LIGJI I XHUNGLËS: NJË HISTORI E NJOHUR

Po të ndodhte një ditë që një studiues nga e ardhmja të zbriste në tokën tonë për të kuptuar pse mbi këtë dhé pushteti ngjitet si ushunjëz në lëkurën e një të vetmi, pse institucionet treten si kripa në ujë sapo ndeshen me vullnetin personal, pse ligji zbehet para instinktit për të dominuar, ai nuk do lodhej shumë për të kuptuar. Madje, nuk do t’i duheshin as arkivat, as të dhënat, as dëshmitarët.

Do të mjaftonte të matte përmasat e heshtjes. Heshtjen që mbulon një të vërtetë të lashtë dhe të dhimbshme: ky vend kurrë nuk ka hyrë në qytetërimin e kontratës sociale. Kurrë nuk ka pranuar se rendi lind nga barazia e të gjithëve para ligjit, se progresi vjen kur të gjithë punojnë së bashku me të njëjtat rregulla lloje.

Si rrjedhojë, pas çdo pritjeje në semafor, pas çdo fjalimi, pas çdo biznesi të suksesshëm, pas çdo rritjeje çmimi, pas çdo rradhe në spital, apo padrejtësie në punë,  madje edhe pas çdo veprimi a mosveprimi që mbeti pa u thënë, qëndron një ligj i vjetër, i kudogjendur dhe i padavaritshëm: ligji i xhunglës.

Jo ligji i shkruar, tjetër. Jo xhungla tropikale e Amazonës, një tjetër. Një xhungël më tinëzare, më e heshtur, më e rafinuar në barbarinë e saj.  Xhungla njerëzore, ku nuk sundon ligji i shkruar, por ligji i atij që ka më shumë forcë, më shumë lidhje, më shumë armë, qoftë ato reale, apo metaforike: para, pushtet, lidhje, shantazh, informacione kompromentuese. Në këtë habitat, institucionet janë fjalë me të cilat zbukurohen fjalimet, jo realitete që garantojnë barazi. Rregullat ekzistojnë vetëm për të dobëtit, ndërsa të fortët, ata që dinë “artin e xhunglës”, jetojnë mbi to.

“Ligji i xhunglës” nuk është një ideologji e shpallur, e shkruar apo e mbështetur teorikisht, por funksionon si e tillë në praktikë. Ka normat e veta të heshtura (si për shembull: më i forti ka të drejtë, ligji nuk vlen për të pushtetshmit, etj), transmetohet brez pas brezi, dhe i jep legjitimitet informal padrejtësisë. Ai tregon mungesën e një sistemi ligjor dhe etik, të zëvendësuar nga një sistem instinktiv i mbërthyer prej konflikteve të interesave personale, ngado. Ai dëshmon mashtrimin kolektiv që ndodh kur kjo mendësi trajtohet si mënyrë normale, madje e admirueshme, për të jetuar e për të arritur sukses.

Kjo nuk është një dukuri e re. Është një vazhdimësi. Një zinxhir që fillon (të paktën) që me feudalizmin turk. Në kohën kur në Europë ndodhte ndarja e pushteteve, ngritja e parlamentit, garantimi i të drejtave qytetare dhe ndërtimi i kontratës sociale mes shtetit dhe individit, në këtë vend ndodhte e kundërta, njeriu më i fortë merrte fshatin, rrugët, e pastaj merrte edhe njerëzit, edhe gjedhët, edhe nuset.

Kur në Francë shpikej barazia para ligjit, në territorin tonë mbijetesa varej nga një kushëri me armë ose një bajraktar që vendoste jetën dhe vdekjen me një fjalë ose gisht. Kur në Angli e Gjermani zhvilloheshin normat e bashkëjetesës dhe institucioneve, tek ne zhvillohej, forcohej, sistemi i vjetër, ku çdo gjë zgjidhej “si burrat”: me presion, me nder, me frikë dhe, sipas rastit, me servilizëm.

