë mënyrë, jo vetëm që nuk krijohet një presion social për përmirësim, por edhe bizneset më abuzive vazhdojnë të funksionojnë normalisht, sepse e dinë që askush nuk do t’i bojkotojë dhe nuk do t’u vihet kundër.
Kjo mungesë ndjeshmërie ndaj veprimit joligjor dhe të pamoralshëm nuk është vetëm një brengë për ata që e ndjejnë mungesën, por është problem i madh për të gjithë. Duket se për një kohë, korrupsioni dhe abuzimi do të vazhdojnë të jenë të pranueshme. Bizneset që do të duhet të rrëzoheshin nga skandalet do të vazhdojnë paq, ndërsa ata që janë të rregullt do ta kenë më të vështirë të mbijetojnë në një sistem që nuk i shpërblen për integritetin e tyre.
Nëse konsumatori nuk e ndëshkon sjelljen e papërgjegjshme të kompanive, atëherë ato nuk kanë arsye të ndryshojnë. Perse t’i përmirësojnë standardet kur e dinë që as klientët, as partnerët dhe as punonjësit nuk i ‘ndëshkojnë’ për sjellje të gabuara.
Zgjidhja e problemit duket si një udhë pa krye, ose më saktë, spikama e problemit është shumë e egër dhe alpine për t’u sheshuar.
Një nga fytyrat e problemit është mungesa e alternativave ose perceptimi i mungesës së alternative etike.
Një tjetër fytyrë, qesharake kjo, është magjepsja ndaj parasë. Shkeljet dhe skandalet e bizneseve apo të personave me shumë para janë më të falshme dhe më të harrueshme prej atyre që duhet t’i dënojnë.
Një tjetër, ndarja e moralit nga praktika. Edhe nëse e dimë se një kompani është e korruptuar ose e pandershme, vazhdojmë ta mbështesim atë, qoftë nga zakoni, qoftë nga mungesa e ndjeshmërisë ndaj këtyre çështjeve.
Pastaj është media. Media që krijon harresë e jo ndërgjegjësim. Në perëndim, një skandal etik i një kompanie të rëndësishme trajtohet me javë e muaj të tërë. Te ne, një skandal mund të zgjasë një grimë. Duke mos pasur funksion ndërgjegjësues, por sensacionalist, media vetëm e ekspozon skandalin për disa çaste dhe pastaj e braktis në harresë.
Ndërsa rregullatorët as nuk krijojnë incentiva për sjellje etike as nuk rrinë pa prishur vazhdimisht punë në këtë dretjim.
Dhe sigurisht, faktori kohë. Ndërgjegjësimi i konsumatorëve, biznesi etik, liria e fituar e punonjësve nuk ndodhin brenda natës.
Me gjithe këto fytyra, e të tjera që s’u thanë, problemi fshihet në mugëtira ku zor se gjendet pikënisja e zgjidhjes së tij.
Pa një kulture të ndërtuar me kohë, edukim të qëndrueshëm dhe sisteme që inkurajonë përgjegjësinë, drita e vetme në fund të tunelit duket ajo e ndërgjegjësimit global, pra e zgjidhjes së problemit me ndihmë nga jashtë. Në një botë të lidhur ngushtë me rrjetet sociale dhe informacionin e shpejtë, njerëzit nuk jetojnë në një vakum kulturor. Ata shohin se si reagojnë konsumatorët në perëndim, se si kompanitë ndryshojnë sjelljen për t’iu përshtatur kërkesave të një publiku më të ndërgjegjësuar. Dhe dalëngadalë, ky ndërgjegjësim mund të fillojë të reflektohet edhe këtu falë brezave të rinj.
