Ka një përsëritje që spikat me një rregullsi të admirueshme në komunikimet e administratës dhe pushtetit te ne. Një ministër, një drejtues institucioni, ndoshta edhe një zyrtar i rangut të mesëm, ftohet në një konferencë, siç qëllojnë ato zakonisht, me një titull ndërkombëtar, një panel të moderuar në anglisht dhe disa përfaqësues të huaj që përmenden me nderim të madh.
Pastaj, pa kaluar as dy orë nga mbyllja e sesionit, në rrjetet sociale shfaqet postimi i pashmangshëm. Foton e kemi parë të gjithë: zyrtari, i ngulitur diku me një çehre të hareshme, përpara një sfondi blu me logot e BE-së, të ndonjë forumi për zhvillimin apo të ndonjë iniciative ndërkombëtare. Menjëherë, poshtë fotos, fjalia e zakonshme (e vijuar nga një përshkrim i stërholluar e i drunjtë):
“Ishte kënaqësi të marr pjesë në takimin e përbashkët me partnerët tanë ndërkombëtarë për të diskutuar sfidat e së ardhmes. Bashkë do të ndërtojmë një realitet të ri për Shqipërinë. …”
Nëse dikush do të gjykonte nga këto rreshta, apo të tjerë si to, pa e ditur kontekstin, do të besonte se një revolucion i heshtur po ndodh në prapaskenë, do të mendonte se vendi ndodhet në prag të një revolucioni teknologjik dhe institucional të menjëhershëm, se gjerat po shkojnë vaj, se në zyrat tona publike po përgatitet diçka që do ta ndryshojë fatin e vendit brenda natës.
Por kujtesa, armiku më i vjetër i retorizmit, i jep fund menjëherë këtij iluzioni. E njëjta fjali është thënë vitin e kaluar. Dhe vitin para atij, edhe më mbrapa, e kështu me radhë. Për shembull, premtimi i inovacionit është gjithmonë i pozicionuar në një horizont të paarritshëm, një lloj agimi i përhershëm që refuzon të bëhet ditë. Fjalët janë të njëjta, toni i njëjtë, struktura e njëjtë, si një kompozim i riprodhuar nga një makinë e padukshme që punon në bodrumet e ndonjë institucioni, i marrë nga një manual sekret për komunikimin politik optimist.
Është një gjuhë që nuk përshkruan realitetin, por e zëvendëson atë me një tablo të gatshme, të pastër, të ndritshme. Çdo frazë është pohuese, e përgjithshme, pa rrezik. Në këtë gjuhë nuk ka shifra, nuk ka asnjë afat, nuk ka përgjegjësi konkrete. Ka vetëm një premtim që nuk matet, një lloj premtimi që qëndron pezull, i pamundur të provohet si i vërtetë dhe po aq i pamundur të hidhet poshtë. Mbizotëron përsëritja që ka humbur lidhjen me çdo proces real, e që në disa raste ka zëvëndësuar edhe punën me kohë të plotë.
Ky lloj komunikimi nuk është rastësor. Ai është ndërtuar mbi një gjuhe të posaçme politike, një leksik afirmativ, që nuk rrezikon asgjë dhe që fjalë si “transformim”, “reformë”, “inovacion”, “kapitull i ri”, përdoren me një frekuencë dhe kontekstualizim të atillë, sa kanë humbur çdo kuptim. Është gjuhë ritualistike, nuk informon, por performon. Në vend që të shpjegojë çfarë po ndodh, krijon iluzionin se diçka po ndodh. Ose çfarë duket ndonjëherë sikur komunikimi institucional shndërrohet në një lloj magjie gjuhësore, ku mjafton një fjalë për të arritur një realitet të dëshiruar, pa pasur nevojë për ta ndërtuar atë.
Për shembull, marrim një ndër temat më njohura dhe më të dëgjuara: iniciativat në luftën kundër korrupsionit. Prapë skena është e njëjtë: takimi, një zyrtar shqiptar përkrah një ambasadori apo përfaqësuesi ndërkombëtar, një tryezë ovale me mikrofona të zinj dhe një shprehje gati e buzëqeshur në fytyra.
Pas takimit, vjen postimi i ditur: “Sot zhvilluam një takim të frytshëm për forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit. Partneriteti ynë me miqtë ndërkombëtarë është kyç për një të ardhme më të ndershme.”
Njësoj, po ta pyesnin dikë të painformuar mbi postimin, me siguri do thoshte se strukturat janë ngritur, një ligj është ndryshuar ose një hetim i përbashkët është hapur. Por do gabohej, asgjë konkrete nuk ndodh në kësi rastesh, sepse takimet zhvillohen me ritmin e një kalendari protokollar, ndërsa korrupsioni ecën përpara me ritmin e vet që s’pyet.
E dinë zyrtarët se këto postime janë bosh? Të paktën në shumicën e rasteve. Përgjigjja, me shumë gjasa, është një përzierje. Një pjesë janë plotësisht të vetëdijshëm dhe e përdorin këtë gjuhë si strategji komunikimi, për të treguar se janë aktivë, për të krijuar ndjesinë e lëvizjes edhe kur nuk ka asgjë që lëviz. E përdorin strategjikisht për të ruajtur legjitimitetin nëpërmjet fjalëve.
Të tjerë, ndoshta më pasionant në aparatin burokratik apo korridoret e pushtetit, mund ta kenë internalizuar këtë gjuhë në mënyrë të pavetëdijshme. Për ta, pjesëmarrja në një panel dhe publikimi i një postimi është vetë “akti administrativ”. Fjalët nuk janë më mjete për të komunikuar ndryshimin, ato janë ndryshimi vetë, edhe pse vetëm në sferën simbolike.
Në të dy rastet, rezultati është i njëjtë: një komunikim që prodhon imazh, dhe publiku, si gjithmonë, mbetet spektator i një skenari të njohur. Ai e njeh këtë skenë përmendsh, lexon postimet, sheh fotot e zakonshme, dëgjon fjalët e mëdha dhe tund kokën me një mosbesim stoik. Nuk ka zemërim të madh, por një lodhje të qetë, njëfarë limontie e mësuar prej retorikës që nuk përkthehet kurrë në realitet.
Sido që të jetë puna, fjala publike, në parim, duhet të sqarojë çfarë bëhet dhe pse bëhet, të vendosë përgjegjësi dhe të krijojë besim. Në praktikë, kjo retorikë e përhershme e së nesërmes së përkryer i jep komunikimit institucional një karakter pothuaj mitik, ngjarjet e vogla shndërrohen në gurë kilometrikë, pjesëmarrjet formale në fitore strategjike, kurse fotografitë në prova të përkushtimit ndaj një progresi që nuk vjen kurrë.
Dhe kështu, komunikimi publik i administratës përfundon duke u shndërruar në një sipërfaqe të rrëshqitshme informacioni, ku fjalët rrëshqasin lehtësisht pa hyrë në thelbin e asaj që pretendojnë të shpjegojnë. Çdo herë që fjalia e njohur “ishte kënaqësi të marr pjesë” shfaqet nën një foto të re, ajo nuk sinjalizon ndonjë zhvillim konkret, shërben thjesht si një njësi e paracaktuar retorizmi, që ripohon vazhdimësinë e modelit ekzistues të komunikimit.
Në këtë strukturë të qëndrueshme, ritmi i fjalëve mbetet i njëjtë, i parashikueshëm, i sigurt dhe simbolik. Është si një teatër i fjalëve, ku çdo aktor reciton pjesën e tij me përpikëri, ndërsa publiku që ndjek shfaqjen, e kupton atë në mënyrat e veta nga më të ndryshmet.
