INFRASTRUKTURA MORALE E INTEGRIMIT

­Ka diçka vërtetë interesante në mënyrën se si shoqëritë e vogla përpiqen të hyjnë në Bashkimin Europian. Jo përmes një kalimi organik, as nëpërmjet një evolucioni moral, por përmes një procesi të ngutshëm, si dikush që, përpara një darke mondane, mbërthen smokingun pa veshur këmishën. Kështu duket edhe rasti ynë, miratojmë ligje që nuk absorbohen, ligje që rrinë në letër, por nuk rrinë në mendje, as në zakone, e as në ndërgjegje.

Çdo vend mund të ketë ligjet e veta, por jo të gjithë zotërojnë kulturën që u jep kuptim dhe forcë atyre. Pa një moral të brendshëm, një strukturë vlerash, pritshmërish dhe normash që i bëjnë ligjet të funksionojë në praktikë, ato mbeten tekste dhe aq. Ndërkohë, duam të hyjmë në Europë, por Bashkimi Europian është më shumë se një projekt politik dhe më shumë se një listë detyrash formale. Është edhe një mënyrë për t’u marrë vesh me të afërt dhe të panjohur, një kornizë më e gjerë normash dhe pritshmërish që nxit bashkëpunimin përtej rrethit personal, duke krijuar kushtet që edhe marrëdhëniet më të ftohta ndërnjerëzore të mbështeten te parashikueshmëria dhe paanshmëria e rregullit.

Shqipëria sot përpiqet të kuptojë këtë ndryshim të padukshëm, që ligjet nuk mjaftojnë pa zakonet dhe praktikat që i mbajnë ato gjallë dhe funksionale në realitetin e përditshëm, dhe që për të qenë pjesë e projektit europian, duhet jo vetëm të reformojë institucionet, por të riprogramojë softuerin moral të shoqërisë: nga “kujdesi për tanët” drejt “kujdesit për të përbashkëtën”.

Në dy dekadat e fundit vendi ka arritur një përputhje të admirueshme me acquis communautaire të Bashkimit Europian. Megjithatë, problemi nuk qëndron te ajo që shteti miraton, por te ajo që shoqëria beson. Besimi, si ai horizontal (mes qytetarëve) ashtu edhe ai vertikal (mes qytetarëve dhe institucioneve), mbetet i ngushtë dhe me nivel të ulët. Në sferën e kulturës institucionale dhe besimit shoqëror, vendi është shumë më pas në krahasim me ritmin e miratimit të ligjeve. Sepse jemi një shoqëri me besim të ulët të përgjithësuar, ku bashkëpunimi dhe mundësitë nuk burojnë nga institucionet, por nga lidhjet familjare e miqësore dhe ku ligjet nuk përfytyrohen si garanci të drejtësisë, por si pengesa që duhen anashkaluar.

Ky realitet krijon një paradoks në zemër të aspiratës europiane shqiptare. Edhe kur adopton ligje në përputhje me standardet e BE-së, infrastruktura e padukshme që i bën ato funksionale: besimi shoqëror, mbetet e pazhvilluar. Europa nuk është thjesht një sistem rregullash, por edhe si një ombrellë pritshmërish të ndërsjella, që nënkupton një bazë morale të ndershmërisë dhe përgjegjësisë, që institucionet të veprojnë në mënyrë të parashikueshme, që njerëzit të bashkëpunojnë përtej fisit e partisë. Në anën tjetër, pa këtë shtrat moral, harmonizimi ligjor mbetet një praktikë formale, një veprim i përsëritur që nuk arrin të prodhojë ndikimin e tij të plotë në jetën e përditshme.

Pikërisht në këtë pikë bëhet i dukshëm kapitali shoqëror: aftësia e grupeve të ndryshme për të bashkëpunuar mbi bazën e besimit dhe normave të përbashkëta, përtej detyrimeve të shkruara. Dhe çështja nuk është te mungesa e kapitalit social, por te natyra e tij. Në Shqipëri, ai mbetet kryesisht i tipit “lidhës” (bonding), i orientuar së brendshmi, brenda familjes, fisit, rretheve partiake e lokale, lidhje të cilat vazhdojnë të dominojnë imagjinatën morale të shoqërisë.

Këto forma solidariteti nuk janë të dëmshme në vetvete dhe në kohë trazirash apo përballë të papriturave ofrojnë siguri dhe qëndrueshmëri, por pikërisht sepse janë të mbyllura, ato kufizojnë ndërtimin e urave të bashkëpunimit me grupe të tjera dhe pengojnë krijimin e institucioneve të paanshme. Domethënë, besim ka, por kryesisht vetëm brenda rrethit të mbyllur, çka e bën shoqërinë elastike, por e pengon të prodhojë struktura të përbashkëta, funksionale dhe gjithëpërfshirëse.

