KULLA E INOVACIONIT

Kishte kohë që thuhej se ishim bërë djepi i inovacionit botëror. Jo në gazetat e huaja, jo nga ndonjë institut ndërkombëtar, por nga vetë goja e pushtetit.

Ministrat, si murgj të një manastiri të lashtë teknologjik, dilnin çdo ditë në ekrane e postime dhe përshkruanin mrekullitë që po ndodhnin: robotë që punonin fshehurazi në bodrumet e universiteteve, aplikacione të padukshme që rregullonin trafikun e Tiranës, laboratorë ku të rinjtë shpiknin autovetura hibride që mund të karikoheshin me ujë shiu dhe me mallkimet e fqinjëve.

Fjalët e tyre tingëllonin aq të mëdha, sa qytetari i thjeshtë kishte frikë t’i procesonte me shpejtësi, mos i verboheshin sytë nga drita e brendshme.

Falë mediave sociale, atmosfera rrinte e eksituar në qytete e fshatra. Pritej diçka e madhe, e paqartë, por pritej.

Gjersa një mëngjes janari, televizionet kombëtare dhe mediat sociale u mbushën me lajmin e jashtëzakonshëm: Vendi kishte dalë i pari në botë për inovacion. Kumti vinte nga një burim i pagabueshëm: vetë Qeveria.

Kemi arritur një fitore historike! – deklaroi Ministri i Inovacionit, duke rënë në një trans zen.

Historia do të na përmendë si kombi që ndryshoi botën!

Menjëherë, kryeqyteti shpërtheu në entuziazëm dhe shastisje. Shihje të veshur me simbolet e flamurit, fanellat e Kombëtarës. Të rinj që këndonin nëpër trotuare. Pleq që hapnin krahët përpara gotës së rakisë dhe tundnin kryet. Çifte, bulevardit, që ecnin me një krenari më të theksuar se zakonisht. Nëpër kafenetë e shumta ngado, njerëzit flisnin me sy të zgurdulluar:

Duhet të jetë shpikur një pajisje a metodë që e zhduk varfërinë me një rrëshqitje të gishtit!

Jo, jo, më duket është një dron që sjell bukë gjermane e të ngrohtë në çdo shtëpi, edhe në fshatin më të largët!

Gaboheni, – ndërhyri një tjetër, – është një teknologji që e bën borxhin të zhduket nga sistemi bankar.

Për të festuar arritjen historike, Qeveria organizoi një ceremoni madhështore pranë Kullës së Inovacionit. Një ndërtesë e lartë prej xhami, e shndritshme, me dritare të errëta që nuk të lejonin të shihje brenda. Zyrtarët e quanin “tempulli i ideve të reja”.

Brenda në katin e parë kishte një sallë me monitorë të mëdhenj, ku shfaqeshin grafikë rritjeje, vektorët drejt qiellit, plot me ngjyra, por më shumë të gjelbër të ndezur, si qëndrueshmëria.

Në katin e dytë kishte zyra të rehatshme për “ekspertët e inovacionit”, të cilët e kalonin ditën duke bërë prezantime në Powerpoint me fjalë si “disruptive”, “blockchain” dhe “smart solutions”.

Baret dhe restorantet ishin shpërndarë përbrenda dy kateve me një simetri tredimensionale.

Kati i tretë ishte i fotografëve, për të cilët thuhej se kishin të drejtë kalimi në të gjithë katet.

Askush nuk dinte të thoshte saktësisht se çfarë bëhej në katet më sipër, por fjala e përhapur ishte se aty po zhvilloheshin “projektet sekrete”. As qytetarët dhe as gazetarët nuk lejoheshin brenda, por shpjegimi zyrtar ishte interesant: – Një kat më sipër ndodhet Qendra e Mendimit të Madh. Më sipër, Departamenti i Krijimtarisë së Papërkufizuar. Më sipër akoma, Zyra e Përmirësimit të Realitetit…

Megjithatë, pavaresisht lajmit madhështor, një paradoks i çuditshëm mbante erë në ajër. Në listat ndërkombëtare mbi inovacionin dhe në Indeksin Global, vendi ndodhej poshtë. Thellë fare, i humbur diku nga fundi i listes. Sipas matësve të huaj, vendi ishte më shumë një nxënës që vështron nga dritarja gjatë orës së mësimit, sesa një lider inovacioni.

Por këto raporte, na thanë se ishin të gabuara. “Ata nuk e kuptojnë shpirtin e kombit tonë,” pëshpëritnin zyrtarët, me një buzëqeshje që përziente mëshirën dhe krenarinë.

Ministri i Inovacionit e shpjegoi:

Ata përdorin metoda matjeje të prapambetura. Nuk e kuptojnë inovacionin tonë, sepse ai është i padukshëm e i paprekshmëm.

Në një kafene të re pranë bulevardit, një profesor i moshuar që kishte lexuar shumë libra, dikur specialist në inxhinieri mekanike, tani specialist në analizimin e lajmeve – nga xhami shikonte qytetin.

Në rrugë, askush nuk po shpikte robotë, askush nuk po krijonte makina që ecnin me ujë shiu. Rrinte katatonik në kafene dhe thoshte me vete:

Ka diçka këtu që nuk kuptoj. Në vend të laboratorëve, shoh vetëm zyra për tendera; në vend të kërkimit shkencor, shoh ekspertë në rregullimin e letrave të prokurimeve, fondeve, granteve…

Ndërsa në botë shpikin makina vetëdrejtuese, ilaçe kundër sëmundjeve të pashërueshme, dhe inteligjencë artificiale, ne rrimë strukur poshtë në indeksin global. Dhe, çuditërisht, si një korrelacion negativ magjik: sa më poshtë indeksi, aq më lart propaganda, lart, lart, në majën e kullës prej pikselash, derisa humb në mjegull si një legjendë që, si për bestytni, askush nuk guxon ta tregojë me zë të lartë.

Kur një delegacion ndërkombëtar e pyeti ministrin se cili ishte sekreti i suksesit, ai buzëqeshi dhe tha:

– Është shumë e thjeshtë. Në vend që të ngjitemi në listën e tyre, ne… krijuam një listë tonën.

Dhe ja, kështu vendi u bë i pari në botë. Përfundimisht.

Postime të fundit