SHESIM AMNISTI DHE FALJE

Kemi dëgjuar herë pas here se qeveria shpall falje: për gjoba, taksa të papaguara, ndërtime pa leje, për shkelje që janë regjistruar e harruar, madje edhe për çështje penale. Dëgjojmë edhe premtime elektorale që fitorja do të shoqërohet me falje. Kumti zakonisht vjen me tone festive, thuajse po shpërndahen dhurata.

Por s’kemi të bëjmë me dhurata. Përkundrazi, nëse amnistitë, faljet, nuk janë të mbështetura në kritere të qarta dhe në parime etike, ato krijojnë probleme afatgjatë, jo vetëm ligjore dhe institucionale, por mbi të gjitha morale.

Nëse qeveria është vërtet pasqyra morale e shtetit, çfarë reflekton ajo kur zgjedh të falë të padrejtën, jo për hir të një pajtimi të sinqertë me objektiven dhe racionalen, por në konsideratë të interesit vetjak politik? Pasqyron një formë të kalkulimeve cinike dhe përçon një mesazh të gabuar dhe të dëmshëm për kuptimin e drejtësisë, sundimit të ligjit dhe barazisë në shoqëri.

Së pari, kjo lloj faljeje e relativizon autoritetin e ligjit. Në vend që të shihet si një instrument i pandashëm nga morali publik dhe rendi shoqëror, ligji shndërrohet në një mjet të manipulueshëm, i cili mund të anashkalohet apo pezullohet sipas kalendarit elektoral ose motiveve personale të të paktëve. Kjo krijon perceptimin se ligji nuk është universal dhe i paanshëm, por një sistem që funksionon në varësi të interesave politike të dikujt. Kështu, qytetarët mësohen të mendojnë se bindja ndaj ligjit nuk është një detyrim moral.

Nga ana tjetër, një qeveri që fal pa kritere normale, është një qeveri që, në thelb, nuk beson as në ligjet e veta. Pra, nuk mund të merret seriozisht. Kjo përmbysje, krijon një boshllëk etik, një terren ku e palejueshmja lejohet, përderisa një ditë mund të falet.

Së dyti, këto amnisti e falje zhvlerësojnë vlerën e përpjekjes së ndershme. Kur pushteti, për qëllime politike, i vë në një nivel të barabartë atë që respekton ligjin dhe atë që e shkel, i jep një sinjal të qartë shoqërisë: morali është relativ dhe përkushtimi ndaj rregullit vlerësohet rast pas rasti. Qytetari që ka respektuar rregullat dhe ka përmbushur detyrimet e tij, në mënyrë ironike, ndëshkohet moralisht: kur sheh se si ai që ka shkelur ligjet përfiton.

Kështu, shoqëria përcjell modelin se rruga më e leverdishme në përballjen me rregullat nuk është ndershmëria dhe korrektësia, por dicka tjetër. Kjo çon në një deformim të etikës së përbashkët dhe zbeh fuqinë e normave mbi të cilat ndërtohet një bashkësi funksionale. Përballë këtij realiteti, qytetari i ndershëm – ai që ka paguar gjobën, që ka rregulluar dokumentet, që ka ndërtuar me leje – është ndjerë keq me veten për korrektësinë e vet. Ky qytetar, nuk ka më arsye ta besojë shtetin. Nuk e sheh më si një autoritet të drejtë, që ndërhyn herë si mik i ngushtë i shkelësit të ligjit, herë si padron i faljes selektive.

Së treti, ky veprim prodhon një paradoks moral: akti i faljes, që në teori duhet të ndërtohet mbi drejtësinë rehabilituese (restorative justice) dhe mirëkuptimin shoqëror, bëhet një instrument për përfitim elektoral. Kjo e zhvesh amnistinë nga dimensioni i saj etik dhe e zhvendos atë në terrenin e interesit vetjak politik.

Një veprim që nuk buron nga bindja e mirë për shërbimin publik, por nga syri për votën apo ndonjë përfitim tjetër, nuk mund të quhet moral, pavarësisht formës që i jepet.

Në afatgjatë, kjo praktikë krijon një kulturë të papërgjegjshmërisë dhe i edukon qytetarët që të mos i marrin ligjet seriozisht. Zbehet edhe besimi ndaj institucioneve, por përçudnohet edhe edukimi moral i brezave të rinj, të cilët rriten me idenë se rregullat vlejnë vetëm për disa.

Si përfundim, faljet e amnistitë e motivuara politikisht janë veprime me pasoja morale dhe kulturore, sepse cënojnë koherencën midis ligjit dhe etikës publike. Dhe nëse një shoqëri nuk ndërton dhe ruan këtë koherencë, ajo rrezikon të humbasë edhe kuptimin e drejtësisë, edhe vetë themelet e qytetarisë së përgjegjshme.

Në një vend ku gjobat falen, ndërtimet e paligjshme legalizohen dhe mosdënimet shndërrohen në premtime elektorale, nuk kemi më të bëjmë me qeverisje, por me tregti, quid pro quo, midis atyre që kanë shkelur ligjin dhe atyre që kanë detyrimin ta zbatojnë, pazar i cili bëhet mbi kurrizin e ligjit dhe mbi lodhjen e të drejtëve.

Postime të fundit