Sot, në një kthesë të çuditshme të historisë, fjala është shndërruar në të dhëna. Ajo që dikur ishte frymë, tani është shifër. Zemra e njeriut, dikur e mistershme, tani mund të përkthehet në algoritëm. Dhe nga ky përkthim i ftohtë, i saktë, por i verbër, lindën bizneset e reklamave, ekonomitë algoritmike dhe ajo që quajmë “Inteligjencë Artificiale”, në hapësirën e padukshme të së cilës udhëton fjala e koduar, që mblidhet, analizohet, shitet, e më pas kthehet përsëri tek ne, si një pasqyrë që na njeh më mirë se vetja. Në këtë rrugëtim të çuditshëm nga fjala te shifra, nga kujtesa te algoritmi, ka lindur një botë e re: bota ku njeriu është njëkohësisht edhe burim, edhe objekt i dijes.
Në këtë dyzim, diçka po humb ama. Vetë njeriu. Ashtu si në ndonjë roman ku personazhi humb emrin, fytyrën, kujtesën, sot njeriu humbet të dhënat e veta, dhe bashkë me to, një pjesë të shpirtit të tij. Pasi në to ndodhet gjithçka: ritmi i frymëmarrjes, zakonet, shijet, dashuritë e fshehta, mëdyshjet, frikërat dhe vetmia. Në çdo dritë ekrani, në çdo klikim, në çdo fjali, në çdo gjurmë të vogël digjitale, ndodhet diçka njerëzore: një copëz e jetës, e mendimit, e ndjenjës sonë. Çdo kërkim është si një rrëfim i pavullnetshëm, një “like” është një fjalë e vogël që del nga thellësia e nënvetëdijes. Dhe të gjitha bashkë përbëjnë një dorëshkrim të madh e të padukshëm, që nuk i përket më autorit të vet.
Në këtë dorëshkrim hyjnë pa leje kompani, qeveri, makina që mësojnë nga ne pa na pyetur, dhe dinjiteti njerëzor, mburoja e shpirtit, rrëshqet ngadalë në duart e sistemeve që nuk kanë ndjenja.
Kur këto të dhëna përdoren pa pëlqim, pa njohje, pa shpërblim, njeriu humbet një pjesë të pronësisë mbi vetveten. Një pjesë e tij, zakonet, emocionet, frikërat, shndërrohet në mall, në lëndë të parë për një treg që nuk njeh më kufij as ndërgjegje. Dhe për ironi, kjo ndodh me dakordimin tonë të heshtur, si në ato “accept all” që klikojmë pa i lexuar, duke ia dorëzuar veten pa merak.
Por historia njerëzore, megjithëse e mugët, na ka mësuar se çdo dorëzim kërkon një kufi, çdo pushtet një kundërpeshë. Prandaj lind nevoja për një nocion të ri moral, që ta rikthejë njeriun në qendër të teknologjisë dhe teknologjinë në shërbim të njeriut: Dinjiteti i të Dhënave, ai kujtesar i ri i ndërgjegjes, që kujton se pas çdo biti, si një fije e hollë mëndafshi ose drite, ndez një rrymë e lehtë njerëzore.
Dinjiteti i të dhëave është një ide e re, ende e brishtë, por e fuqishme. Një nocion që kërkon që të dhënat të mos bëhen mall, sepse ato nuk janë pronë e askujt tjetër përveç atij që i ka gjeneruar. Dhe nëse ato përdoren, duhet të ketë pëlqim, shpërblim dhe njohje. Ashtu si çdo autor që meriton të njihet për veprën e vet, çdo qytetar duhet të njihet për “veprën” e vet digjitale. Ai nuk pyet vetëm kush zotëron të dhënat, apo kush përfiton prej tyre, por ngre një pyetje më të thellë: çfarë vlere morale mbart shenja që njeriu lë pas vetes në botën dixhitale?
Në thelb, kjo ide thotë se të dhënat nuk janë mbetje elektronike të jetës sonë, por vazhdim i identitetit njerëzor, ngaqë lindin nga jeta jonë reale, nga mendimet dhe ndjenjat tona, nga fryma që shndërrohet në shifra. Prandaj, t’i trajtosh ato pa dinjitet është njësoj si të përçmosh vetë njeriun që i ka krijuar.
Kështu, dinjteti i të dhënave është më tepër se një nocion filozofik, është një kujtesë etike për ato copëzat njerëzore që kërkojnë të njihen, të respektohen, e të mos përdoren si mjete fitimi.
