Vendimmarrja kolegjiale është një praktikë e lashtë, e lindur ndoshta në të njëjtin moment kur njerëzit u detyruan të uleshin rreth një zjarri dhe të vendosnin së bashku për fatin e përbashkët nën kërcitjen e shkarpave. Ajo ngjan me një portë të rëndë guri që s’mund ta hapë dot një njeri i vetëm, duhen disa duar, të vendosura në mënyra të ndryshme, që porta të lëvizë. Pa to, ajo nuk lëviz. Ashtu si porta që kërkon shumë duar, edhe procesi i kolegjialitetit kërkon shumë zëra për të marrë jetë.
Kolegjialiteti është diskutimi i hapur, përplasja e mendimeve, integrimi i tyre në një rezultat të balancuar dhe në vendimin që nuk është i askujt në veçanti, por i të gjithëve në mënyrë të përbashkët, dhe përfshin disa kërkesa të padiskutueshme.
Së pari, pjesëmarrjen e vërtetë: jo thjesht praninë në sallë, por edhe zërin, mendimin, kundërshtimin dhe analizën e qetë të rreziqeve dhe pasojave. Së dyti, kërkon transparencë, një lloj qelqi bilur i pastër përmes të cilit mund të shihet rrjedha e arsyetimit. Çdo argument duhet të ketë dritën e vet, çdo vendim duhet të jetë i justifikueshëm. Së treti, vendimmarrja kolegjiale nuk e njeh arbitraritetin: ajo kërkon konsensus kur është e mundur dhe shumicë të arsyeshme kur është e nevojshme.
Por kolegjialiteti nuk është vetëm procedurë, është kulturë mbi të gjitha. Është një mënyrë për të frymuar brenda një organizate frymën e dialogut dhe respektit. Një vendim i marrë kolegjialisht është produkt i një strukture, jo i një shkëndije të vetmuar dhe prandaj është edhe më i dobishëm dhe më i vlefshëm, sepse nuk varet nga paragjykimet, interesat apo gabimet e një të vetmi. Vendimmarrja kolegjiale është mburojë kundër abuzimit që mund të vij nga një ego e vetme. Ajo krijon struktura që i mbijetojnë luhatjeve të njerëzve, klimave politike apo kleçkave të rastësisë. Ajo të kujton një të vërtetë të lashtë: se forca nuk qëndron te një zë i vetëm, por te kori i zërave që debatojnë, pajtohen dhe vendosin së bashku.
Vlera e kësaj forme vendimmarrjeje është shumëplanëshe dhe e shumëfishtë. Në organizata, ajo rrit cilësinë e vendimeve, sepse përmbledh dijet dhe këndvështrimet e ndryshme të pjesëmarrësve. Vendime të tilla janë më të rezistueshme ndaj gabimeve, abuzimit dhe presioneve, pasi kanë ardhur të imëta prej sitës së kritikës dhe analizës së brendshme.
Në planin shoqëror, kolegjialiteti prodhon besim: një komunitet e gjen më lehtë veten te një vendim të marrë nga shumë sesa te një verdikt i shpallur nga një dhe asnjë tjetër. Në ekonomi dhe në sektorin privat, ai krijon hapësirë ku idetë përplasen, testohen dhe më pas kthehen në zgjidhje me ndikim real. Ndërsa në institucionet publike, kolegjialiteti është i domosdoshëm për transparencën, llogaridhënien dhe funksionimin demokratik.
Pavarësisht sa u tha, këtu te ne, bashkëvendosja nuk është pjesë e ndërgjegjes kolektive dhe konsensusi vdes pa lindur. Kjo nuk është një vdekje tragjike si ajo e heronjve, por një zhdukje pa zhurmë, një avullim i ngadaltë e i përhershëm nën diellin e një autokracie të përdheshme.
