Në çdo periudhë, njeriu ka ndjerë nevojën të rregullojë atë që krijon. Nga letra tek energjia bërthamore, nga makina e shtypit te rrjetet digjitale, çdo shpikje e madhe ka kërkuar një kufi moral, një vijë të hollë midis fuqisë dhe përgjegjësisë. Sot, kur flasim për fuqinë e inteligjencave sintetike, ajo vijë quhet Akti për Inteligjencën Artificiale i Bashkimit Europian.
Ky akt është më shumë se një tekst juridik dhe më shumë se dokument rregullator, ai është, qenësisht, një akt etike, një përpjekje për ta mbajtur njeriun në qendër të krijimit të vet. Kjo është etika e arsyes së fortë dhe të qëndrueshme, një mënyrë për të thënë se liria e inovacionit nuk është më e rëndësishme se dinjiteti i njeriut, një lloj drejtësie që nuk i trembet teknologjisë, dhe as nuk i përkulet asaj.
Akti i BE nuk shpall fitore dhe as nuk premton shpëtim. Tenton të vendosë rregull në një terren ku mbretëron turbullira, të vendosë përgjegjësi aty ku fillon anonimiteti dhe të ruajë në kujtesën e përgjithshme faktin e rëndësishëm se, përpara çdo algoritmi dhe pas çdo të dhëne, qëndron një njeri.
Në të, dinjiteti njerëzor është qendror. Përdorimet që shkelin dinjitetin njerëzor ndalohen. Parimi i respektit, i lirisë, i barazisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, të sanksionuara në Kartën e të Drejtave Themelore, shtrihen kështu edhe në hapësirën digjitale, së bashku me të drejtën për mos-diskriminim, mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë, duke e vendosur inteligjencën artificiale përtej kornizës teknologjike, duke e lidhur zhvillimin e saj drejtpërdrejt me respektimin e vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian.
Akti nuk lejon që inteligjenca artificiale të përdoret për manipulim të mendjes, vlerësim (klasifikim) social të qytetarëve apo njohje të fytyrës në kohë reale në hapësira publike. Sepse njeriu nuk është për t’u lexuar si kod, as për t’u kategorizuar si produkt, as të reduktohet në profil. Njeriu është më i madh se çdo e dhënë për të. Por, rreziku i epokës sonë qëndron pikërisht në tundimin për ta kuptuar njeriun vetëm përmes të dhënave të tij. Inteligjenca artificiale kërkon ta masë jetën njerëzore me probabilitete, kurse etika kërkon ta ruajë misterin e saj. Këto dy forca takohen sot në një pikë tensioni që BE përpiqet ta menaxhojë, jo ta zgjidhë, sepse zgjidhja duket sikur nuk ekziston. Kështu që Akti duhet kuptuar më shumë si një vijë kujtese, që thotë: “kujdes, këtu fillon ajo që s’mund të matet.”
Gjithashtu, na kujton edhe diçka që teknologjistët dhe investitorët shpesh e harrojnë: se makineritë nuk kanë as ndërgjegje, as brerje ndërgjegjeje, as ndjenjë faji. Në një botë ku algoritmet vendosin kush sheh çfarë, kush punësohet dhe kush përjashtohet, dinë çfarë do të lexosh, çfarë do të blesh, çfarë do të ndjesh, kufiri mes zgjedhjes dhe ndikimit zbehet deri në transparencë. Prandaj akti ndalon përdorimin e inteligjencës artificiale për të ndikuar nënvetëdijen njerëzore, për ta drejtuar atë në një drejtim të caktuar, për të ushqyer frikë, urrejtje apo bindje politike. Kjo nuk është një fitore e vogël morale, por domethënien e ka edhe më të madhe: ajo pohon se liria nuk fillon me zgjedhjen apo votën, por me mendimin, sepse në momentin që mendimi drejtohet në fshehtësi nga makineritë, shoqëria bëhet arenë e padukshme manipulimesh, si një errësirë me nuancë blu, ku mungon e vërteta.
