Raportimi i shkeljeve është një nga shtyllat e shoqërive moderne. Është ajo dorë e padukshme që i jep fuqi ligjit dhe rregullave, si graviteti që i mban gjerat në vend pa u dukur kurrë. Megjithatë, në Shqipëri, kjo dorë rrallë ngrihet. Në vend të lëvizjes, shikohet apatia, në vend të aktit qytetar, shpërfaqet indiferentizmi i ngjyer në ngjyrat e mentalitetit lokal.
Kurse në shoqëritë perëndimore, raportimi i shkeljeve është pjesë e natyrshme e jetës qytetare. Qytetari që sheh një parregullsi nuk mendohet dy herë: ai e kupton paralajmërimin e shkelësit ose njoftimin tek autoritetet si detyrim dhe si ndihmë për rregullin, për rendin publik. Edhe në rastet më të vogla, dikush që nuk paguan biletën e autobusit apo që parkon në mënyrë të gabuar, qytetari ndjen se duhet të reagojë, sepse rregulli fillon pikërisht te detajet. Një biletë e papaguar, në këto shoqëri, nuk është thjesht një copëz letër, ajo është si guri i peshores që mat peshën e kulturës qytetare.
Kjo sjellje është shestuar për të ruajtur rendin, për të mbrojtur interesin publik dhe për të forcuar besimin tek institucionet. Sepse në vetëdijen perëndimore, rregulli nuk është një imponim i jashtëm, por një marrëveshje e nënkuptuar mes individit dhe shtetit. Për ta është e qartë, në momentin që qytetari reagon ndaj një shkeljeje, ai nuk po “spiunon” dikë, por po afirmon se ligji është një pasuri e përbashkët dhe raportimi i parregullsive një akt modest mbrojtjeje ndaj asaj strukture të padukshme që e mban shoqërinë mirëfunksionale, një kontribut i drejtpërdrejtë në të mirën e përbashkët.
Gjithashtu, akti i reagimit ndaj një shkeljeje krijon një zinxhir besimi: qytetari beson se institucionet do të veprojnë, institucionet besojnë se qytetari është partner në ruajtjen e rendit, dhe kështu krijohet një rreth virtuoz ku përgjegjësia shpërndahet, nuk shmanget. Ndërsa, ndershmëria individuale bëhet pjesë e arkitekturës së sigurisë kolektive, jo si moralizim, por si mekanizëm praktik për të parandaluar rrëshqitjen e normave. Situatën e kanë të qartë: nëse një shkelje e vogël tolerohet, atëherë mesazhi që transmetohet është se rregulli është relativ, por kur edhe detajet e vogla merren seriozisht, atëherë qytetari kupton se jeton në një sistem ku ligji mbështet barazinë, parashikueshmërinë dhe mbrojtjen e të gjithëve. Duket tamam si një mënyrë për të ripërtërirë çdo ditë kontratën sociale, përmes gjesteve të thjeshta që, në dukje të papërfillshme, mbajnë të fortë themelet e shtetit dhe raportin e shëndetshëm mes qytetarit dhe autoritetit.
Por në Shqipëri ky mekanizëm është thuajse inekzistent. Për shumicën, raportimi nuk është pjesë e refleksit shoqëror, nuk është “gjë e zakonshme”, përkundrazi, ai përjetohet si diçka e huaj, e panevojshme, madje edhe e rrezikshme.
Në bërthamë të këtij fenomeni qëndron një kulturë e trashëguar ku raportimi nuk shihet si përgjegjësi qytetare, por si shkelje e rregullit të heshtjes. Ai që flet perceptohet si njeri që ka shkelur besimin e grupit, qoftë të familjes, të fisit apo të lagjes. Heshtja, në këtë rast, nuk është thjesht zgjedhje pragmatike, por refleks i rrënjosur mirë e mirë, një mur i padukshëm që shoqëria e ka ngritur përreth vetes dhe nuk ka ndërmend ta rrëzojë, e përdor për t’u mbajtur kur ecën si e kalamendur.
Për të kuptuar këtë fenomen, duhet të kthehemi pas, te vitet e komunizmit, ku raportimi nuk ishte gjest qytetar, por mjet frike. Atëbotë, fjala e një njeriu për tjetrin nuk hapte rrugën drejt drejtësisë, por drejt ndëshkimit arbitrar dhe të padrejtë. Për arsye nga më të voglat: një libër i ndaluar, një fjalë e lëshuar pa kujdes, madje edhe një gjest i thjeshtë pakënaqësie, ktheheshin në akt-akuza. Çdo raportim ishte një thikë e ngjeshur fshehurazi pas shpinës së tjetrit.
