Prej vitesh tashmë, gjuhët konkurrojnë mes tyre për hapësirë dhe prezencë në dimensionin digjital. Pa shumë hapsirë dhe prezencë, gjuha shqipe përballet me një problem të ri. Ndryshe nga gjuhët e kombeve më të mëdha, përfaqësimi në internet i së cilave është në lartësinë e duhur, shqipja standarde e gjen veten të pasqyruar në mënyrë të papërsosur nga fuqitë e reja të inteligjencës artificiale gjeneruese. Këto makina, të ndërtuara për të imituar komunikimin njerëzor, gjenerojnë një shqipe që shpesh është me të meta, moskonsistente, e varfër dhe e mbushur me ndikime të huaja, jo sepse vetë gjuhës i mungon pasuria apo sofistikimi, por sepse ekosistemi digjital që ushqen këto sisteme është i paplotë dhe i pabarabartë.
Inteligjenca artificiale gjeneruese e ka suksesin në atë që i jepet, që duhet të jetë në volume të jashtëzakonshme. Për shqipen, mungesa e volumit dhe rrallësia e shkrimeve me cilësi të lartë në ueb do të thotë që këto sisteme mësojnë në mënyrë disproporcionale nga burime të cunguara dhe jokonsistente. Si rezultat, shqipja e krijuar nga këto makineri nuk pasqyron përsosjen e gjuhës, siç bën, për shembull, në anglisht, por një version të saj të holluar dhe me të meta. Dhe ndërsa brezat e rinj ndërveprojnë gjithnjë e më shumë me IA, ata rrezikojnë të mësojnë dhe të përjetësojnë këtë version të varfëruar të gjuhës.
Për sistemet e IA, inputi prej mediave sociale, forumeve dhe përmbajtjeve joformale online, nuk është cilësor, sepse përgjithësisht përmbajtja në këto platforma nuk karakterizohet nga përdorimi i shqipes me gjithë kompleksitetin e saj, madje është tepër e thjeshtuar nga pikëpamja sintaksës, plot me gabime gramatikore, me leksik të varfër dhe shumë anglicizma. Kurse, në letërsi, gazetari dhe shkrime akademike, gjuha shpesh shkëlqen me elokuencën dhe saktësinë që ka mbartur, të paktën, që prej standardizimit. Ky lloj shkrimi nevojitet në ueb, dhe sa më shumë.
Për këtë problem, kuptohet, nevojitet një përpjekje kolektive në trojet shqipfolëse dhe diasporë. Institucionet, universitetet dhe organizatat kulturore duhet të punojnë për të zgjeruar grupin e të dhënave të cilësisë së lartë në shqip. Kjo nënkupton digjitalizimin e veprave letrarë, veprave akademike, kumtesave, studimeve, arkivave të caktuara gazetareske nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, dhe më tej, për të siguruar që sistemet e IA të mund të mësojnë nga më të mirët e gjuhës.
Do të ishte gjithashtu e volitshme, për shembull, në rastin e zhvillimit të modeleve gjeneruese lokale, krijimi i filtrave për të siguruar që këto sisteme t’i japin përparësi teksteve cilësore.
Tjetër përpjekje që ndihmon është promovimi i përdorimit të shqipes letrare në mediat sociale dhe platformat digjitale, duke inkurajuar përdoruesit të ruajnë integritetin e gjuhës edhe në hapësirat joformale.
Është interesante se edhe prodhimi i lëmuar gjuhësor i epokës komuniste të Shqipërisë, duke përfshirë veprat e diktatorit, mund të shërbente si një burim për përmirësimin e përfaqësimit të shqipes në IA gjeneruese. Ndërsa këto tekste ishin të ngarkuara ideologjikisht dhe propagandistike, ato u përpunuan në mënyrë të përpiktë në aspektin e gramatikës, sintaksës dhe fjalorit. Duke pasur parasysh se shumica e sistemeve kryesore të IA përdorin filtra rigorozë për të përjashtuar përmbajtjen e dëmshme ose propagandistike, këto vepra mund të kontribuojnë ende në cilësinë gjuhësore të të dhënave në shqip, pa promovuar ideologjinë që dikur i shërbenin, pra duke luajtur një rol pragmatik në forcimin e saktësisë së shqipes të krijuar nga IA.
Por kjo nuk është vetëm një çështje teknologjike, por edhe një çështje kulturore. Gjuha është më shumë se një mjet komunikimi; është lëndë përcjellëse e identitetit, kujtesës dhe krenarisë së përbashkët. Nëse lejojmë që IA-të gjeneruese të përjetësojnë një version të metë të shqipes, rrezikojmë t’u mësojmë brezave një formë të zvogëluar të saj.
Sigurisht, ndërsa IA-të gjeneruese vazhdojnë të evoluojnë, ato në mënyrë të pashmangshme do të bëhen më të afta në kuptimin dhe përsëritjen e rregullave gramatikore dhe drejtshkrimore të shqipes. Këto sisteme do të përsosin aftësinë e tyre për të kapur hollësitë dhe nuancat e gjuhës, duke shkuar përtej interpretimeve të thjeshtuara, për të prodhuar tekste që pasqyrojnë thellësinë dhe bukurinë e vërtetë të gjuhës. Megjithatë, ky evolucion varet nga lënda e parë që ne ofrojmë. Me pasurimin e peizazhit digjital me tekste shqip me cilësi të lartë, ne do të krijojmë burimin që nëpërmjet filtrave të inteligjencës artificiale të rrjedhë përsosmëria gjuhësore e shqipes.
Gjuha jonë, që ka mbijetuar aq shumë, meriton më të mirën. Të ushqehet, të mbrohet dhe të festohet, jo vetëm në poezi dhe letërsi, por në vetë mënyrën se si ne flasim, shkruajmë dhe ndërveprojmë me teknologjitë e reja. Përgjegjësia duhet parë ashtu siç është, e përbashkët. Duke u kujdesur për prezencën digjitale të shqipes, sigurojmë jo vetëm mbijetesën e saj, por edhe vendin që i takon në botën moderne, një gjuhë që mbart me krenari të kaluarën e saj dhe i flet me vetëbesim të ardhmes.
