Shoqëritë më të përparuara nuk janë domosdoshmërish ato që zotërojnë më shumë kapital financiar, material apo burime natyrore, por ato që kanë ngritur dhe konsoliduar një pasuri më të çmuar dhe më esenciale se çdo pasuri tjetër: besimin shoqëror. Dhe çdo shoqëri që synon të zhvillohet duhet të përballet me një pyetje që e tejkalon ekonominë: sa besojnë njerëzit te njëri tjetri dhe te strukturat e shtetit? Pikërisht përgjigjja që i jepet kësaj pyetjeje përcakton cilësinë e kapitalit të saj më të rëndësishëm: kapitali shoqëror.
Kapitali shoqëror është forca e padukshme që mban në këmbë institucionet, që lubrifikon mekanizmat e tregut, që i jep rend qytetar jetës kolektive, si dhe mban në harmoni bashkëjetesën mes këtyre sferave. Ai nuk manifestohet si një aset i prekshëm, por si një energji e brendshme, një puls i ndritshëm i shoqërisë, përmes të cilit mund të matet shkalla e besimit të ndërsjellë që lidh individët me njëri-tjetrin dhe me strukturat që i qeverisin.
Ky kapital i veçantë i shpëton njëfarësoj çdo tentative për ta reduktuar në shifra financiare. Nuk shënohet në bilance, nuk pasqyrohet në pasqyra financiare, nuk kapet nga grafikët dhe as nga indekset e performancës ekonomike. Ai ekziston jashtë gjuhës së statistikës dhe logjikës së kontabilitetit, sepse natyra e tij është morale, relacionale dhe thellësisht njerëzore, dhe pikërisht për këto arsye, është njëkohësisht i vështirë për t’u përkufizuar dhe i domosdoshëm për t’u kuptuar.
Kapitali social përbëhet nga një sistem normash, vlerash, bindjesh dhe besimesh të përbashkëta, të cilat u mundësojnë njerëzve të bashkëpunojnë lirshëm dhe natyrshëm, pa pasur nevojë për imponim formal, kontrata të blinduara apo ndërhyrje të vazhdueshme shtetërore. Ai është ajo çka e bën bashkëpunimin më të lirë ekonomikisht se konfliktin apo shmangien, respektimin e rregullit më të natyrshëm se shkeljen e tij, dhe përgjegjësinë më të fortë se frikën nga ndëshkimi.
Gjithashtu, mund të ekzistojë vetëm nëpërmjet marrëdhënieve konkrete, të përditshme dhe të përsëritura. Në raportin mes shefit dhe vartësit, mes dy fqinjëve, mes qytetarit dhe fytyrave të shtetit. Ai merr jetë si ind i gjallë shoqëror, i ushqyer nga besimi dhe përgjegjësia e ndërsjellë. Por kur ky ind pushon së furnizuari, ai nis një proces atrofie të ngadaltë: qelizat humbasin aftësinë për të përcjellë me njëra-tjetrën, fijet që mbajnë kohezionin shoqëror dobësohen, dhe ajo që duhet të funksionojë si organizëm i gjallë degradohet në një masë formale, pa ndjeshmëri dhe pa reagim. Në këtë stad, institucionet, tregu dhe rendi qytetar edhe mund mbeten të qëndrueshme në aspektin formal, por si një fat i pashmangshëm, sidoqoftë, karakterizohen një degradim të theksuar funksional.
Studiuesit e ndajnë kapitalin shoqëror kryesisht në tre dimensione. Dimensioni i parë janë lidhjet e ngushta brenda një grupi (p.sh. familja, klani, banda kriminale, ku kohezioni dhe besimi i brendshëm është i lartë). Dimensioni i dytë janë urat lidhëse midis grupeve të ndryshme (bashkëpunimi me ata që mendojnë ndryshe). I treti: besimi vertikal, drejtuar institucioneve (që qytetari t’i besojë shtetit dhe shteti qytetarit). Kur këto tri dimensione funksionojnë në akord me njëri tjetrin, shoqëria frymon lehtë. Por kur njëri deformohet, kur shteti bëhet i pabesueshëm, kur grupet nuk bashkëpunojnë më me njëri-tjetrin apo kur lidhjet e brendshme shndërrohen në nepotizëm, klientelizëm, ekskludim të gjithë të tjerëve, atëherë nisin çarjet, plasaritjet dhe thyerja e trarit të aspiratave për zhvillim të qëndrueshëm.