Madje, në shumë raste, njerëzit nuk raportonin sepse donin, por sepse njëfarë mënyre ndiheshin të detyruar ta bënin, që të mos binin vetë në sy, që të mos dukeshin “të dyshimtë” para autoriteteve. Heshtja, mospërfshirja, mosraportimi mund të interpretoheshin si lojë e dyfishtë, si mungesë besnikërie ndaj pushtetit. Nuk është e vështirë të përfytyrohet se si kjo gjendje i shtyu individët të marrin pjesë në një mekanizëm denoncimi që nuk e besonin, por nga i cili duhej të ruanin veten. Sigurisht që kishte dhe nga ata që denonconin për të fituar kredit prej Partisë. Kishte dhe nga ata të tjerët, e të tjerë, e të tjerë.
Pavarësisht arsyeve nga pas, raportimi u shndërrua dhe u përdor siç donte pushteti i kohës: si një instrument presioni, një sjellje e imponuar, e largët nga çdo koncept i ndërgjegjes qytetare siç njihet sot.
Kështu, koncepti i raportimit u korruptua vendçe në vetëdijen kolektive. Ai u identifikua me spiunimin, u ngjyros me ngjyrat e tradhtisë dhe mbeti në kujtesën kolektive si një akt i ulët, i fëlliqur, i ndragur, si shërbim ndaj një pushteti represiv, dhe aspak ndaj rendit qytetar.
Kur regjimi u rrëzua, kjo ngjyrë nuk iu hoq. Ajo mbeti si njolla që nuk del nga pëlhura, pavarësisht sa herë lahet, dhe sot, pikërisht për këtë arsye, fjala “raportim” zgjon idenë e fjalës tjetër: “spiunim”.
Pas komunizmit, mosbesimi tek autoritetet, mori një tjetër hov spektakolar. Në vend që raportimi të bëhej një urë mes qytetarit dhe shtetit, qytetarët mësuan se zëri i tyre i mefshët nuk dëgjohet, se çdo përpjekje për të referuar shkeljet është si një gur i hedhur në një pus të thellë, një ‘pllup’ dhe aq ishte për të. Njerëzit nuk raportojnë, sepse janë të bindur se askush nuk do të veprojë. Ajo që në shoqëritë e konsoliduara shërben si mekanizëm i shëndetshëm kontrolli dhe bashkëpunimi, tek ne është degjeneruar në një spirale apatie dhe dyshimi.
Bile, edhe kur ndodh, raportimi nuk vjen nga ndjenja e përgjegjësisë qytetare, por nga motive të ngushta: hakmarrja, rivaliteti, dëshira për të dëmtuar ndonjë të perceptuar si kundërshtar. Rrjedhimisht, në vend që të jetë mjet drejtësie, përdoret sipas qejfit si armë, kthehet në një shigjetë që shkon drejt kundërshtarit dhe jo drejt problemit.
Ky devijim i dyfishtë, raportimi si hakmarrje dhe raportimi si spiunim, ka bërë që koncepti të humbasë qartësinë. Raportimi i ndershëm, kur ndodh, futet në të njëjtën thes me raportimin e prapaskenës. Gjindja e sheh gjithnjë me dyshim: “Kush fshihet pas kësaj? Çfarë interesi ka?” Dhe kështu, edhe kur zëri është i sinqertë, tingëllon i dyshimtë.
Në organizatat private, raportimi nuk shihet si instrument i etikës, por si shkelje e solidaritetit mes kolegëve. Ai që raporton, nuk mbron kompaninë, por është i pabesë, si fuks, ka thyer kodin e heshtjes.
Në kontrast gjakatar për syrin, në vendet perëndimore raportimi shihet si pjesë e zakonshme e jetës në komunitet. Një qytetar që njofton një institucion për një shkelje nuk shihet si i pabesë, por si bashkëndërtues i rendit. Sot, këto shoqëri kanë krijuar një regjim qytetar të lakmueshëm. Por për ne, rendi nuk është ndërtim i përbashkët, por barrë e shtetit, ku qytetari mjafton të rrijë larg, të mos i futë hundët.
Ky dallim nuk është i vogël, është si ndryshimi mes një shtëpie ku secili fik zjarrin që ka afër, dhe një shtëpie ku secili bën sikur nuk sheh, duke pritur që dikush tjetër ta shuajë atë.