I kemi fjalët “këshill”, “shoqatë”, “parti”, “bord” si zbukurime të një statuti që nuk ka as jetë, as shpirt, as qëllim tjetër veçse të fshehë një të vërtetë të hidhur: mungesën e mendimit të përbashkët dhe absolutizmin e një të vetmi. Sepse vendimmarrja kolegjiale nuk ka zënë kurrë rrënjë. Jo për shkak të mungesës së ligjeve apo rregulloreve, këto ekzistojnë me shumice, të shkruara bukur në dokumente zyrtare që askush nuk i këndon.
Problemi është metafizik, domethënë nuk është thjesht praktik, teknik apo ligjor. Ai përshkon thellësitë e ndërgjegjes kolektive, në mënyrën si mendojmë dhe ndiejmë si shoqëri. Dhe kjo strukturë e brendshme e mendësisë, e krijuar ndër shekuj, lidhet me mënyrën se si e përfytyrojmë pushtetin: jo si një funksion shoqëror, por si një gjësend, si një objekt tërësisht personal, që merret çdo herë me force a me hile dhe që mbahet prore me xhelozi.
Prandaj, kur flitet për “këshilla”, “forume” apo “konsensus”, vetë thelbi i ekzistencë së tyre, kolegjialiteti, mungon, për t’i lënë vendin një rrethimi dekorativ rreth autoritetit të një të vetmi.
Edhe shoqatat e çdo lloji, që për nga natyra e tyre duhet të funksiononin ndryshe, madje deri tek ato të avokatëve, kontabilistëve dhe të profesionistëve të tjerë, kthehen në mbretëri me një fron të vetëm. Njësoj dhe partitë politike, nuk janë të ndërtuara mbi debat dhe kompromis. Bordet e institucioneve publike? Shpesh janë kukulla të shurdhuara që lëvizin vetëm kur lëviz gishti i një njeriu të vetëm. Nëse ndonjë organ tjetër kolegjial është vendi ku pikëpamjet ndeshen, ku qëllimi i përbashkët duhet të gjej rrugën përmes dallimeve individuale, tek ne, ai është një formalitet i nevojshëm për të marrë një vendim që është marrë tashmë.
Kjo mënyrë funksionimi nuk është vetëm simptomë e një kulture politike apo ligjore të pazhvilluar. Ajo është një trashëgimi e zgjatur më shumë se ç’duhet, një relike e një kohe kur frika ishte e vetmja bindje dhe urdhri zëvendësonte çdo mendim. Nga feudalizmi otoman te e sotmja, nga drejtori i një ndërmarrjeje shtetërore tek themeluesi i një OJF-je për mbrojtjen e bletëve, pothuajse të gjithë e konceptojnë autoritetin si një vazhdimësi të vullnetit vetjak, një pasqyrë ku pasqyrohet vetëm fytyra e tyre, kurrë ajo e kolektivit.
I vetmi kolegjialitet që njihet është kolegjialiteti i heshtjes. Heshtje që sjell ndonjë shpërblim, heshtje që shmang përplasjen, heshtje që ruan iluzionin e funksionimit. Të gjithë janë të pranishëm në tryezë, por askush nuk flet, ose të gjithë flasin, por kuptohet, pa ndikim.
Është një vinil që që rrotullohet pa fund, një rrotullim që ka për qëllim jo ndarjen e pushtetit, por përjetësimin e tij në duart e njëshit. Kjo është edhe arsyeja pse çdo iniciativë që synon të ndërtojë një platformë të hapur dhe demokratike përfundon ose e kapur, ose e shpërbërë. Kjo është edhe arsye pse mungon për kaq kohë një forcë e re politike përnjëmend demokratike. Pasi në këtë vend, për çudi, më e vështirë se të ngresh një institucion, një organizatë, është ta ndash atë nga kryetari, titullari, pronari, ose ndryshe, uzurpuesit.
Një dorë e vetme tundet mbi gjithçka, ndërsa koha rrëshqet ngadalë mbi boshllëkun ku duhej të lindte dialogu. Dhe në këtë boshllëk, nuk mund të thuhet nëse shmangia e dialogut është drojë, konformizëm, mungesë imagjinate apo thjesht një rrjedhë e pashpjegueshme e së mundshmes që nuk ndodh.
