PSE DËSHTOJNË PROGRAMET KUNDËR KORRUPSIONIT?

Në çdo organizatë, qoftë ajo një kompani apo agjenci shtetërore, drejtuesit nuk janë vetëm menaxherë të rregullave. Ata janë pikësëpari formues të kulturës dhe moralit kolektiv të organizatës. Sjellja e tyre krijon normat e pashkruara që udhëheqin të tjerët. Nga qëndrimet e tyre përcaktohet nëse rregullat janë një vlerë e shtuar apo jo. Prandaj, lidershipi etik është sot një element kyç i çdo standardi ndërkombëtar për programet kundër korrupsionit.

Ky element nuk është thjesht një hallkë në mekanizmin e përgjithshëm të sistemit, por boshti që i jep kuptim dhe peshë gjithë të tjerave, strategjive, politikave, kontrolleve të brendshme, auditeve, trajnimeve. Ai përcakton frymën me të cilën funksionon çdo strukturë. Kur lidershipi është i joetik, kur drejtuesi nuk mishëron vlerat që predikohen, gjithçka tjetër humbet forcën e saj. Rregullat mbeten në letër, procedurat ndjekin rutinën e tyre, por shpirti i sistemit është bosh, dhe çdo përpjekje për integritet apo transparencë kthehet në një ushtrim formal, i paaftë për të prodhuar ndryshim real.

Këtë e mbështesin dekada kërkimesh në udhëheqjen etike, sjelljen organizative dhe psikologji. Si pasojë e këtyre përpjekjeve empirike e teorike, elementi i lidershipit etik sot gjendet i ngurosur në standardet ISO, Udhezimet e OECD, FCPA dhe USSG të Sh.B.A, Aktin për Rryshfetin të MB, Ligjin Sapin 2 të Francës, Ligjin brazilian për Kompani të Pastra, për të përmendur disa shembuj.

Shembujt tregojnë se sjellja e liderit, ajo cfarë ai përfaqëson, ka një efekt kaskadë në të gjithë organizatën. Kur drejtuesit veprojnë me integritet dhe ndjekin rregullat sistematikisht, të tjerët brenda organizatës priren ta modelojnë sjelljen e vet sipas tyre. Njerëzit mësojnë më shumë nga shembulli dhe vëzhgimi sesa nga rregullat e shkruara. Nëse titullari ose drejtori e shpërfill etikën me sjelljen e vet, punonjësit marrin shembullin e gabuar dhe përshtaten me realitetin që gjejnë. E njerëzit, në shumicën e rasteve, zgjedhin të përshtaten me mjedisin, qoftë edhe me një mjedis të korruptuar.

Dhe ja që, një drejtues i korruptuar nuk është thjesht një devijim,  ai është një forcë që e riformaton të gjithë sistemin sipas antivlerave të veta. Edhe programi më i sofistikuar kundër korrupsionit, me mekanizma të avancuar raportimi, monitorime të vazhdueshme, audite rigoroze dhe trajnime mbi etikën, mbetet i pafuqishëm përballë shembullit të atyre lart. Drejtuesit janë çarja më e rrezikshme në themelet e çdo sistemi kundër korrupsionit, pa një lidership të ndershëm dhe që perceptohet si i tillë, çdo përpjekje për të zhdukur korrupsionin është e destinuar të dështojë.

Nëse konsiderojmë sa u përmënd, atëherë lind një pyetje e natyrshme: pse vazhdojnë të promovohen e të reklamohen programet antikorrupsion, kur shpesh mbeten mënjanë elementet më themelore si formimi i kulturës? Pse shpesh vendosen persona të papërshtatshëm në krye të organizatave, kompanive apo institucioneve publike, kur dihet se pa drejtues korrekt dhe të besueshëm çdo program humbet forcën e tij? Dhe pse, përkundër kësaj, vihet theksi kryesisht te manualet, postimet në rrjetet sociale, seminaret apo strategjitë, ndërkohë që shembulli i drejtuesit nuk përputhet me parimet që ato përpiqen të përcjellin?

Përgjigjja është e thjeshtë për t’u kuptuar: është më e lehtë të shkruash strategji dhe politika sesa të sigurosh udhëheqës korrekt dhe të besueshëm. Prandaj ka një lloj teatri këtu, ku forma mposht përmbajtjen, ku parullat përshkruajnë atë që duhet të ndodhë, ndërsa mungon udhëheqësi për të realizuar këto parulla. Punonjësit shohin strukturat, por nuk ndjejnë përmbajtjen; publikun mund ta mashtrojnë postimet; partnerët ndërkombëtarë perceptojnë një imazh të rregullt, por jo real.

Çështja është se korrupsioni nuk është një gabim teknik te një process pune që mund të zgjidhet me një manual të ri apo me seminare që nuk lënë gjurmë. Ai është një fenomen kulturor, një sëmundje që prek themelet e institucioneve dhe organizatave, duke nisur nga maja.

Regulloret, auditimet, programet e pajtueshmërisë janë të lidhura me kulturën. Dhe kultura është reflektim i lidershipit. Nëse ky element është i dobët ose i dyshimtë, të gjitha pjesët e tjera, sado të shkëlqyera apo të sofistikuara që të jenë, humbasin ndikimin e tyre, bëhen të paefektshme.

Kjo është arsyeja pse çdo përpjekje për të ndërtuar një institucion të pastër, një kompani të ndershme apo një administratë të besueshme, nuk mund të mbështetet vetëm në rregullore, kode sjelljeje apo mekanizma kontrolli. Qëndrueshmëria e këtyre strukturave varet në mënyrë thelbësore nga integriteti personal dhe profesional i drejtuesve.

Postime të fundit