ALEANCA E MUNGUAR

Në historinë e gjatë të shteteve, ligji është përfytyruar shpesh si një sy i vetëm, i vendosur mbi një majë të lartë, që vështron mbi gjithë vendin. Por ky sy, sado i mprehtë të jetë, nuk mund të shohë çdo cep, nuk mund të kapë çdo lëvizje të fshehtë. Drita e tij zgjatet, por humbet nëpër rrugicat e errëta ku tinëz zhvillohen shkeljet dhe përpjekjet e asociuara për t’i mbajtur të pazbulueshme.

Edhe në vendet më të zhvilluara, ligji nuk është një prani absolute. Ai është një mekanizëm i kufizuar, që funksionon brenda kufirit të kapaciteteve njerëzore e teknike, dhe varet nga etika, dijet dhe vullneti i atyre që e interpretojnë dhe zbatojnë atë.

Ky kufizim ka prodhuar një kuptim të ri të rolit të shtetit: ruajtja e rendit dhe ndalimi i shkeljeve në sektorin privat,  nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e organeve publike. Ajo kërkon bashkëpunimin aktiv të vetë bizneseve, organizatave, instistucioneve private, pra të të gjithë atyre që, edhe pse nuk janë pjesë e administratës shtetërore, gjenerojnë pasoja të drejtpërdrejta në jetën e përbashkët.

Në këtë logjikë, programet e etikës dhe pajtueshmërisë (compliance) për organizatat private nuk janë thjesht mekanizma vullnetarë të rritjes së standardeve të brendshme. Ato janë instrumente të domosdoshme për funksionimin e një ekonomie të shëndoshë dhe të një rendi të qëndrueshëm shoqëror.

Në vendet që kanë përqafuar këtë qasje, legjislatorët kanë krijuar një kornizë të qartë që jo vetëm ndëshkon shkelësit, por edhe shpërblen ata që investojnë në sisteme të brendshme dhe përpiqen t’i identifikojnë dhe shmangin shkeljet.

Kompanitë që inkorporojnë sisteme efektive të pajtueshmërisë, që ndërtojnë struktura të kontrollit të brendshëm, që edukojnë punonjësit me norma etike sjelljeje dhe që kanë mekanizma raportimi, përfitojnë lehtësime ligjore, dënime të zbutura, reduktim të gjobave, përmirësim të marrëdhënieve me autoritetet. Këto kompani nuk shihet më vetëm si subjekte që respektojnë ligjin, por si partnerë të shtetit në ruajtjen e rendit.

Dhe siç tregon përvoja e tyre, pajtueshmëria si praktikë nuk lindi nga idealizmi i sektorit privat, por nga incentivat ligjore dhe nga një marrëdhënie interesi të ndërsjelltë mes shtetit dhe sektorit privat. Për shtetin, ajo është një rrjet agjentësh që zgjerohet përtej institucioneve të veta. Për kompanitë, ajo është një mënyrë për të shmangur penalitete, për të mbrojtur reputacionin dhe për të konkurruar në një treg të drejtë.

Në Shqipëri, ky ekuilibër interesi mungon. Shteti, i kufizuar në burime dhe i mbingarkuar me probleme strukturore, nuk ka arritur të krijojë stimuj ligjor për të nxitur organizatat private të investojnë në programe etike. Programet e pajtueshmërisë, përveç në disa sektorë ku janë të detyrueshme, janë të rralla. Ato shfaqen si dokumente të hartuara për të përmbushur një kërkesë ligjore apo për të kënaqur ndonjë partner ndërkombëtar, por pa ndonjë ndikim të vërtetë në funksionimin e organizatës. Programet e pajtueshmërisë përjetohen si barrë administrative, jo si investim strategjik. Kodet e sjelljes hartohen, por nuk jetohen. Rolet e pajtueshmërisë caktohen, por nuk fuqizohen ose reduktohen në detyra operacionale. Raportimet mbi shkeljet e mundshme nuk bëhen ose nuk trajtohen përnjëmend.

Në një klimë ku raportimi i shkeljes (psh., korrupsionit, mashtrimit, pastrimit të parave, ndotjes së ambientit) dhe ndershmëria nuk shpërblehet, apo edhe sjell pasoja të padëshiruara, punonjësi nuk do të raportojë. Në të njëjtin prizëm, nëse përpjekjet për sjellje të ndershme të biznesit nuk shpërblehen, logjika e tregut e shtyn biznesin drejt rrugës së rezistencës më të ulët.

Edhe programet e etikës që vijnë si imponim nga kompanitë-mëmë të huaja, përballen me një realitet ku indiferentizmi institucional ul motivimin për t’i zbatuar me seriozitet. Pa një bazë ligjore që i mbështet dhe pa stimuj të qartë, këto programe rrezikojnë të mbeten thjesht elemente të marketingut korporativ.

Për më tepër, përvoja dhe studimet e shumta kanë treguar se nuk mjafton vetëm frika nga ndëshkimi. Për të ndërtuar sjellje etike të qëndrueshme, raporti me ligjzbatuesit është shumë i rëndësishëm, për të krijuar besim, Eshtë besimi që nxit sjelljen ligjore dhe etike. Prandaj shërben një kombinim i masave ndëshkuese dhe shpërblyese. Një kompani që investon në parandalim duhet ta dijë se ky investim ka vlerë të matshme: lehtësime ligjore, mbështetje nga autoritetet. Ky model krijon një cikël pozitiv ku integriteti është jo vetëm detyrim moral, por edhe një aset konkret, një avantazh ekonomik i organizatës.

Nëse ky model do të zbatohej në Shqipëri, shteti do të fitonte një aleat të çmuar: sektorin privat. Kompanitë do të kishin arsye të investonin në ndershmëri, jo vetëm për motive morale, por edhe për përfitime praktike. Kjo do të ulte ngarkesën e organeve ligjzbatuese, do të rriste transparencën e tregut dhe do të përmirësonte klimën e biznesit.

Ndonjëherë lind dyshimi se kjo situatë nuk është thjesht pasojë e moskuptimit apo padijes, por e një llogaritjeje të prapë. Ndoshta, një ekonomi e rregulluar dhe e ndershme do të ishte e rrezikshme për ata që kanë përfituar nga kaosi dhe arbitrariteti. Një rend ku rregullat respektohen nga të gjithë nuk i shërben atyre që ndërtojnë pushtetin e tyre mbi përjashtimin dhe privilegjin e paligjshëm.

Por, nëse pranohet se ligji nuk mund të mbikëqyrë gjithçka, atëherë hapi i logjikshëm do të ishte ndërtimi i një aleance të qëndrueshme me sektorin privat, bazuar mbi stimuj të qartë dhe të matshëm. Një kompani që dëshmon përpjekje reale në parandalimin e shkeljeve duhet të trajtohet ndryshe nga një kompani që nuk ka asnjë mekanizëm kontrolli. Ky dallim do të krijonte një presion pozitiv mbi të gjithë tregun. Për aq kohë sa ky dallim mungon, modeli ekzistues do të riprodhohet i pandryshuar.

Postime të fundit