Në fjalorin e politikës së jashtme shqiptare mbizotëron një repertor i ngushtë, por dinjitoz: BE, NATO, SHBA, bashkëjetesë, fqinjësi e mirë, integrim. Janë bërë si mantra të pandashme, të përsëritura në çdo tryezë diplomatike, në çdo konferencë ndërkombëtare, në çdo raportim të huaj. Këto fjalë janë shndërruar në kartëvizitën e shtetit, në vulën që garanton se Shqipëria e njeh drejtimin e saj strategjik. Po, a është ky orientim fryt i bindjeve të klasës politike, apo është thjesht presion i një populli që nuk pranon më kthime pas?
Në krahasim me fqinjët tanë, ku ndonjëherë ngjallen zëra nostalgjikë për lindjen, për pushtete autoritare, për aleanca të dyshimta, Shqipëria duket si një oaz. Politikanët tanë nuk ngrejnë flamuj të tjerë veç atyre europianë. Nuk shpërndajnë urrejtje etnike në podiumet e tyre, nuk nxisin fe kundër feje, nuk ushqejnë urrejtje ndaj armiqve të imagjinuar, nuk ringjallin demonë të së shkuarës. Perëndimorët shpesh mbeten të befasuar, dhe me një lloj entuziazmi skeptik thonë: “Sa mirë që Shqipëria është kaq e qartë për orientimin e saj!”
E kujt është merita për këtë? A janë këta njerëz të politikës vendase që kanë gjetur dhe mbajnë të ndezur dritën e demokracisë brenda vetes? Apo është një forcë tjetër, e padukshme, që i shtyn, që i detyron, që i vendos në shinat e duhura?
Nëse shohim me kujdes, përgjigjja është e qartë. Politikanët shqiptarë nuk kanë qenë kurrë engjëj të demokracisë. Përkundrazi, shumë prej tyre kanë treguar në raste të ndryshme se po të kishin përfituar më shumë nga rruga e errët ata do ta kishin ndjekur atë rrugë pa asnjë hezitim. Në këtë logjikë, po të përfitonin nga demonizimi i armikut të huaj, nga urrejtja etnike, nga thirrjet anti-perëndimore, do i përdornin. Në shpirtin e tyre nuk është shkruar ndonjë testament i shenjtë demokratik. Nuk është kodi i tyre moral që i frenon. Ajo që i mban në kornizën europiane është thjesht e vetëm pritshmëria e popullit shqiptar.
Populli, pas dekadash vuajtjeje, pas shekujsh të shtrënguar nga perandoritë, otomania nga diktatura, nga izolimi, e ka bërë të qartë: nuk ka më kthim prapa. Ai nuk do më “vëllazëri lindore”, nuk do më premtime boshe nga perandori të rrënuara, dhe as modele anakronike të qeverisjes. Ai kërkon Europën, dhe këtë kërkesë ia thotë politikanëve me një vendosmëri që nuk pranon refuzim.
Por, nëse shohim politikanët shqiptarë që sot shfaqen para botës si ambasadorë të demokracisë, nuk janë tjetër veçse pasqyra e popullit që i detyron. Ata ecin aty ku populli u ka shtrirë shtegun. U buzëqeshin kamerave europiane sepse e dinë se kjo është mënyra e vetme për të mbijetuar politikisht. Nëse populli shqiptar do të kishte dashur tirani, ata do të kishin servirur tirani. Nëse do të kishte dashur aleanca lindore, ata do të ishin betuar mbi flamuj të tjerë. Por për fat, populli ka treguar një urtësi të çuditshme.
Kështu, në një kthesë të befasishme të historisë, është populli që mban politikanët nën kontroll, jo e kundërta. Kjo nuk do të thotë se pushteti i përditshëm, me gjithë abuzimet, korrupsionin apo arbitraritetin e shtetit ndaj qytetarit, është zhdukur. Përkundrazi, ato mbeten plagë të dukshme të realitetit shqiptar. Por në planin makro, në drejtimin e madh strategjik të vendit, është populli ai që ka vendosur vijën e kuqe: orientimin perëndimor, kërkesën për integrim, refuzimin e tiranisë. Në këtë kuptim, politikanët janë të detyruar të ndjekin rrugën që populli ua ka caktuar, edhe pse në jetën e përditshme vazhdojnë ta shtypin e ta lodhin atë me abuzime të pafundme.
Ata flasin për demokracinë, por nuk është frymëzim i tyre; është fryt i presionit qytetar. Ata shpallin dashuri për Europën, por nuk është dashuri e lindur në zemrat e tyre; është kalkulim i ftohtë për të mos humbur pushtetin. Kështu, një popull që dikur mbahej peng nga diktatura, sot i ka marrë peng politikanët e vet dhe i detyron të flasin gjuhën e lirisë.
Kur dëgjon një prej tyre të flasë për fqinjësinë e mirë, nuk është fryt i epërsisë së vet morale. Është populli që nuk do më luftëra apo armiq të fryrë apo trilluar. Kur ata flasin për barazinë e feve dhe për sekularizmin, nuk është se ata e kanë shpikur këtë tolerance dhe as ia kanë mësuar ndonjërit. Kur ata shpallin se duan Europën, nuk janë fjalë që burojnë nga thellësia e shpirtit të tyre.
Dhe ja ku qëndron lavdia e heshtur e këtij populli: ai i ka vënë fre politikës së vet. Dikush mund të thotë: “Po mirë, a nuk është kjo një lloj fitoreje?” Sigurisht që është. Është një nga ato fitore të pazëshme që historia i mban shënim më fort se betejat me predha. Shqipëria është sot e orientuar drejt Perëndimit, jo sepse ka politikanë të ndritur, por sepse ka një popull që i ka mësuar të thonë fjalët e duhura. Kjo është e rrallë, madje unike. Në shumë vende, politikanët manipulojnë popullin dhe e çojnë drejt rrugëve të errëta, sepse propaganda gjen terren brenda shoqërisë, kapet pas nostalgjive apo frikërave dhe shndërrohet në forcë politike. Domethënë gjen tokë ku farat e zeza të gëlojnë. Ndërsa në Shqipëri toka nuk i ushqen këto lloj farash të manipulimit dhe nëse politikanët do tentonin t’i mbillnin ato s’do mbinin.
Prandaj, sa herë që politikanët tanë dalin në konferenca ndërkombëtare dhe flasin për lirinë, për integrimin europian, për fqinjësinë paqësore, duartrokitjet nuk u përkasin atyre. Duartrokitjet i përkasin popullit që i detyroi të flasin kështu.
Jemi një paradoks i bukur: politikanët tanë janë të detyruar të duken të mirë. Ndoshta një ditë, historia do ta shkruajë këtë të vërtetë me germa të mëdha: Shqipëria nuk u bë europiane për shkak të politikanëve të saj, por përkundër tyre.
