MËKATI VJEN ME SHUSHURIMË (EFEKTI I TATËPJETËS)

Në etikën organizative, efekti i tatëpjetës (slippery slope effect) është një dukuri e çuditshme, një lojë e fshehtë e ndërgjegjes me vetveten. Ai përshkruan mënyrën se si një akt i vogël joetik, për shembull, një faturë e fryrë lehtë, një raport i “rregulluar”, një përjashtim i fshehtë nga procedura, që askush nuk e quan krim, as mëkat, por thjesht “një rast”, ka prirjen të shndërrohet me kalimin e kohës në shkelje të rëndë të normave, ligjit dhe integritetit.

Shkelja e parë e vogël vendos një precedent të ri. Nga ai moment, çdo gjë që vjen më pas duket më e pranueshme, sepse nuk krahasohet më me standardin fillestar, por me shkeljen e mbrame. Kjo bën që kufiri moral zhvendoset pa u ndier, ndërsa kufijtë e së lejuarës rrëshqasin gjithmonë e më poshtë. Në fillim është një hap modest, pastaj një tjetër, pastaj një tjetër, dhe kur njeriu kthen kryet për të parë mbrapa, kupton se ka zbritur shumë më poshtë nga sa kishte menduar.

Efekti i tatëpjetës është një proces përshtatjeje, një lloj adaptimi moral, ku ndërgjegjja nuk matet më me normën morale, por me shkeljen e fundit. Ajo që dje dukej e paimagjinueshme, më vonë perceptohet e zakonshme. Kështu lind e vijon rrotullueshëm spiralja, e cila e bën individin, organizatën apo një shoqëri të tërë, të zgjohet një ditë në një botë ku devijimi është bërë normë, dhe norma është shkelje.

Rrëzimi moral nuk ndodh nga një akt i vetëm i madh, por si një varg gurësh të vegjël që bien një e nga një, derisa muret të shndërrohen në rrënoja. Historia e organizatave na e dëshmon këtë. Kompanitë e mëdha që tronditen a shemben nga skandalet, nuk janë goditur nga një krim i vetëm, por nga një varg kompromisesh të vogla që u bënë kulturë. Enron nuk u rrëzua për një mashtrim gjigant, por përmes një zinxhiri shkeljesh që në fillim nuk dukeshin as të rrezikshme. Skandali i emisioneve i Volkswagen nuk filloi me një mashtrim global, por me një vendim teknik. Ose në politikë, tek politikani, korrupsioni nuk hyn me një ryshfet marramendës, por fillon butë, një nder “i padëmshëm” këtu, një favor atje.

Fenomeni nuk kufizohet vetëm te organizatat. Studiues të etikës dhe psikologjisë morale e kanë përshkruar efektin e tatëpjetës si një prej mekanizmave më të fortë të erozionit shoqëror. Aty ku tolerohet gabimi i lehtë, i koduar si teknik, si rastësor, nis të zgjatet hija e tatëpjetës. Në fillim, çarja është vetëm një krisje, e papërfillshme, por siç tregojnë kërkimet mbi sjelljen devijuese, përsëritja e një shkeljeje, në dukje pa zarar, krijon normalitet të ri, një kufi që zhvendoset pa u vënë re dhe krijon hapsirën për shkelje më të mëdha.

Kjo logjikë bëhet edhe më e dukshme në sferën publike, aty ku institucionet shtetërore e përjetojnë tatëpjetën nëpërmjet ritmit të ngadaltë dhe të pandalshëm të një rënieje institucionale. Një tolerim i heshtur ndaj abuzimit me detyrën, një interpretim i zgjeruar i ligjit “për raste të veçanta”, pranimi i vazhdueshëm i zhurmës së korrupsionit të imët si pjesë e pashmangshme e realitetit, asgjë nuk duket dramatike në vetvete, përkundrazi veprimet e vesuara justifikohen ashtu lehtë, si përjashtime, si pragmatizëm ose si nevojë e momentit. Me kalimin e kohës, përjashtimi bëhet rregull, ligji pushon së qeni vijë e qartë ndarëse dhe shndërrohet në propozim të negociueshëm, kurse morali nuk është më kufi që nuk kalohet, është vetëm një orientim i përgjithshëm dhe i hapur për interpretime. Ndërsa përgjegjësia publike nuk përjetohet më si detyrim, por si formalitet procedural. Në këtë terren të rrëshqitshëm, institucionet vazhdojnë të funksionojnë në dukje, por e kanë humbur boshtin e brendshëm që i mban drejt, janë shtrembëruar. Ky është një rend i rrezikshëm normaliteti, ku gjendja nuk shikohet si krizë, shikohet si gjendje e zakonshme. 

Në planin kulturor, fenomeni shfaqet edhe më qartë. Marrim, për shëmbull, devijimet e vogla të jetës në komunitet, si mosrespektimi i radhës, prishja e qetësisë publike, flakja përdhe e mbeturinave, mospërfillja e tjetrit, që përsëriten pa ndërprerje dhe pushojnë së perceptuari si shkelje dhe institucionalizohen si zakon. Normalizimi i këtyre sjelljeve deformon perceptimin kolektiv me ngadalësi, deri sa ato i shtohen përditshmërisë si gurë të padukshëm të peizazhit shoqëror. Pasojat e mëtejshme nuk presin, ato fillojnë menjëherë dhe rrjedhin pa ndërprerje: mungesa e kërkimit për përmirësim, shmangia e përgjegjësisë, dorëzimi ndaj indiferencës, të cilat ngadalë, por pa pushim, i shtyjnë individët dhe shoqërinë përposhtë.

Tatëpjeta është e frikshme pikërisht sepse nuk duket si tatëpjetë. Nuk është një greminë që të tremb me pamjen e saj, por një shteg i butë ku hapat të çojnë poshtë pa i ndier. Rreziku i madh nuk është shkelja e madhe, sepse ajo vë alarmin. Rreziku është shkelja e vogël, që nuk duket si shkelje, por si lojë e pafajshme, dhe kjo e bën atë të pamëshirshme.

Njeriu rrëshqet drejt sjelljes së gabuar kur pranon shkeljen e parë, që ngrihet si precedent, si pretekst, si arsyetim për shkeljen e radhës. Vetëmashtrimi moral bëhet ura që kalon nga tolerimi i të parëndësishmes te pranimi i sjelljes së rëndë. Dhe shkarja nuk është fundi, shkarja është procesi, një proces i shurdhër, i ngadaltë, dhe i pashmangshëm, nëse nuk ndërpritet nga ndërgjegjja.

Në secilin plan: individ, organizatë, shoqëri, kufijtë moralë nuk ”thyhen”, por zhvendosen. Dhe kur kufijtë zhvendosen, rrëshqitja etike ndodh pa fërkim, pa tronditje, por me një siguri gati matematikore. Për këtë arsye, integriteti brenda një organizate, një individi apo në tërë shoqërinë, nuk mund nënvlerësohet. Ai është arma dhe ilaçi më i fortë kundër zhvendosjes së kufijve moralë, dhe duhet kujdesi ndaj detajit, refuzimi i kompromisit të parë, inspektimi i përpiktë i devijimeve. Këto nuk janë kotësi formale, janë mekanizma të domosdoshëm për të ruajtur vijën që, një herë e spostuar, vështirë se rikthehet.