Në ekonomitë e zhvilluara, rritja e një biznesi pritet të lidhet me inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e shërbimeve. Ky është modeli që mendimi ekonomik e ka shpallur si bazën e zhvillimit të qëndrueshëm. Por shpesh, në vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme, ndodh një fenomen tjetër: disa biznese nuk e zgjerojnë pasurinë e tyre përmes konkurrencës së ndershme apo risive teknologjike, por përmes lidhjeve të privilegjuara me pushtetin politik. Në vend që të rrisin prodhimtarinë, ata rrisin pronat, dhe në vend që të nxisin inovacionin, ata nxisin marrëdhëniet klienteliste. Ky proces, i njohur në literaturën ekonomike si rent-seeking, krijon një ekonomi të dyfishtë: në njërën anë, ata që përpiqen të shpikin dhe të konkurrojnë, në anën tjetër, ata që marrin përparësi falë privilegjit.
Historikisht tregu ka qenë gjithmonë një skenë ku njeriu ka provuar të masë fuqinë e tij, jo vetëm përmes krijimit, por edhe përmes rrugëve të fshehta të pushtetit. Aty ku njëri ndërton me djersë e shpikje, tjetri ngre pallate madhështore nga lidhjet e padukshme me oborret politike.
Por çështja është se, bizneset që gjejnë rrugë të privilegjuara nuk kërkojnë të shpikin motorin e ri, as të ndërtojnë ura më të qëndrueshme. Ato nuk përpiqen të jenë më të shpejtë, më të mençur, më të guximshëm. Përkundrazi, e gjithë energjia e tyre përqendrohet në korridoret e pushtetit, te telefonatat e natës, te premtimet që jepen në zyra të praruara, aty ku kontratat më të mëdha nuk janë produkt i dinamikës konkurruese, por i miratimit të heshtur të zyrtarëve të lartë. Ky është arti i zgjerimit pa krijim, arti i pasurisë që rritet si veshtulla, jo si pema që jep fruta, jo si vlerë e re e shtuar, por rritet duke i grumbulluar pasuritë dhe mundësitë ekzistuese rreth vetes.
Këto biznese shiten si motorë të ekonomisë, me slogane befasuese, blejnë toka, fabrika, rrjete tregtare. Shkëlqejnë me fasada xhami, me logo të mëdha dhe me reklama që i shohin të gjithë. Prapëseprapë, në thelb, ky shkëlqim mbështetet mbi privilegjin politik, në vend që të mbështetet mbi konkurrencën e drejtë, risinë e metodave të punës dhe zhvillimin natyral.
Këtu qëndron tragjedia e padukshme e një vendi që përballet me një zezonë të tillë. Sepse kur pasuria rritet pa u lidhur me produktivitetin dhe inovacionin, ekonomia humb frymën e vet. Nuk mbin shpikësi i ri, nuk hapet firma që punëson profesionistët, nuk përmirësohet teknologjia. Shkretëtira e konkurrencës mbulohet nga një lulëzim artificial, që nuk ushqehet nga uji i dijes, por nga burimet e privilegjit. Dhe në këtë shkretëtirë, bizneset e vërteta, ato që përpiqen të krijojnë, mbeten si udhëtarë të harruar të shkretëtirës që nuk gjejnë dot puse për të pirë ujë dhe për të mos përqafuar rërën.
Në këtë lojë, pushteti nuk është thjesht një partner i biznesit, ai shndërrohet në vegël të tij, kundër interesit të përgjithshëm. Një vendim i padrejtë administrativ bëhet më i rëndësishëm se një projekt publik me kosto të arsyeshme, një licencë e dhënë nën rrogoz, mbizotëron mbi metodat më efektive. Dhe kështu, qytetërimi ecën mbrapsht, duke vënë çmim më të lartë mbi lidhjen politike sesa mbi zhvillimin e qëndrueshëm.
