Ka një ves të mendjes njerëzore që studiuesit e psikologjisë e quajnë overconfidence bias. Emri tingëllon i thatë, por në thelb është një mashtrim i brendshëm: një pasqyrë e shtrembër që e bën njeriun të besojë se di më shumë se ç’di vërtet, se është më i mbrojtur nga rreziku, më i mençur se të tjerët. Është si syze e padukshme që e bën kthesën të duket si vijë e drejtë, humnerën si një gropë të cekët, ligjin si një gardh të ulët që mund të kalohet me një hap.
Kur kjo prirje futet në botën e etikës dhe drejtimit të kompanive, kap kryesisht ekzekutivët. Aty ku duartrokitjet zëvendësojnë arsyen dhe raportet e shkruara me gjuhë lavdie marrin pamjen e së vërtetës, vetëbesimi fryhet si tullumbace. Ekzekutivi fillon ta besojë veten jo vetëm si drejtues, por si burim morali, si një orakull i padiskutueshëm. Në këtë pikë, vetëbesimi i kalon kufijtë e reales dhe kthehet në iluzion. Në nivel drejtues ky iluzion merr përmasa të rrezikshme: ai i shtyn të nënvlerësojnë rreziqet, të mbivlerësojnë suksesin, të shpërfillin paralajmërimet e specialistëve dhe të veprojnë me një siguri që shpesh buron jo nga faktet, por nga prestigji personal. Në këtë mënyrë, vendimmarrja humbet balancën, duke u mbështetur më shumë te bindja e verbër se sa te analiza, dhe organizata ekspozohet ndaj gabimeve që mund të shmangeshin po të kishte më shumë vetëdije dhe më pak vetëbesim të tepruar.
Iluzioni shfaqet në dy trajta kryesore. Së pari në formën e mbivlerësimit të etikës personale. Ekzekutivi është kaq i bindur për integritetin e tij, saqë çdo vendim që merr, sado i dyshimtë, e sheh si të moralshëm. Shkelja e një ligji konkurrence? Jo, thotë ai, kjo është “strategji biznesi”. Marrëveshja me një çmim të fryrë? Kjo nuk është korrupsion, por “vizion”. Ai i kthen të gjitha në etikë, thua se fjala “etikë” është një mantel magjik që e mbron nga çdo përgjegjësi.
Mënyra e dytë është injorimi i rrezikut etik. Këtu nuk kemi të bëjmë me bindjen se çdo gjë është e drejtë, por me një siguri të verbër se asgjë e keqe nuk do të ndodhë. “Ligjet janë të interpretueshëm” mendojnë ata. “Ne jemi tepër të mëdhenj”. “Kam 30 vjet në këtë industri”. Ky është varianti më i rrezikshëm, sepse mbështetet mbi egon fëminore se realiteti do të përshtatet gjithmonë me dëshirat e tyre.
Në mbledhje, për shëmbull, ku flitet me ton filmash dhe të gjithë nënshkruajnë raporte të bukura, duket sikur vetëbesimi bëhet ritual. Askush nuk guxon të shfaqë dyshim. Dhe kështu, iluzioni bëhet i përbashkët: një lloj narkoze morale që i bën të gjithë të flenë.
Flasin shumë për etikën, por e përdorin si kozmetikë. Etika përbën disa fjali në raportin vjetor, një togfjalësh për postime, por kur vjen puna, ajo lihet mënjanë.
Vetëbesimi i tepruar, kur prek etikën, nuk është vetëm një kondicionim psikologjik; ai shpesh shndërrohet në një farsë të përbashkët. Një tragjikomedi e kohëve moderne, ku drejtuesit e veshur me kravatë firme dhe të rrethuar nga grafika shumëngjyrëshe, kujtojnë se janë apostuj të moralit. Në podiume, në sallat e mbledhjeve, ata flasin me gjuhë solemne, të stolisur me terma të mëdhenj: “transparencë”, “përgjegjësi”, “integritet”. Por fjalët, si zbukurimet prej kartoni, varen në ajër për të krijuar pamjen e një realiteti që nuk ekziston
