INDIFERENCA NDAJ PRIVATËSISË

Në debatin global mbi privatësinë dhe të dhënat personale, një e vërtetë e padiskutueshme dallohet sa vjen e më qartë: në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur teknologjikisht, të dhënat tona janë bërë një zgjatim i pandashëm i identitetit tonë. Megjithatë, kur e shikojmë fenomenin në Shqipëri, ndeshemi me një kontradiktë të çuditshme.

Shqipëria, një vend që ka përqafuar ligjërisht standardet e Bashkimit Europian mbi privatësinë përmes transpozimit të GDPR-it, është gjithashtu një vend ku qytetarët rrallëherë tregojnë ndonjë shqetësim të dukshëm për fatin e të dhënave të tyre. Ata pranojnë telefonata marketingu të padëshiruara, e shohin si normale të kontaktohen nga parti politike për punë zgjedhjesh ose t’u përgjohen zërat nga mikrofonët e kamerave në ambienetet e punës, dhe nuk shfaqin as zemërim e as frikë kur lexojnë lajme për përhapje të të dhënave që përfshijnë numrat e tyre personal, adresat private ose të ardhurat.

Pse ndodh kjo? A janë shqiptarët thjesht të paditur për të drejtat e tyre? Apo ka diçka më të thellë në lojë, një strategji e cekët (edhe nëse e pavetëdijshme) për të mos investuar energji në një betejë që shihet si e kotë?

Së pari, duhet të kuptojmë kontekstin kulturor dhe historik. Shoqëritë që kanë kaluar periudha të gjata kontrolli autoritar, si Shqipëria moniste, shpesh zhvillojnë një qëndrim pragmatik ndaj privatësisë: kur e kaluara ka qenë e karakterizuar nga një mungesë e plotë privatësie, ka pak gjasa që një brez i tërë të ketë zhvilluar instinktin për ta mbrojtur atë. E thënë ndryshe: kur gjithçka ka qenë dikur në duart e shtetit, sot çdo “shkelje” e privatësisë shikohet si e padëmshme në krahasim me kujtimet e ndërhyrjeve brutale të Sigurimit apo të komshiut të zellshëm marksist-leninist.

Megjithatë, ky është më shumë një fenomen lokal (dhe ndoshta lindor), sesa rregull universal. Për shembull, shumë studiues të kulturës juridike dhe shoqërore gjermane, bien dakord se ndjeshmëria e lartë e gjermanëve ndaj mbrojtjes së të dhënave personale lidhet ngushtë me përvojat e tyre historike, veçanërisht me nazizmin dhe më pas me diktaturën e Republikës Demokratike Gjermane.

Edhe pse përgjimet e Sigurimit, si ato të Stasit apo SS-ve, duhet të kishin ndezur shqetësime të ngjashme te ne, nuk është ky rasti. Këtu nuk ka asgjë të habitshme, sepse ne jemi ndryshe, të tjetërfarshëm. Ne jemi diametralikisht të kundërt në këtë aspekt, duke u dorëzuar pa kushte.

Së dyti, qytetarët mund të jenë duke bërë (ndoshta pa e menduar gjatë) një lloj kalkulimi të akullt të kosto-përfitimit. Përballë sfidave të tjera më të dukshme, më të prekshme, si p.sh., papunësia, korrupsioni, sistemi shëndetësor, shqetësimi për të dhënat personale nuk renditet si prioritet. Dëmi nga një telefonatë marketingu ose nga një shpërhapje a vjedhje të dhënash nuk perceptohet si rrezik i menjëhershëm apo i madh.

Një faktor tjetër që nuk duhet nënvlerësuar është përhapja e asaj që psikologët e quajnë normalizimi i devijancës. Në një mjedis ku të gjithë bien dakord në heshtje që keqpërdorimi i të dhënave është diçka e zakonshme, mungesa e reagimit bëhet normë. Shkurt, nëse askush nuk ankohet, as ti nuk sheh ndonjë arsye të ankohesh.

Por çfarë nënkupton kjo për të ardhmen? Çështja është se, përparimi moral dhe shoqëror nuk vjen si rrufe në qiell të hapur. Ai është rezultat i vetëdijes kolektive, i ndërtuar mbi të dhëna historike, analiza periodike dhe arsyetim të ftohtë. Shqipëria ka mundësinë të përqafojë këtë fazë të re të ndërgjegjësimit, jo përmes thirrjeve emocionale, por nëpërmjet edukimit të bazuar në fakte. Qytetarët kanë nevojë të shohin, përmes shembujsh konkretë dhe të matshëm, se si keqpërdorimi i të dhënave mund të sjellë pasoja reale: nga diskriminimi i fshehtë e deri te manipulimi elektoral.

Indiferenca ndaj privatësisë nuk është një cilësi e pashmangshme e karakterit. Është produkt i një konteksti historik dhe social që mund të ndryshohet, me kusht që të ndërtohet një kulturë ku privatësia shihet jo si një luks i panevojshëm, por si një komponent thelbësor i një shoqërie moderne dhe të arsyeshme. Dhe si çdo përparim tjetër, nuk do të vijë vetvetiu, sepse duhet informim, ndërgjegjësim dhe, mbi të gjitha, një dëshirë qytetare për të mos qenë më spektatorë pasivë të fatit të të dhënave tona.

Postime të fundit