Nuk ka mbret në këtë mbretëri. Por ka një mbretëri. Ajo e fjalës që qarkullon pa pengesë, e gishtave që rrëshqasin mbi ekrane si mbi letër të nëpërdukshme, e mendimeve që shpërndahen më shpejt sesa arrijnë të piqen. Është bota e mediave sociale: një botë e rrëmujshme, por edhe e mahnitshme; e rrezikshme, por edhe plot mundësi.
Ajo është e ngrohtë për shpirtin që kërkon të validohet, e lirë për njeriun që ka munguar përherë në sheshet reale. Nuk ka nevojë të shpjegohet shumë: ofrimi i hapësirës për çdo zë është argumenti i saj më i fortë. Edhe kur fjala shndërrohet në britmë, edhe kur mendimi kthehet në thërrmijë, sërish aty gjendet një hapësirë e re e komunikimit njerëzor, që s’ka ekzistuar kurrë më parë.
Të arsyeshmit kryesisht janë të mekur në këtë agorë të re. Fjala e thelluar rrëshqet e humbet në zhurmën e madhe, si një pikë uji mbi hekur të nxehur. Por, ajo ekziston dhe herë pas here rishfaqet si një violinë e vetmuar që guxon të sfidojë daullet e huliganëve në një stadium të madh. Dhe, çuditërisht, ajo violinë dëgjohet nga ata që dinë të dëgjojnë. Jo gjithmonë, jo shpesh, por mjafton që të dëgjohet disa herë për të mbajtur të gjallë besimin se mendimi ka ende vend.
Arroganca e të paditurit ecën ngadhënjyese kudo në Mbretërinë e Re. Por prapë, marrëzia që shpërblehet me pëlqime nuk e shuan dot plotësisht zërin e arsyes. Përkundrazi, e sfidon atë që të rishfaqet, të gjejë forma të tjera, të përshtatet. Dhe ndoshta këtu duhet kërkuar shpresa: në faktin që arsyeja nuk është shuar, por është shtyrë të bëhet më e hollë, më e guximshme, më krijuese ndaj sfidave të reja.
Në mbretërinë e re ka lindur gjithashtu një çudi e re: krenaria për të folur. E tepruar, shpesh boshe, por gjithsesi dëshmi e një të drejte që dikur i mungonte njeriut të zakonshëm. Dikur, ai që nuk dinte, heshtte; sot, ai flet.
Bile, si për ironi të fatit, vetë platforma është ndërtuar për të favorizuar ata që flasin. Ajo shpërblen shpejtësinë, emocionin e menjëhershëm, ofendimin që ndez reagime. S’mund të themi të njëjtën gjë për reflektimin, argumentin me peshë, shpjegimin që qetëson. Algoritmi është arbitri i padukshëm i kësaj mbretërie, dhe ai nuk pyet kurrë se cila fjalë është më e mençur, por vetëm cila fjalë ndez më shumë zjarr. Kështu, vetë arkitektura e hapësirës virtuale i jep epërsi të pavend zhurmës ndaj arsyes, britmës ndaj mendimit, cekëtinës ndaj thellësisë.
Madje, edhe media tradicionale, ajo që dikur mburrej me analizën, me fjalën e peshuar e me mendimin e thellë, po përpiqet me dëshpërim t’i përshtatet ligjeve të reja të Mbretërisë. Tashmë, edhe temat më komplekse duhet të shpjegohen me pesë fjalë, ndoshta edhe më pak. Si mund të zhvillohet ndonjë diskutim kuptimplotë kur filozofia, ekonomia apo vetë jeta reduktohen në një titull me pesë fjalë dhe një dizajn grafik? Por ja që kjo është kërkesa e epokës: të jesh i thellë, por brenda 280 karaktereve.
Nëse kjo mbretëri duket e rrezikshme, është sepse është ende e re. Themeluar mbi boshësi dhe iluzione, ajo ecën përpara me siguri amok. Por në të njëjtën kohë, ajo ofron hapësira që bota e vjetër nuk i kishte: hapësira ku mendimi, edhe i pakët, ka shansin të udhëtojë përtej kufijve, të arrijë te njerëz që nuk do ta dëgjonin kurrë në realitetin fizik.
Deri më tani, kjo mbretëri ka treguar se nuk mjaftohet me pasqyrimin e botës dhe do ta drejtojë atë. Ajo shtyn fjalët, emocionet dhe njerëzit drejt një krahu të posaçëm ose drejt skajeve, derisa çdo mendim bëhet thirrje, çdo debat përplasje. Nuk është më pasqyrë, por mekanizëm që rrotullohet vetë, duke krijuar vorbullën ku bie edhe vetë mendimi. Dhe në mbremje, ndërsa dritat e ekranit fiken një nga një, mbetet vetëm pyetja e vjetër, kush e udhëheq kë: njeriu fjalën, apo fjala njeriun?
Prapë se prapë, kjo mbretëri e re, mes zhurmës dhe dritës, mes marrëzisë dhe arsyes, mbetet një skenë e hapur. Një pasqyrë e shtrembëruar, po; por edhe një mundësi për të shpikur një gjuhë të re. Një gjuhë ku fjala e lehtë dhe fjala e rëndë mund të bashkëjetojnë pa u manipuluar, ku britma e paditurisë mund të ndeshet me qetësinë e arsyes, dhe ndoshta, në këtë përplasje, njerëzimi do të mësojë të zgjedhë më të mirën.