Kurse projekti europian është ngritur mbi një tjetër formë kapitali social, atë ndërmjetësues, i cili privilegjon bashkëpunimin me të panjohur, besimin në paanshmërinë institucionale dhe përparësinë e rregullit mbi marrëdhëniet personale. Ky model nënkupton një kulturë shoqërore ku njerëzit operojnë në horizontin social përtej rrethit të ngushtë dhe ndërveprojnë në një hapësirë më të gjerë besimi, ku funksionimi mbështetet te efektiviteti i normave. Në këtë përvijim, siguria dhe stabiliteti rrjedh nga neutraliteti i rregullave, jo nga afërsia personale.

Sigurisht, Europa nuk paraqitet këtu si vendi i përsosur, por si një sistem institucional që prodhon më shumë besim të përgjithësuar sesa besim të kufizuar, duke e zhvendosur logjikën e bashkëpunimit nga lidhjet te funksionimi i njëtrajtshëm i rregullit.

Prapëseprapë, te ne, marrëdhëniet personale vazhdojnë si qëmoti, kanë më shumë peshë se rregullat formale dhe rrethi i njohjeve qëndron një mekanizëm i fortë për ndarjen e mundësive, qoftë në punësim, biznes apo administratë. Në njëfarë mënyre, kjo është një zgjidhje e pritshme praktike për një shtet që për shumë kohë ka qenë i dobët dhe i çakorduar, dhe që në mungesë të institucioneve të besueshme, njerëzit janë mbështetur te njohjet.

Pikërisht këtu qëndron edhe problemi. Është pengesë e madhe që kjo logjikë është bërë sistem prej kohësh. Puna nuk jepet për meritë, nuk jepet pa njohje, besnikëria ndaj individit zëvendëson respektin për rregullat, besimi i dobësuar në institucionet publike dobësohet ende dhe krijon në vazhdim po atë ndjenjë të njohur se rregullat vlejnë vetëm për ata që nuk kanë lidhje. Kështu, besimi që duhet të ngrihet vertikalisht, nga qytetari te shteti, mbetet poshtë, i ulët, ashtu siç mbetet i cungët ai horizontal.

Në politikë, solidariteti i mbyllur në besnikëri partiake mbizotëron mbi interesin publik. Pjesëmarrja nuk mungon, por rrallë prodhon bashkëpunim. Partitë funksionojnë si rrjete besnikërish personale, ku mbështetësit lidhen emocionalisht me udhëheqësit dhe jo me idetë, duke polarizuar jetën publike dhe kufizuar bashkëpunimin përtej ndarjeve partiake.

Edhe në nivel lokal, lidhjet rajonale e krahinore ndikojnë në shpërndarjen e burimeve dhe krijimin e rrjeteve të ndikimit. Në ekonomi, aktorët mbështeten te marrëveshje të heshtura dhe rrethet e ngushta, duke shmangur konkurrencën e ndershme. Pas kësaj gjendet një mosbesim i përgjithshëm, që pengon funksionimin e tregjeve mbi parime të përbashkëta dhe kufizon potencialin shoqëror dhe institucional.

Ndërsa në administratën publike, kapitali lidhës shfaqet si një solidaritet i brendshëm midis punonjësve, një kod i heshtur lojaliteti horizontal që forcon lidhjet personale, por pengon transparencën dhe llogaridhënien. Në vend që burokracia të funksionojë si mekanizëm kontrolli dhe përgjegjshmërie, ajo vepron si një rrjet i mbrojtjes së njërit-tjetrit: punonjësit mbrojnë njëri-tjetrin, reformat ngadalësohen dhe kultura që formohet brenda organizatës është më shumë e mbyllur sesa e aftë të mësojë dhe të përmirësohet.

Kjo formë kapitali social ka prirjen të bllokohet brenda vetes dhe, pikërisht për këtë arsye, t’i shërbejë ruajtjes së status quo-së. Besimi i kredhur brenda rretheve të ngushta apo përkatësive të veçanta krijon një lloj stabiliteti, por vetëm për ata brenda rrethit. Për shoqërinë në tërësi, ai sjell një rend të ngurtë, ku ekonomia bëhet e parashikueshme, por jo e drejtë. Mund të duket funksionale, por s’mund të jetë aq dinamike sa të prodhojë zhvillim të qëndrueshëm. Është një gjendje e turbullt ku siguria mbështetet te individi dhe jo te institucioni, pra rregulli nuk buron nga sistemi, por nga marrëdhënia që ke arritur të sigurosh dhe fshetësia është e turbullt.

