Në vendet me demokraci të forta, politika është si një bosht me pole të qarta: e majta, e djathta, qendra, ekstremet, konservatorizmi, liberalizmi, emigracioni, diversiteti… Andej, gjithçka ka një emër dhe një pozicionim. Dhe kur dikush ngrihet për të folur, publiku e di paraprakisht se në cilin drejtim politik e ka kthyer shikimin.
Në Shqipëri, jo.
Këtu, politika nuk ka bosht. Nuk ka orientim. Ka vetëm drejtimin e erës. Dhe kur era fryn nga pushteti, të gjithë ia krisin në të njëjtën anë.
Që nga dita kur ky vend i vogël provoi për herë të parë pluralizmin politik, u kuptua shpejt se ndarja mes të majtës dhe të djathtës do të mbetej një përkthim i keq, një maskaradë me fjalë të huaja që nuk gjetën kurrë kuptim të vërtetë.
Partitë politike këtu janë si vitrinat në një qendër tregtare të mbipopulluar. Të gjitha kanë emra të ndryshëm, ngjyra të ndryshme, slogane të ndryshme, por të gjitha shesin të njëjtin mall: pushtet, ndikim, tendera, leje ndërtimi, prokurori, punë.
Dhe pavarësisht se cila parti, modeli është po ai: klientelist, arbitrarisht autoritar, i papërgjegjshëm.
Me gjithë këtë ngjashmëri mes tyre, asnjëra nuk arrin të pozicionohet në ndonjë pikë të qartë të boshtit ideologjik. Të majtët që duan reforma sociale e taksa për të pasurit, mbështesin më të pasurit. Të djathtët, pensionet.
Nuk ka të majtë që mbron të drejtat e LGBTQ+, apo që shqetësohet për rinjtë që burgosen për një fundjavë me marijuhanë. Nuk ka as të djathtë që mbron të ashtuquajturat “vlera tradicionale”.
Arsyeja është se në vend të ideologjisë, këtu në politikë mbizotëron tregtia, biznesi politik. Dhe në biznes nuk ka të majtë e të djathtë. Ka vetëm blerës dhe shitës. Ka fitim ose humbje. Prandaj, politikanët nuk sillen si njerëz me bindje, por si tregtarë me inventar. Sot shesin “shtetin ligjor”, nesër shesin “popullin sovran”, pasnesër ndoshta edhe vetë sovranitetin.
Nuk ka rëndësi nëse një parti e quan veten “e majtë” ndërsa u jep miliona oligarkëve, apo “e djathtë” ndërsa betohet për “shtetin social”. Sepse në thelb, të gjitha veprojnë njësoj: si ndërmarrje private.
Për ta, çdo temë është një mall që mund të përdoret në varësi të sezonit: herë flasin për Bashkimin Europian, herë për traditën kombëtare. Herë për të drejtën e pronës, herë për amnistinë fiskale. Një ditë janë patriotë, ditën tjetër globalistë të flaktë.
Vërtetë nuk kemi ideologji, por kemi sipërmarrje që quhen “parti”. Kemi investime që bëhen jo për zhvillim, por për reklamë, për vota, për të vetët.
Qytetari, që duhet kërkojë drejtësi, barazi, liri, pyet vetëm një gjë: “me kë je?”
Dhe kjo pyetje na tregon se kemi të bëjmë me njëfarë tifozerie. Pra, jo me qytetarë me bindjet e veta politike që gjykojnë ide, por me ndjekës të skuadrave të zemrës. Me besnikëri absolute, fanatike dhe pa kushte.
Nuk pyet njeri: “Çfarë do të thotë e majtë? Çfarë do të thotë konservator? Çfarë është progresivi tatimor, çfarë është shteti minimal?”, këto janë fjalë të huaja, të panevojshme, të mërzitshme. Mjafton të jesh me “ne” dhe kundër “atyre”.
Një vend me shumë parti dhe pa asnjë alternativë të vërtetë. Ku partitë nuk përfaqësojnë ide, por vetëm klane. Dhe ku qytetari mëson të votojë jo për bindje, por për mbijetesë, për interes ose për idiotësi. Ai nuk kërkon më ndryshim, por vetëm fitoren e radhës për “skuadrën e zemrës”.
