Çdo ligj e ka një përjashtim, dhe çdo përjashtim është më i zbatueshëm se vetë ligji. Me këtë frymë u krijua një ditë edhe ALUIZNI.
Ky institucion, në pamje të parë teknik e i padëmshëm, ishte në thelb një akt amoral, një deklaratë politike: “Nëse nuk e keni zbatuar ligjin, nuk jeni vetëm, ne jemi këtu për t’jua kthyer në të drejtë.” Kështu u vu në lëvizje një strukturë e tërë shtetërore për të shpëtuar jo ligjin nga paligjshmëria, por paligjshmërinë nga ndëshkimi.
ALUIZNI nuk ishte një zgjidhje, ishte një pasqyrim. Një pasqyrë në të cilën shteti shihte veten lakuriq, por nuk skuqej nga turpi.
Ishte një akt që, bashkë me akte të tjera si vetja, ndryshoi dhe vazhdon ta ndryshojë, arkitekturën morale të shoqërisë.
Ai e çorientonte drejtësinë. Vendoste në të njëjtin nivel hajdutin e tokës publike a të tjetrit dhe qytetarin që kishte bërë çdo gjë siç duhet. Fshinte vijën ndarëse midis shkelësit dhe të ndershmit, dhe e bënte këtë me firmë e me vulë.
“Nëse shteti fal të paligjshmen, pse duhet të kem frikë nga ligji?” mendonin njerëzit. Pa ndalesë dhe pa hezitim, çdo legalizim bëhej një shembull. Jo një shembull pendese, por shembull fitimi. Ai që kishte ndërtuar në shkelje, jo vetëm që nuk ndëshkohej, por shpërblehej me një certifikatë pronësie.
Në këtë kontekst, ligji nuk ishte një busull. Ishte një kartolinë që i dërgohej një vendi që nuk ekzistonte më. Aty ku ALUIZNI vendoste dorën, harta dhe plani digjej. Ishte koha e hartave të reja, të pikturuara me ngjyrat e shkeljes së ligjit.
Po a mund të ndërtohet një shtet mbi faljen e paligjshmërisë? A mund të qëndrojë një shoqëri në këmbë kur kolona vertebrale e saj, ligji, përkulet përpara çdo ndërhyrjeje politike? Apo kur një votë vlen më shumë më shumë se një plan urban, dhe një dosje ALUIZNI më shumë se interesi publik?
Nëpërmjet ALUIZNI-t, (dhe jo vetëm sigurisht), arritën e ndryshuan ndjenjën e përgjegjësisë në thelb. Na mësoi se ligji nuk është detyrim, por mundësi. Na mësoi se ndershmëria nuk është vlerë, por marrëzi.
Dhe ne, qytetarët e këtij vendi të ndërtuar me tulla shprese dhe çimento kompromisi, ecim çdo ditë pranë mureve që na kujtojnë se të shkelësh ligjin është më e shpejtë se ta ndjekësh atë, kalojmë pranë ndërtimeve që nuk u bënë me leje nga shteti, por janë legjitimuar prej tij, në një vend ku mëkati nuk fshihet, por institucionalizohet.
