CERTIFIKIMI MORAL

Në thellësitë e ndërgjegjes njerëzore fshihet një paradoks i çuditshëm. Psikologjia e quan “licensimi moral”. Ai përshkruan një mekanizëm mjaft interesant: sapo njeriu kryen një akt të drejtë, në ndërgjegje shfaqet një ndjesi e padukshme, sikur të kishte fituar leje për të devijuar më vonë. Ky mekanizëm i fshehtë nuk është ligj i shkruar, por e drejta e shpikur nga vetja për t’iu dorëzuar vesit, nën pretekstin se mirësia e mëparshme shlyen mëkatet e ardhshme.

Në zemrën e kësaj dukurie fshihet një ekonomi e habitshme: përllogaria morale. Nëse një bankë e zakonshme mat paratë, kjo bankë e brendshme mat virtytet dhe mëkatet. Çdo vepër e mirë regjistrohet si një depozitë, çdo shkelje si një tërheqje. Dhe njeriu, duke bërë llogaritë e tij të fshehta, bindet se bilanci i përgjithshëm është pozitiv.

Në këtë mënyrë, një akt bamirësie në mëngjes mund të shërbejë si justifikim i brendshëm për një padrejtësi në mbrëmje. Një sakrificë e bërë dje bëhet arsye për një mashtrim të vogël nesër, dhe ndërgjegjja, që duhej të ishte gjykatësi më i rreptë, shndërrohet në avokatin më të zellshëm.

Licensa morale ngjan me një skenë teatri, ku i njëjti aktor luan dy role. Në aktin e parë, ai shfaqet si bamirës, i dhembshur, i ndritur. Publiku brenda vetes e duartroket. Por në aktin të dytë, ai shfaqet si shkelës, i pandershëm, egoist. Dhe prapë ndien se është i justifikuar, sepse spektatorët e brendshëm e kanë parë tashmë aktin e parë.

Kështu, në jetën e përditshme, dikush që bën një të mirë e certifikon veten si të lirë për një keqe të mëvonshme. Ky është një teatër i përhershëm i ndërgjegjes, ku rolet ndërrohen pa pushim, por ku protagonisti mbetet gjithmonë i bindur se është në anën e duhur.

Rreziku i licensës morale qëndron te iluzioni që krijon. Njeriu fillon të besojë se është i imunizuar ndaj gabimit, për shkak të veprave të mira të kryera më parë.
Por morali nuk funksionon si një rrugë e gjatë ku devijimi i vogël nuk prish shumë punë. Çdo shkelje, sado e vogël, ka peshën e vet dhe e lë gjurmën e vet. Megjithatë, mashtrimi i licencës morale na bën të besojmë se një e mirë e madhe fshin një të keqe të vogël, sikur çështja të ishte matematikore.

Licensa morale nuk kufizohet vetëm te individi. Ajo merr përmasa shumë më të rrezikshme kur përvetësohet nga një komunitet, një popull, madje edhe nga një qytetërim i tërë. Kur shoqëritë kryejnë akte të mëdha heroizmi, sakrifice, ose shquhen për arritje të jashtëzakonshme në art, shkencë ose pushtet, ato shpesh i përdorin këto si një kapital moral të trashëguar, të cilin besojnë se mund ta shpenzojnë sipas dëshirës në të sotmen. Ky kapital, i ndërtuar mbi kujtimet e lavdisë së kaluar, justifikon veprimet e rrezikshme, arrogante ose të padrejta, duke përdorur një ndjesi të rreme epërsie morale: “sepse kemi bërë aq shumë më parë, mund të veprojmë kështu tani.”

Në një mënyrë të çuditshme, historia e një kombi, e ndërtuar mbi momente madhështie dhe triumfi moral, mund të kthehet në një lloj license të përhershme. Brezat pasardhës, të lindur në hijen e këtyre arritjeve, ndihen sikur kanë fituar një imunitet moral.

Nga ky këndvështrim, licenca morale shfaqet si një valixhe e trashëguar që udhëton nga brezi në brez. Kur një komb i referohet lavdisë së tij, nuk është vetëm krenari, por edhe një justifikim i heshtur për mosveprim, për kompromis, për shkelje. Në këtë mënyrë, moraliteti historik kthehet në një mburojë që fsheh dështimet aktuale.

Më e rrezikshmja është se ky mekanizëm vepron i padukshëm: shoqëria beson verbërisht se është “në anën e duhur të historisë” dhe, për këtë arsye, nuk ndalet kurrë të gjykojë ftohtë e objektivisht të tashmen. Në këtë pikë, licensa morale nuk është më një justifikim i veprave të vogla, por një strukturë e tërë mendësie që paralizon kritikën dhe ushqen vetëkënaqësinë.

Kështu, historia e së kaluarës bëhet një pasaportë e padukshme për të justifikuar fajet e së tashmes. Dhe kjo është ndoshta trajta më e rrezikshme e licensimit moral: kur nuk është vetëm individi, por e gjithë shoqëria që vetëjustifikohet.

Postime të fundit