Në shoqëritë me nivel të lartë kapitali shoqëror, besimi shtrihet përtej familjes apo fisit dhe krijon themelin për bashkëpunim të gjerë shoqëror. Rrjedhimisht, në këto vende shohim se lindin organizata të qëndrueshme, korporata të mëdha, institucione publike efektive dhe një shoqëri civile funksionale. Është besimi i lartë në këto shoqëri që e bën të mundur ndarjen e përgjegjësive, zhvillimin e institucioneve meritokratike dhe krijimin e një rendi ekonomik që mbështetet në besueshmëri. Prandaj dhe arrijnë të realizojnë projekte gjigande, të jenë më produktive, më të ndershme dhe më të hapura ndaj ndryshimit, falë të kuptuarit se bashkëpunimi i gjerë është forcë e jashtëzakonshme krijuese që ushqen inovacionin, efikasitetin dhe qëndrueshmërinë ekonomike.
Te këto shoqëri, bashkëpunimi i lirshëm ndërmjet individëve ka krijuar ekonomi dinamike, me iniciativa private lulëzojnë dhe tregje që funksionojnë mbi bazën e reputacionit dhe përgjegjësisë, gjë që e lehtëson nevojën për kontroll të jashtëm. Transaksionet janë më të shpejta, kostoja e mbikëqyrjes dhe burokracisë është më e ulët. Besimi e zvogëlon frikën që bllokon investimin dhe financimin e mundësive të reja. Është besimi lubrifikanti i padukshëm i tregut që e rrit efikasitetin e sistemit. Sa më shumë besim të ketë në këtë marrëdhënie, aq më pak nevojitet kontroll, rregullore, garanci, ndërmjetës, dokumente apo ndërhyrje shtetërore, dhe aq më shumë burime çlirohen për veprimtari të tjera.
Themi se kapitali social i lartë ul shpenzimet e transaksioneve, sepse aty ku ka besim, nuk nevojiten pesë instrumente për një marrëveshje. Nxit inovacionin, për shkak se njerëzit që bashkëpunojnë guxojnë të eksperimentojnë më shumë. Mban gjallë demokracinë, sepse qytetarët që i besojnë njëri-tjetrit besojnë edhe në kuptimin e përbashkët të ligjit dhe të normave të sjelljes qytetare.
Në botën e sotme gjithçka matet me tregje, norma interesi e ritme rritjeje, prandaj është e lehtë të harrosh se mirëqenia nuk është vetëm çështje pasurie. Një shoqëri mund të ketë rritje ekonomike, por nëse njerëzit nuk i besojnë njëri-tjetrit, nëse ligjet zbatohen vetëm nga frika, nëse nderi është bërë mall i rrallë, atëherë ajo rritje ndihmon vetëm një pjesë të vogël të shoqërisë.
Në shoqëritë ku besimi është davaritur si një shtëllunge e vetme për gjatë gjithë dimrit, gjithçka bëhet më e rëndë, më e vështirë. Një leje ndërtimi kërkon dhjetë nënshkrime dhe një ryshfet, një biznes i ndershëm konkurrohet nga mashtruesit, një reformë e mirë dështon sepse askush nuk beson se tjetri do ta zbatojë me ndershmëri. Natyrisht, ngadalë, sistemi fillon të gërryhet, i kuqërremë, si metal i ndryshkur me lagështinë e një mendësie dritëshkurtër.
Korrupsioni është armiku i parë i kapitalit shoqëror. Ai nuk shkatërron vetëm financat dhe mirëqenien, por edhe shpresën se njeriu i ndershëm ka kuptim. Pabarazia e theksuar është armiku i dytë: kur një pjesë e shoqërisë jeton në luks dhe tjetra në varfëri, urat e besimit rrënohen. Migrimi masiv është i treti: kur brezat e rinj largohen, shoqëria humbet jo vetëm trurin, por edhe kujtesën e vet morale dhe qytetare. Polarizimi është i katërti: kur njerëzit ndahen në kampe që nuk flasin më, ku çdo fjalë e tjetrit shihet me dyshim, besimi bëhet i pamundshëm. Dhe në fund vjen cinizmi, sëmundja më e rrezikshme nga të gjitha. Ai nuk vret menjëherë, por e than nga brenda shpirtin e bashkësisë. Një shoqëri cinike nuk beson më as te morali, as te reforma, as te përparimi. Ajo kthehet në një masë njerëzish që mbijetojnë, disa syresh bëhen grabitqarë të pamëshirshëm, por të gjithë nuk besojnë më në asgjë të përbashkët, përtej familjes, përtej klanit.
