TREGU ËSHTË I HARMONISHËM

Për një lexues të vëmendshëm të realitetit ekonomik shqiptar, mungesa e zhurmës nuk është gjithmonë shenjë mbarëvajtjeje. Ndonjëherë, është shenjë marrëveshjeje.

Lexoj lajmet e fundit për fituesit e Çmimit Nobel në Ekonomi 2025 dhe nuk mund të mos mendoj se: nëse përparimi i një kombi varet nga konkurrenca e drejtë, atëherë këta laureatë po na tregojnë rrugën. Konkurrenca, thonë ata, është një nga parakushtet e rritjes dhe inovacionit, motorr që shndërron sfidën në krijimtari. Pa të, thjesht mpakemi, nuk lëvizim, ose më keq, prodhojmë iluzion zhvillimi.

Mirëpo, për fatin tonë të madh, në Shqipëri ne nuk kemi probleme me konkurrencën. Tregu ynë është një treg harmonik, ku kompanitë bashkëjetojnë në paqe, çmimet ndjekin njëra-tjetrën me ndjeshmëri shpirtërore dhe tenderat i fiton ai që ka ndjerë më shumë brenda vetes thirrjen për sukses. Kështu, lajmet e Nobelit përreth konkurrencës së drejtë shërbejnë më shumë si një kuriozitet akademik, sesa si paralajmërim për realitetin tonë.

Sipas ligjit shqiptar për mbrojtjen e konkurrencës, marrëveshjet mes ndërmarrjeve që kufizojnë ose shtrembërojnë konkurrencën janë të ndaluara. Por në praktikë, duket se ndërmarrjet tona e kanë marrë me shumë seriozitet këtë ligj, aq sa nuk shkelin asnjë germë të tij. Në vendin tonë, ku tregu i lirë është po aq i kthjellët sa qielli i gushtit, nuk ndodh të dëgjosh ndonjëherë për shkelje të ligjit të konkurrencës. Kjo është një veçori kombëtare, një bekim i heshtur që vjen ndoshta nga thellësitë e një tradite të vjetër të mirëkuptimit tregtar.

Në fakt, jemi me fat. Sipas të gjitha raporteve, nuk kemi probleme me konkurrencën. Nuk kemi probleme me fiksime çmimesh, as me ndarje tregjesh, as për dominim të padrejtë. Dhe më së shumti, e them me një lloj krenarie këtë, nuk kemi asnjë rast publik të marrëveshjeve të fshehta në tendera.

Dhe, sërish, ky është një fat i rrallë. Ose një enigmë.

Në vendet perëndimore, autoritetet antitrust luftojnë me mish e me shpirt për të çliruar tregun nga marrëveshjet e fshehta, nga pozitat dominuese, abuzuese, nga deformimi i konkurrencës. Kurse ne, si gjithmonë, jemi të qetë. Autoriteti i Konkurrencës është një institucion pa stres, pa zhurmë. Një institucion që, në mungesë të shkeljeve të rënda, arrin të jetë shembull i stabilitetit administrativ.

Gazetat nuk na japin skandale konkurrence, sepse nuk ka. Dhe kur nuk ka, as hetime nuk ka. Dhe kur nuk ka hetime, as paditë nuk i shqetësojnë gjykatat tona të lodhura me çështje të tjera më rëndësishme.

Fiksimi i çmimeve? Nuk kemi fiksim çmimesh mes operatorëve. Çmimet që përputhen në mënyrë perfekte janë thjesht produkt i një fryme bashkëpunimi të natyrshëm mes kompanive, një lloj empatie tregtare që, siç duket, lind vetëm në këtë truall.

Kur sheh që çmimet janë gati identike, nuk mund të mendohet për marrëveshje të fshehta. Është thjesht një ndjesi e përbashkët për të ruajtur balancën e tregut. Pse të luhatet çmimi kur të gjithë kanë të njëjtin sens të përgjegjësisë ekonomike?

Ndarje tregu? Ah, ky është një term kaq i çuditshëm për realitetin tonë. Jo, këtu kompanitë nuk ndajnë territore. Secila vepron në zonën e vet, për hir të efikasitetit dhe respektit të ndërsjelltë dhe për të mos ia marrë punën njëri-tjetrit.

Manipulimi i tenderave? Nuk ka ndodhur kurrë. Tenderat janë transparentë, të hapur, dhe fituesit janë gjithmonë ata që kanë përgatitur ofertën më të bukur. Nëse një kompani i fiton të gjitha, kjo është thjesht një shenjë besimi nga institucioni tenderues. Dhe besimi është një vlerë që nuk duhet cenuar.

Monopol? Jo. Kemi thjesht kompani që janë më të suksesshme, më të pëlqyera, më të vetmuara në treg se të tjerat. Kur një firmë zotëron pothuajse të gjithë tregun e një produkti apo shërbimi, kjo është meritë. Pse ta quajmë “pozitë dominuese”, pse ta paragjykojmë suksesin. Një ndërmarrje që është shumë më e suksesshme se të tjerat nuk është monopol, është ekselencë.

Nëse ndokush kërkon prova për shkelje të ligjit antitrust, le të kërkojë në vende të tjera, në vendet e mëdha, ku konkurrenca grindet, ku firmat luftojnë, ku autoritetet ndërhyjnë. Dhe nëse ndonjë zë do të ngrejë pyetjen: “Pse nuk kemi raste shkeljesh të ligjit të konkurrencës?”, përgjigjja është e thjeshtë: Sepse ne e kemi kapërcyer konkurrencën. E kemi tejkaluar. Kemi hyrë në epokën e bashkëjetesës së paqtë ekonomike, ku të gjithë i japin dorën njëri-tjetrit, dhe të gjitha marrëveshjet ndodhin pa pasur nevojë për fshehtësi.

Mbase sepse jemi një vend i vogël, ku të gjithë njihen me të gjithë. Mbase sepse konkurrenca këtu zhvillohet me rregulla të padukshme e të pashkruara, por shumë të qarta për të tërë pjesëmarrësit. Mbase sepse, në këtë treg të vogël, të garosh seriozisht është e tepërt, dhe më e mençur është të “kuptohesh” me lojtarët e tregut.

Në këtë klimë të qetë, Autoriteti i Konkurrencës mbetet një institucion që punon në kushte ideale: pa stres, pa konflikt, pa nevojë për ndëshkim. Raportet janë të rregullta, grafiqet elegante, përfundimet gjithmonë përmbyllëse. Një formë e përkryer paanshmërie ose distancimi. Por, të mos keqkuptohemi, aktivitet ka! Autoriteti i Konkurrencës nuk rri plotësisht duarkryq. Për të përmbushur pritshmëritë burokratike, herë pas here merren disa masa “model”. Ndonjë furrë buke që ka vendosur çmim të njëjtë me furrën fqinje, ndonjë që nuk ka justifikim për politikat e çmimeve, ose ndonjë monopolist në tregun e jonxhës së njomë, bëhen objekt inspektimi. Inspektorët zbresin në terren me raportet në dorë dhe i japin biznesit një zgjedhje të qartë.

Sidoqoftë, ndërsa laureatët e Çmimit Nobel na kujtojnë se përparimi vjen nga konkurrenca e drejtë, ne mund të rrimë qetë, çdo gjë është në rregul.

Postime të fundit