ZËVENDËSIMI I REFORMAVE ME DËNIME

Në shoqëritë ku problemet e vërteta ekonomike, institucionale dhe sociale kërkojnë reforma të thella dhe të vështira, politika shpesh i drejtohet një rruge të lehtë: rreptësimit të ligjeve.

Duke mos qenë në gjendje të ndërmarrë ndryshime reale e reforma të njëmendta, pushteti politik e përdor ashpërsimin e masave ndëshkuese si një zgjidhje të thjeshtë për probleme të ndërlikuara.

Ky lloj ligji nuk lind më nga mendimi i qetë dhe i gjatë, as nga tryezat e ekspertëve që matin peshën e fakteve dhe shkaqeve pas një hulumtimi të gjatë mbi burimet e pasigurisë, mbi rrethanat që ushqejnë shkeljen, mënyrat e parandalimit. Ai vjen nga interesat e ngushta.

Ligji i egërsuar nuk është më një mjet për drejtësi, por një maskë që vishet për të krijuar një imazh. Ai ndryshohet jo për të zgjidhur problemet, por për t’u dukur i vendosur dhe i fuqishëm në sytë e publikut. Ky ndryshim nuk është rezultat i nevojave të shoqërisë, por i oreksit për pikë politike dhe kontroll.

Ligji i ashpërsuar shndërrohet në një instrument për të dhënë iluzionin e zgjidhjes, për të fituar besimin e momentit dhe për të frikësuar ata që ndihen të pambrojtur. Ai përdoret për të shkaktuar frikë dhe për të imponuar autoritet, jo për të ndërtuar drejtësi.

Në këtë lojë, e vërteta humbet nën hijen e një paraqitjeje të rreme. Ligji bëhet aktori kryesor në një teatër ku të dobëtit bien viktima të ambicieve personale dhe interesave të ngushta. Në vend që të jetë mburojë, ligji kthehet në armë, një armë e maskuar që godet ata që nuk kanë fuqi të mbrohen.

Pra, në këtë rast, ligji nuk është instrument i arsyes, por akt skenik. Nuk synon drejtësinë, por efektin. Sepse krimi nuk lind nga dënimi i butë, por nga faktorët social-ekonomikë, kulturorë, psikologjikë, nga dobësia institucionale, probleme politike e strukturore, domethënë nga mungesa e një sistemi që di të parandalojë, të kuptojë, të ndreqë.

Efektiviteti i sistemit nuk duhet matur me vite burg, por me sa mirë funksionojnë mekanizmat që e ndalojnë shkeljen që para dhe pasi të ndodhë.

Tjetërsimi i individit është humbje për shoqërinë. Pse nuk mendohet për parandalimin, sensibilizimin dhe rehabilitimin? Për kë bëhen këto ashpërsime? Përse?

Sepse, ajo që shihet gjithmonë është se sa më shumë që ligji bëhet i rreptë, aq më i pabarabartë bëhet zbatimi i tij.

Kur institucioneve problematike, të një sistemi të ngarkuar me emocion, interesa, marifete e lloj-lloj çudirash e pabesish, u jep fuqi më të madhe (ligje më të egra), ato nuk bëhen më të drejta, por bëhen më të rrezikshme. Dhe ata që goditen të parët nuk janë “të fortët”, kriminelët e mëdhenj apo të korruptuarit e vërtetë, por qytetari i zakonshëm, i ndershëm, ai që s’ka as mbrojtje, as miq, as mundësi për të shpëtuar.

Pra, ky është një akt i thellë amoraliteti politik, që për interesa krejt personale dhe pa asnjë përfitim të vërtetë për shoqërinë, ekspozohen të mirët ndaj një drejtësie të padrejtë dhe hakmarrëse. Shteti, që duhet t’i mbrojë, duke e ditur shumë mirë se çfarë organesh ka, i tradhton, duke i hedhur si peshq të gjorë në rrjetën e një sistemi të pabesë dhe të padrejtë, të armatosur gjer në dhëmbë. Dhe tradhtia e të mirëve, të drejtëve, të ngratëve, është më e rënda nga të gjitha, me e pafalshmja.

Dhe ajo që do të mbetet pas ashpërsimit, nuk është drejtësia, por një rrjet iluzionesh ku politika ngrihet mbi frikën dhe imazhin, ndërsa qytetari i thjeshtë bëhet dëshmitar dhe viktimë e një loje që nuk ka më vend për të vërtetën.

Një shtet që e mat forcën e vet me sa fort dënon, dhe jo me sa drejt vepron, është një shtet që rrezikon të bëhet frikacak ndaj reformës dhe hero vetëm në sy të propagandës.

Ligji nuk është për të trembur qytetarin, por për ta mbrojtur. Ai vend që e harron këtë, humb sensin e së drejtës, dhe fillon të shkruajë dramën e vet, kur kishte nevojë vetëm për reformë.

Postime të fundit