Megjithatë, rasti nuk është të shkatërrojmë këtë formë të kapitalit shoqëror, por ta zgjerojmë atë, duke e orientuar drejt një qytetarie që jeton me të njëjtat rregulla dhe standarde europiane, dhe ndoshta kështu, besimi shoqëror mund të evoluojë nga mekanizëm mbijetese në themel të një shteti funksional.

Në këtë mënyrë, kapitali lidhës nuk shuhet, por shndërrohet në energji ndërmjetësuese që ndërton ura bashkëpunimi përtej rretheve të ngushta dhe e shtyn shoqërinë përpara. Asnjëherë suksesi i vendit nuk do të matet me nivelin e solidaritetit të saj të mbyllur, me papërshkueshmërinë e kapitalit lidhës, përkundrazi, do të matet me aftësinë për ta kthyer atë solidaritet në sistem, në drejtësi dhe në një kulturë të rregullit që i shërben të gjithëve në mënyrë të barabartë.

Këtu qëndron paradoksi i rrugës sonë drejt Europës, për t’u bërë pjesë e saj, duhet të sillemi sikur tashmë jemi pjesë e saj. Vlerat e BE-së, transparenca, përgjegjësia dhe besimi qytetar, duhet të rrënjosen më parë, që farat e anëtarësimit të mos mbijnë vetëm në sipërfaqe, por në lartësinë e mënyrës se si duhet të jetojmë dhe qeverisemi.

Megjithatë, kushtet që mund ta mundësojnë këtë transformim janë pikërisht ato mungojnë në nivelet e duhura. Kapitali i ulët shoqëror e bën të vështirë kaptimin me besim drejt një morali të përbashkët, në një shoqëri që rrallë ka parë ndershmërinë të shpërblehet apo pandëshkueshmërinë të ndëshkohet.

BE-ja e mat përparimin përmes kapitujve, treguesve dhe planeve të veprimit. Por nën këtë gjuhë burokratike fshihet një pyetje morale: a mund të mbështetet kjo shoqëri në tregje të hapura, gjykata të pavarura dhe qeverisje me meritë? Aty ku institucionet nuk arrijnë të fitojnë besim, qytetarët priren të distancohen, dhe aty ku qytetarët tërhiqen, krijohen boshllëqe që praktikat dyshimta i mbushin ethshëm.

Me kalimin e kohës, kjo marrëdhënie e dobët besimi prodhon një qark të mbyllur që rrotullohet midis mosbesimit të përgjithshëm dhe dobësimit institucional, që asnjëherë nuk shpërfaqet si fatkeqësi e menjëhershme, por gjithmonë si një ritëm i plogët që e mban vendin larg potencialit të vet.

Prandaj, avancimi të mos matet vetëm me ritmin e miratimit të ligjeve, por edhe me aftësinë për të ushqyer besimin social që nuk mbillet me vendim qeverie, por që mbin vetvetiu kur toka është gati. Është ai tip besimi që rritet si bari i gjelbër, që krejt papritur çan tokën e oborreve të ndara, duke u shtrirë njësoj, sa te i pari, sa te i dyti, derisa kufijtë e zakonshëm fillojnë e humbin dhe hapësira e përbashkët e gjelbër bëhet më e dukshme se ndarjet.

Ndoshta qeveria, administrata, shoqëria civile, sektori privat dhe mediat mund ta ushqejnë këtë rritje të ngadaltë duke kultivuar transparencë, llogaridhënie dhe forma bashkëpunimi që shkojnë përtej rretheve të mbyllura. Harmonizimi ligjor bart mundësinë të shndërrohet nga një ushtrim formal, në një udhëzues të besueshëm, për një rend të besueshëm, dhe ku ligji nuk është më një tekst i ftohtë, por një tokë e përbashkët mbi të cilën çelin të njëjtat shpresa.

Ndodhemi ende në një hapësirë të ndërmjetme, ku rrethet e ngushtuara sillen si rrënjë të fshehta që mbajnë të mbledhur tokën e stabilitetit, ndërsa ëndrrat për ndryshim përplasen si erë e lehtë mbi degët e tyre të holla, duke lënë pas një heshtje të çuditshme e të dendur, ku e mundura dhe e pamundura rrinë pranë si dy hije të së njëjtës pemë, që s’e tradhtojnë dot njëra-tjetrën.

Por pikërisht në këtë hapësirë që ende nuk është as e vjetër e as e re, qëndron mundësia jonë e madhe: të kapim ritmin mes normave europiane që miratojmë dhe kulturës së besimit që duhet t’i shoqërojë.

Postime të fundit