Të njohësh dinjitetin e të dhënave do të thotë të pranosh se pas çdo sistemi, çdo algoritmi e çdo numri binar që endet në botën digjitale, qëndron dikush me historinë, zgjedhjet dhe cenueshmërinë e vet. Njeriut digjital, ashtu si atij fizik, i takojnë të drejtat e tij të patjetërsueshme: e drejta për të ditur kur dhe si përdoren të dhënat e tij, e drejta për të kontrolluar identitetin e vet digjital, për të ruajtur privatësinë dhe sigurinë në hapësirat online, si dhe për të përfituar ndershmërisht nga vlera që krijon me praninë e tij në këtë univers të padukshëm. Ai gëzon të drejtën që origjina njerëzore e çdo informacioni të mos humbasë kurrë në mjegullën e sistemeve, që hyrja në botën digjitale të jetë e barabartë dhe përfshirëse dhe që sjellja brenda këtyre hapësirave të udhëhiqet nga respekti dhe përgjegjshmëria. Pa këto të drejta, njeriu rrezikon të kthehet në një hije të fundosur në arkivat e një diktature digjitale, i kataloguar, i përshkruar, i ndarë në kategori dhe i analizuar deri në imtësi, por kurrë i dëgjuar.
Ka nga ata që i shohin këto të drejta si pengesë për inovacionin. Por në të vërtetë, është e kundërta: vetëm përmes respektit teknologjia mund të jetë e qëndrueshme. Ashtu si çdo shpikje e madhe, ajo kërkon kornizë morale për të mos u kthyer në armë kundër krijuesit të vet. Megjithatë, ky pohim tingëllon pothuajse si një herezi në kohën tonë. Sepse bota e teknologjisë, ashtu si një perandori që kërkon të zgjerojë kufijtë e saj, nuk duron kufij morali. Për të, njeriu është lëndë e parë. Ashtu si në minierat e kahershme nxirrej ari, sot nxirren të dhëna, me shpejtësi, në heshtje, dhe pa shpërblim. Dhe ndërsa ari dikur pasuronte mbretërit, sot të dhënat pasurojnë algoritmet.
Njeriu i sotëm pranon të mos ketë më sekrete. Ai e dorëzon vetveten, me lehtësi, për pak rehati, për një shërbim falas. Në fakt, ky është çasti kur dinjiteti i tij bëhet tamam mall, jo vetëm prej algoritmit, por edhe kur pandjeshmërisht ai pranon të jetojë brenda një pasqyre ku diçka tjetër shikon gjithçka: mendimet e tij, lëvizjet, dëshirat dhe nuk ndjen turp për këtë.
Përkundër njeritu të sotëm, dinjiteti i të dhënave kërkon një njeri të ri moral, që e njeh fuqinë e informacionit si njerëzit dikur njohën fuqinë e fjalës. Ky njeri i ri nuk e sheh privatësinë si pamundësi, por si të drejtë themelore. Ai nuk trembet nga inteligjenca artificiale, sepse e di se ajo është e ushqyer në mënyrën e duhur. Ai nuk fsheh, por përcakton kufij, nuk ndalon zhvillimin, por e orienton atë ku duhet. Dhe në këtë mënyrë, ndoshta, epoka e të dhënave mund të bëhet një epokë e dinjitetit të zgjeruar, ku njeriu e shtrin veten përtej trupit, por pa humbur shpirtin.
Nëse dikur njeriu mbronte trupin e tij nga robëria fizike, sot ai duhet të mbrojë vetveten e tij të padukshme: të dhënat. Kur japim pëlqimin tonë me vetëdije, kur kërkojmë transparencë, kur kërkojmë që puna jonë digjitale të njihet e të shpërblehet, nuk po vendosim pengesa për teknologjinë. Dinjiteti i të dhënave nuk është pengesë e progresit, por korniza morale e një përparimi të drejtë. Një përpjekje për të vendosur kufij që thonë: “Po, jemi të hapur, por jo të zhveshur. Po, ndajmë, por me vetëdije.” Kërkon që teknologjia të mos jetë një fuqi që e vjedh, por një mjet që e nderon burimin e vet: njeriun. Sepse vetëm një teknologji që njeh burimin e vet, vetëm një sistem që e trajton të dhënën me respekt mund të jetë etik.
Njeriu i ri e mbron veten me vetëdije, duke njohur dinjitetin e tij dhe rëndësinë e të dhënave që e pasqyrojnë. Në hapësirën digjitale, mbrojtja nis me përgjegjshmëri dhe rregulla të qarta, që japin mundësinë të ecësh me qetësi dhe respekt, në një botë ku liria dhe informacioni bashkëjetojnë.
