LLOGARITARI I NDERUAR DHE FLIRTI ME PASURINË E NDALUAR

Ai ishte një burrë i njohur për ndershmërinë e tij, një kontabilist i përkryer, me sy të vegjël dhe të ngulët, të mësuar të shihnin numrat si simbolet e një gjuhe të shenjtë. Gjithçka në jetën e tij rridhte me një rregullsi të mprehtë, si tehu i patopitshëm i një shpate japoneze. Kishte ndërtuar emrin me vite pune, me qetësi, me gjeste të lehta dhe me fjali të shkurtra, ku fjalët “mirësjellje” dhe “përgjegjësi” kishin gjithmonë vendin e tyre të sigurt.

Por një ditë, në ndonjë mëngjes plot diell, dora e tij, e stërvitur të rrëshqiste mbi tastierë me kujdesin e një kirurgjie financiare, klikoi “like” mbi një postim të një njeriu të ndritur nga paratë por të errët nga morali. Ishte një biznesmen që, nëse përmendej në rrugë, gjithmonë vinte pas një nënqeshje e gjatë. Të gjithë e dinin, jo thjesht supozonin, se pasuria e tij qe ndërtuar mbi themele që ligji i shmangu, morali i anashkaloi, dhe drejtësia kurrë nuk i preku.

Kontabilisti e dinte më mirë se kushdo. Kishte parë shifra që nuk përputheshin, pasuri që shfaqej pa një burim, kontrata që flisnin një gjuhë të avulluar në dy faqe. Por megjithatë, ai shtypte “like”. Një shenjë e vogël, një buzëqeshje elektronike, një përkulje e vogël e qafës përpara pushtetit.

A ishte kjo një shprehje respekti? Apo një fillim flirtimi? A e admiroi kontabilisti mjeshtërinë me të cilën ky njeri e kishte mposhtur ligjin dhe e kishte kthyer në kalë hipodromi? Apo ishte thjesht një përkulje ndaj nevojës, një lakim i qafës që i vinte prej grykës për para, jo nga mendja?

Sepse në jetën e njeriut, vjen një çast kur idealet i nënshtrohen faturave. Kur bindjet filozofike thyhen nga thjeshtësia brutale e një kredie për shtëpinë, nga tarifat e shkollës për fëmijët, apo nga një tryezë me pesë të ftuar që presin verë të shtrenjtë. Dhe llogaritari, që dikur nuk do ta kishte përshëndetur këtë njeri as me përçmim, tani ia bënte “like” postimeve për suksesin. Një sukses që tregohej me makina luksoze, me vila në jug, me fotografitë në panaire ndërkombëtare ku moralit i vihej kollare.

Dhe këtu fillon e shfaqet rapsodia e re “tradhëtia e mendjes”. Jo tradhëti ndaj shtetit, ndaj ligjit apo ndaj tjetrit. Por një lloj i ri, më i rafinuar: tradhëtia ndaj vetvetes. Sepse në thellësi, llogaritari ende e dinte të vërtetën. Por filloi të mos e ndjente më si barrë. Filloi ta shikonte pasurinë si një urë dhe jo si një krim. Filloi ta pranojë suksesin e tjetrit, siç pranojmë një stuhi që nuk e ndalim dot.

Dhe kështu, me çdo “like” të ri, ai riformatonte veten. I jepte vetes një version të ri të së vërtetës. Mbase ky njeri nuk ishte aq i keq – i thoshte vetes. Mbase ligjet ishin të paqarta. Mbase të gjithë veprojnë kështu, vetëm se disa nuk kapen. Mbase edhe vetë ndershmëria është pjellë e korrupsionit, një mospjesëmarrje që të lë jashtë historisë…

Më pas, nuk mbeti asnjë klik i rastësishëm. U bë sistem. U bë rit. Një flirt i heshtur që i përshtatej mirë botës së re, botës ku morali bëhej sipas interesit, dhe ndershmëria shitej, jo si virtyt, por si pengesë për të ecur përpara.

Dhe llogaritari, ky hero i heshtur i etikës së dikurshme, mbeti aty, jo i korruptuar siç nuk kishte dashur kurrë të ishte, por i përshtatur. Dhe përshtatja, në kohët moderne, është një formë më e lartë e humbjes. Sepse nuk ndodh me dhimbje. Ndodh me “like”.

Postime të fundit