Në një mënyrë të heshtur, pllakosja e rentës është edhe një dramë morale. Sepse aty ku pasuria buron nga privilegji, jo nga puna, deformohet edhe kuptimi i meritës, hollohet edhe besimi social. Brezat rriten duke menduar se suksesi nuk lidhet me idetë apo aftësinë, por me njohjet, me servilizmin, me favorizimet e fshehta dhe, ndoshta, kjo humbje është më e rrezikshme se çdo humbje ekonomike, sepse prek shpirtin e një shoqërie.
Kjo gjendje ka një emër të vjetër: rentë, por fjala nuk e mbart dot gjithë peshën dramatike të fenomenit. Sepse në të vërtetë, nuk është puna vetëm te përqendrimi i pasurisë pa meritë, tek disa në dëm të gjithë të tjerëve, është një teatër i tërë, ku loja kryesore është iluzioni. Biznesi i privilegjuar i ngjan një aktori që merr duartrokitje jo për shkak të rolit të tij, por ngaqë ka miq në lozhën mbretërore. Ai del para publikut me siguri të plotë, sepse e di se skena është blerë paraprakisht, se kritikët janë të pagojë, se biletat janë shpërndarë sipas qejfit.
Zakonisht, publiku, shoqëria, jeton prore me këtë farsë pa ndonjë çmeritje të madhe. Sepse perceptimi kolektiv mbi atë çka është e drejtë, mbi atë çka është zhvillim i vërtetë, është i shfytyruar. Shikon një rritje iluzore, një lulëzim ekonomik të sipërfaqshëm, pa e kuptuar se rrënjët e pemës ekonomike mungojnë. Dhe një ditë, kur trungu i tharë të bie, me shumë mundësi do të habitet që nuk kishte arritur të hidratohej.
Por historia ka treguar se kjo lloj rritjeje është gjithmonë e përkohshme. Në kujtesën e saj të gjatë, ajo mban me qindra shembuj perandorish tregtare që u ngritën jo mbi inovacion, por mbi privilegjin. Ata ndërtuan rrjete tregtie falë lidhjeve me oborret mbretërore, morën monopole mbi kripën, drithin, apo mallrat e rralla. Por sapo pushteti ndryshoi dorë, këto perandori u shembën, duke lënë pas vetëm rrënoja dhe kujtime korrupsioni.
Konflikti është arketipik: mes njeriut që krijon dhe njeriut që përvetëson. I pari është mjeshtri i vërtetë, që e di se rritja kërkon përpjekje, dështime, risitë e vogla që hapin udhën për të mëdhatë. I dyti është hije e pushtetit, që nuk hedh shtat si pemë që rritet drejt dritës, por si fungus parazitar që përthith ushqimin nga të tjerët.
Në letërsinë e vjetër, shpesh gjejmë metafora të ngjashme: heroi që fiton betejën me shpatë, dhe uzurpuesi që e merr fronin me intrigë. Ekonomia moderne nuk bën përjashtim. Heronjtë e saj të vërtetë janë ata që shpikin teknologji, që ndërtojnë sisteme të reja, që hapin tregje të paimagjinuara. Por pranë tyre, gjithmonë qëndrojnë uzurpatorët, sharlatanët, bizneset e privilegjuara, që nuk prodhojnë asgjë të re, veçse zgjerojnë pronat e tyre me anë të lidhjeve të errëta.
Është detyra e historisë që t’i gjykojë. Por ndërkohë, ky gjykim nuk është gjithmonë i shpejtë. Shpesh duhen vite të tëra derisa të kuptohet se pasuria e madhe ishte ndërtuar pa themele. Dhe gjatë kësaj kohe, dëmi është i madh: ide të humbura, talente të shpërfillura, breza të zhgënjyer.
Nëse rritja ekonomike nuk matet me shpikje dhe me inovacion, por me afërsinë me pushtetin, atëherë nuk kemi treg të lirë. Pyetja që mbetet pezull si fjollë elegante mbi filxhanin e kafesë është kjo: a mund të quhet zhvillim ajo që nuk prodhon vlerë, por vetëm rishpërndan privilegjin?
