LISTAT E MURRME

Aty ku rrëzimi  ose mosngritja ndodhin pa zhurmë, ku koha nuk matet me orë, por me heshtje, edhe ligji ka një mënyrë të veçantë se si ecën përpara, si një udhëtar i lodhur që s’mban mend adresën dhe ka humbur hartën.

Një vend i vogël, ndoshta me male që mbyllin horizontin dhe me qytete që i shohin ëndrrat e veta online, del papritmas në një indeks ndërkombëtar. Jo për bukuritë natyrore. Jo për arritjet në shkencë. Por, për pastrimin e parave.

Në këto tabela e raporte të përvitshme, që burojnë nga zyrat e organizmave me emra të ftohtë si, “FATF” “Moneyval”, emri i vendit shkëlqen si bojë e freskët në fletë të bardheme.

Por ç’tregon kjo? Tregon se vendi nuk është harruar. Jo. Përkundrazi, ai shihet, regjistrohet, klasifikohet, riklasifikohet, katalogohet, e ç’nuk tjetër.

Flitet, pra, për një skenë ku diçka luhet fort, por për çudi, aktorët janë gjithnjë jashtë skenës.

Edhe pse emri përmendet shpesh, edhe pse dëgjon për ndonjë të ndjekur, për ndonjë aktakuzë që çan përmes zhurmës së përditshme të mediave, asnjë emër konkret. Asnjë arrest spektakolar, vetëm shifra, plane, strategji, akte legjislative. Sikur krimi të ishte një entitet pa trup, një hije që ecën mbi asfalt pa lënë gjurmë.

Po pse? Në një vend ku bankat e ndërtuesit janë qytetarë korporativ shembullorë, ku kafenetë janë më të shumta se librat e rezidentëve, dhe ku askush nuk i lexon raportet e huaja, heshtja është vetë përgjigjja.

Nëse një vend përmendet shpesh në listat e zeza, gri, të monitorimeve, por asnjëherë në dhomat e drejtësisë, kjo do të thotë se sistemi funksionon në mënyrën më të përsosur të mundshme: me vetëdijen për të mos parë, me mjeshtërinë për të mos hetuar.

Nuk është çështje e mungesës së provave. As e mungesës së vullnetit. Është një lloj harrese e institucionalizuar, një amnezi që e kanë pranuar të gjithë, nga ai që jep konceptin tek ai që vë vulën, nga ata që dalin në TV tek ata që shohin TV.

Pushteti ka gjithmonë një fytyrë të shumëfishtë: herë është zinxhiri, herë dosja, herë hija që të ndjek rruginave. Por gjithmonë është aty. Edhe këtu, pushteti që hesht për pastrimin e parave është ai pushtet që ka mësuar se si të fshijë gjurmët para se të lënë bojë.

Dhe kështu, një vend mund të jetë njëkohësisht në listat e murrme dhe në gjendje qetësie. Një vend ku të gjithë flasin për krimin, por askush nuk merret me kriminelët, sepse ata nuk ekzistojnë zyrtarisht. Ata janë vetëm grafikë, regjistra, raporte ose nënkuptime.

Pyetja që mbetet është kjo: A është më e rrezikshme një shoqëri që ka krim të padukshëm apo një shoqëri që ka mësuar të bashkëjetojë me të?

Emri përmendet në raporte ndërkombëtare, por nuk kemi gjyqe. Medoemos duhet të jetë një vendim i heshtur, një marrëveshje e nënkuptuar mes disave, harresës dhe t’harruarve.