Kur besimi mungon, ligjet mbeten të vështirosura në zbatim, sepse mungon fryma që i jep kuptim respektimit të tyre. Instancat publike nuk zgjohen në mëngjes për t’i shërbyer interesit publik, tjetërsohen, bëhen të çuditshme. Ekonomia merr formën e një tregu të vogël, të fragmentuar, me të privilegjuar prej lidhjeve personale, familjare ose klienteliste. Kur mungon, bizneset nuk rriten dot përtej rrethit të ngushtë të njohjeve, kurse bashkëpunimet janë të përkohshme dhe mundësia ekonomike varet nga rrjeti personal i besueshmërisë, dhe jo nga efikasiteti, merita apo sensi i gjërave. Kur besimi mungon, shoqëria mbetet e mbyllur, dhe ndoshta më e keqja, mbetet e paaftë të ndërtojë institucione që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm.
Ndërsa në shoqëritë me nivel të lartë besimi, ekonomia vepron mbi një bazë më të gjerë. Individët janë të gatshëm të marrin përsipër rreziqe, të krijojnë partneritete, të ndërtojnë organizata të mëdha, sepse besojnë se rregullat e lojës do të respektohen. Nga ky besim lind kapitali financiar, bursat, korporatat, tregjet e hapura, struktura që zgjasin përtej jetës së individëve dhe përbëjnë shtyllat e progresit ekonomik.
Në këtë kuptim, besimi është një lloj kapitali më i vlefshëm se vetë kapitali monetar. Ai prodhon rend, ndershmëri dhe stabilitet, elementë pa të cilët pasuria nuk mund të qëndrojë gjatë, të shtrihet gjerë.
Në një vend ku ligji zbatohet për miqtë dhe ndëshkon të tjerët, ku arsimimi është formë e korrupsionit dhe e shtirjes, ku meritokracia është fjalë boshe, aty kapitali shoqëror shkokëlohet çdo ditë. Një vend që nuk beson te ndershmëria, nuk mund të prodhojë efikasitet dhe një qeveri që nuk gëzon besimin e popullit, nuk mund të nxisë zhvillim. Ata përballen me diçka më të vështirë se një problem ekonomik apo sociologjik, përballen të kalamendur me një trazirë etike, e karakterizuar nga një rrjedhje e ngadaltë e moralit prej venave të përbashkëta të shoqërisë, që e lë trupin e saj të ligështuar.
Ajo që duhet, rilindja e besimit përtej grupit të angësht, nuk vjen nga një reformë e vetme, por nga një kthim i ngadaltë i dinjitetit moral. Siç është përsëritur, ndoshta, mijëra herë, krijimi i kapitalit social vjen nga ndërtimi i institucioneve që frymëzojnë besim, vjen nga arsimi që mëson jo vetëm dije, por edhe ndershmëri, vjen nga mediat që nuk ushqejnë cinizëm, por kujdes për të vërtetën, si dhe nga shembujt e mirë që shpërblehen dhe s’përçmohen. Një vend e rifiton kapitalin e tij shoqëror kur të ndershmit nuk ndihen më budallenj, dhe të korruptuarit, mashtruesit, të shtirurit, nuk ndihen më të zgjuar. Atëherë fillon shërimi i padukshëm i shoqërisë, një proces i ngadaltë, por i thellë, ku besimi fillon të qarkullojë si oksigjen i munguar në trupin e shoqërisë pas një molepsjeje të gjatë.
Nëse duam të ndërtojmë institucione që funksionojnë, ekonomi që prodhon mirëqenie dhe një shtet që respektohet, duhet të fillojmë pikërisht këtu, te të kuptuarit se besimi është aset i domosdoshëm dhe i jashtëzakonshëm. Pa të, çdo përpjekje për zhvillim bëhet iluzion teknik mbi një boshllëk etik.