I veshur me gjuhën e administratës moderne, akti kërkon që sistemet e inteligjencës artificiale të jenë të drejta dhe të çliruara nga paragjykimet, duke përcaktuar se si drejtësia, përgjegjësia dhe e vërteta duhet të pasqyrohen në botën digjitale. Në të njëjtën kohë, kërkon që çdo sistem të trajtojë të dhënat njerëzore me kujdes, saktësi dhe leje, sepse përdorimi i tyre pa pëlqim është si të hysh në shtëpinë e tjetrit pa trokitur.
Në frymën e tij, bëhet e qartë se një algoritëm që diskriminon në bazë të ngjyrës, gjinisë apo moshës nuk mund të shihet më si një mjet teknologjik, por si padrejtësi e koduar, ku paragjykimi maskohet si vendimmarrje automatike dhe, për pasojë, sfidon vetë parimet mbi të cilat ndërtohet rendi juridik europian.
Një tjetër ide e brendshme e aktit është se njeriu nuk duhet të zëvendësohet nga instrumenti që ka krijuar. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë, të llogarisë, të parashikojë, por jo të gjykojë, sepse gjykimi është akt moral, dhe morali, ende i takon njeriut. Teknologjia pa etikë është si pushteti pa moral: i verbër dhe shkatërrues, dhe BE, me gjithë burokracinë dhe ngadalësinë e vet, përpiqet të ruajë njeriun si qenie morale në një botë që po bie gjithnjë e më shumë mes zerove dhe njëshave, duke nënvizuar me të trashë se vetëm njeriu është burimi i vetëdijes etike, vetëm ai është i aftë të vendosë kufij, të kuptojë kontekstin, të japë gjykim moral dhe të ruajë vlerat që një algoritëm nuk mund t’i matë: dinjitetin, përgjegjësinë, empatinë.
Për më tepër, akti kërkon diçka tjetër, që asnjë ligj nuk mund ta garantojë vetë: kulturën e etikës. Ligji mund të ndalojë, por vetëm kultura mund të udhëheqë. Europa e di se për të mbrojtur dinjitetin njerëzor në epokën e inteligjencës artificiale, nuk mjaftojnë kontrollet, raportet dhe auditet. Duhet që vetë inxhinieri, programuesi, drejtuesi, të ketë ndërgjegje morale. Dhe ky ndërgjegjësim nuk vjen nga rregullorja, por nga edukimi, nga reflektimi, nga kujtesa e përbashkët se njeriu nuk është shifër, por qenie që ndien vuajtje dhe lumturi, dhe akti i shërben kësaj kujtese.
Por nuk ka nevojë ta idealizojmë këtë përpjekje. Asnjë ligj s’mund të parandalojë plotësisht abuzimin, as të garantojë që sjellja etike do të triumfojë mbi interesat e ndryshme. Megjithatë është e rëndësishme që përballë tundimit të fuqisë teknologjike, dikush ende nënvizon fjalën “kufi”, që shpesh e harruar, është themeli i çdo etike, të dish se ku ndalon.
Nëse dikur kontinentet përballeshin për territore, sot ato përballen për diçka më të padukshme, por më të rëndësishme: ku do të vendoset kufiri midis njeriut dhe inteligjencës sintetike. Europa e vendos këtë kufi në dinjitetin njerëzor. Dhe me këtë zgjedhje, ajo ruan një trashëgimi të vjetër që vjen nga Sokrati, Loku, Monteskje, Kant, të gjithë ata që besuan se morali është forma më e lartë e arsyes. Prandaj, mund të themi se ky akt është bërë për njeriun, për natyrën e tij të brishtë, për gabimin, për ndërgjegjen, për fajin, që e dallon nga çdo krijesë artificiale.
Një ditë në një të ardhme, kur algoritmet të jenë më të zgjuara, më të shpejta, ndoshta edhe më të ndjeshme se sot, ky akt do të lexohet si një përpjekje e matur dhe fisnike për të mbrojtur shpirtin e njeriut nga hijet e tij digjitale. Dhe në këtë kuptim, Akti Europian për Inteligjencën Artificiale është jo vetëm një ligj i kohës sonë, por edhe një kapitull i ri në historinë e marrëdhënies së njeriut me fuqinë sintetike.
Në një formë, etika është arti i kujtesës, dhe Europa, me këtë akt, po përpiqet të mos harrojë se kush e shpiku makinën dhe për çfarë.