Dhe si çdo ideologji që nuk shkruhet, por trashëgohet, edhe kjo është ruajtur më mirë se çdo ligj. Është më e fortë se çdo reformë. Është përhapur nga prindi te fëmija, nga gjyshi te nipi, nga shefi te vartësi. Ka hyrë në gjak. Sot quhet “shkathtësi”, “mençuri praktike”, “aftësi për t’ia dalë në këtë vend”. Në të vërtetë, është vetëm një mutacion i egër i së njëjtës logjikë të vjetër: se më i forti merr gjithçka, dhe të tjerët bëjnë mirë të heshtin.

Natyrisht, në një vend ku historia moderne nuk e ka pasur të mundur të ndërtojë institucione të qëndrueshme, është ligji i xhunglës ai që ka zëvendësuar ligjin kushtetues. Parlamenti mund të ndërrojë anëtarët, organizatat mund të shpërhapen në forma nga më të ndryshmet, por mënyra si ndahet pushteti mbetet e njëjtë: kush ka më të fortë grushtin, zërin, klanin, skemën merr gjithçka.

Sepse në logjikën e kësaj pseudo-ideologjie, nderi nuk matet me vlera, por me suksesin për të mposhtur tjerët (me para, me posedime, me famë). Dhe suksesi nuk vjen si produkt besimi apo konsensusi. Ai nuk arrihet me punë, por me lidhje, me dinakëri, me rrëshqitje. Me kodet e xhunglës që ende nuk janë zhdukur, por janë bërë edhe më të rrezikshme, sepse sot vishen me kollare, kanë NIPT dhe promovohen në konferenca për “shtet të së drejtës”.

Në mendjen e kësaj pseudo-ideologjie, suksesi nuk lidhet më me meritën, por me mjeshtërinë për të përthyer rregullat. Suksesi ngjitet mbi supet e atyre që dinë të rrëshqasin nëpër korridoret e errëta të kompromisit, që dinë të përkulen kur duhet dhe të kafshojnë kur munden.

Kodet e dikurshme të xhunglës, të rrepta, brutale, por të paktën të ndershme në brutalitetin e tyre, sot janë sofistikuar. Por egërsia nuk është më pak e egër, thjesht më e fshehur, më e heshtur, më efektive: të gjithë në garën e madhe të ngjitjes pa skrupuj.

Prandaj edhe sot e kësaj dite, e ashtuquajtura “demokraci” nuk është gjë tjetër veçse një formë e butë e xhunglës së mëparshme, por që në thelb mbetet e njëjtë. Heroi i kohës sonë nuk është më ai që qëndron drejt në stuhi, por ai që di të kthejë erën në favorin e vet. Në këtë skenë, morali nuk është më busull, por dekor. Aty sundon heshtja e pranuar, kodet e mosprekjes, dhe një kontratë e pathënë ku çdokush që hesht, shpërblehet me pak stabilitet, një rrogë mesatare, dhe iluzionin se është “i sigurt”.

Në këtë kontekst një gjykatë, një zyrë e administratës, një OJF, është e destinuar të funksionojë sipas të njëjtit mentalitet. Edhe ligji interpretohet, kuptohet dhe zbatohet me të njëjtin mentalitet, shquhet e shkoqitet përmes lentes së ligjit të xhunglës.

A ka rrugëdalje nga kjo histori që përsërit vetveten? Rruga përpara është zëvendësuar me një rreth vicioz ku gjithçka duket si lëvizje, por asgjë nuk shkon përpara.  Ndoshta dalim nga rrethi, kur qytetari të mos ndihet i nënshtruar përballë pushtetit, por ta ndjejë veten bashkautor të tij.

Por deri atëherë, kjo xhungël e stolisur me simbole moderne dhe marka konsumi, me trotuare dhe slogane, do të vazhdojë të prodhojë vetëm një realitet: më i forti, më i pagdhënduri, më i paskrupulli, do të jetë gjithmonë në krye.

Dhe të mos harrojmë, më i forti, jo vetëm që merr gjithçka, por edhe shkruan rrëfimin e kohës. E  kur rrëfimi është i manipuluar. A, atëherë e vërteta bëhet luks, heshtja bëhet mbijetesë, dhe humbja, amnezi.

Postime të fundit