PESHKU I VOGËL QË HA PESHKUN E MADH

Në oqeanin e madh të pushtetit, rregulli i parë është i thjeshtë: peshku i madh ha peshkun e vogël. Historia e njerëzimit e ka vërtetuar këtë mijëra herë. Për shekuj me radhë, të fuqishmit kanë shtypur të dobëtit, sundimtarët kanë shkelur ligjet, të pasurit kanë diktuar fatin e të varfërve. Ky është ligji i pashkruar i vendeve ku forca qëndron mbi të drejtën, ligji i oqeanit të egër, i qyteteve dhe shteteve të ndërtuara mbi forcën dhe frikën, aty ku peshqit e vegjël lindin për t’u ngrënë. Ata notojnë me kujdes, fshihen, përpiqen të mbijetojnë, por në fund të fundit, janë të destinuar të përfundojnë në barkun e atyre që dominojnë ujërat e ndotura.

Por ka dhe tjetër. Një përjashtim që ndeshet më rrallë. Një përjashtim ku peshku i madh nuk mund të hajë më kë të dojë, sepse mbi të nuk qëndron më thjesht një peshk më i madh, por një forcë e padukshme, më e madhe se çdo individ: sundimi i ligji.

Në vende të tilla ndodh çudia e madhe: peshku i madh mund të hahet nga një peshk i vogël.

Por çfarë ndodh kur ndërtimi i shoqërisë nuk bazohet te frika ndaj më të fortit, por te diçka tjetër? Çfarë ndodh kur përballë fuqisë së të mëdhenjve qëndron një mur i padukshëm, një mur që nuk mund të thyhet as me para, as me kërcënime, as me dhunë? Atëherë ndodh ajo që thamë më parë, e pamundura: krijohen kushtet që peshku i vogël të hajë peshkun e madh.

Por kjo ndodh vetëm në një rast: kur ligji nuk është më një vegël në duart e të fortëve, por një forcë e pavarur, e qëndrueshme, një mekanizëm i ftohtë dhe i drejtë. Në këtë rast, peshku i vogël nuk është më i pafuqishëm. Një gjykatës mund të ndëshkojë një ministër. Një gazetar mund të rrëzojë një president. Një qytetar i zakonshëm a një punonjës i thjeshtë mund të fitojë mbi një oligark a mbi një perandori. Jo sepse janë më të fuqishëm, por sepse ka diçka më të madhe se mbifuqia e të mëdhenjve: rregulli i pashmangshëm i ligjit.

Në oqeanin ligjor, pra, peshku i madh nuk ha më kë të dojë. Ai nuk mund të sundojë me urdhër, nuk mund të grabisë me paturpësi, nuk mund të shkatërrojë kundërshtarët vetëm sepse është më i madh. Ai nuk i trembet më një peshku tjetër më të madh, por një muri të hekurt, një sistemi përballë të cilit ai është një stërpikë. Kurse peshqit e vegjël në këto ujëra të kulluar, ndryshe nga peshqit e ujërave të turbullt, kanë kuptuar një gjë shumë të rëndësishme, se ata nuk janë të dënuar të jenë viktima dhe nuk kanë nevojë për dhunë, as për hakmarrje, as për revolucion, sepse ata kanë diçka më të fortë: një sistem që nuk e ep dot.

Ndërsa, në oqeanin e egërsisë, asnjë peshk i vogël nuk mbijeton. Ata kanë vetëm një fat të mundshëm: të jenë viktima. Ata mund të jenë të mençur, të guximshëm, të talentuar, por kjo nuk ka rëndësi. Sepse aty ku institucionet e vërteta nuk ekzistojnë, aty ku ligji është vetëm një barsaletë, peshqit e vegjël nuk kanë shans.

Në këto vende, një gjykatës mund të korruptohet ose të frikësohet. Një gazetar mund të blihet ose të heshtet. Një qytetar mund të denoncojë, por më kot. Kur një peshk i vogël guxon të sfidojë të mëdhenjtë, nuk ha askënd, ai ha veten. Proceset ndiqen për të mbuluar të vërtetat, ligjet shkruhen për të mbrojtur status quo-në, institucionet ekzistojnë për të bërë atë që duan ata që i kontrollojnë. Dhe kështu, prore peshqit e mëdhenj hanë, ndërsa të vegjlit vazhdojnë të fshihen deri sa të konsumohen në aktin final.

Prandaj peshqve u duhet një oqean i mirëfilltë ligjor, që peshqit e mëdhenj të mos ndihen më të sigurt, të mos sundojnë më si më parë dhe të mos jetojnë në bindjen se do të jenë gjithmonë të paprekshëm. Ata duhet ta dinë se, nëse shkelin një rregull, nëse shkelin një ligj, sistemi do t’i zhdukë, në oqean të tretur si të tjerë…

Kur kjo të ndodhë me oqeanin e egër, peshqit e vegjël nuk do të kenë më frikë.
Në atë moment, oqeani do të ndryshojë. Në atë moment, për herë të parë, peshqit e mëdhenj do të ndiejnë frikën dhe bezdinë që kanë ushtruar mbi të tjerët, ndërsa peshqit e vegjël do të lodrojnë në ujë të pastër dhe me efekt rigjenerues.

Postime të fundit