Debati mbi eutanazinë mbetet një nga çështjet më të ndërlikuara në mënyrë të panevojshme të filozofisë morale, etikës mjekësore dhe së drejtës bashkëkohore. Në qendër të tij qëndron pyetja nëse individi ka të drejtë të vendosë për mënyrën dhe momentin e vdekjes së vet, atëherë kur vuajtja fizike ose psikologjike është e padurueshme dhe e pashmangshme.
Argumentet në favor të eutanazisë synojnë të mbrojnë autonominë e individit, të zbusin vuajtjet e panevojshme dhe të mundësojnë një fund jete më human dhe më të denjë. Ndërsa argumenti kundër qendërzohet rreth idesë së shenjtërisë absolute të jetës, promovon kufizimin e lirisë së personit për të vendosur për trupin dhe fatin e vet dhe bazohet në parime morale të patundshme dhe të përvjedhura ndaj vuajtjes së individit.
Përplasja mes këtyre dy kampeve paraqitet si një duel i madh filozofik për vlerën e jetës dhe moralin e shoqërisë. Megjithatë, ata kundër shpesh bazohen në premisa të çuditshme, të spërkatura me doza cinizmi dhe të servirura me një lloj patosi që të shtang me teprinë dramatike.
Një nga argumentet më të zjarrta kundër eutanazisë është argumenti i “kolapsit total”: nga një vendim individual, në apokalips shoqëror. Ky argument bazohet te ideja se po lejuam një person të marrë një vendim për fundin e vet, shoqëria do shndërrohet përnjëherë në një makineri që eliminon këdo që është kollitur më shumë se duhet. Sipas tyre, eutanazia është vetëm hapi i parë drejt një zinxhiri imagjinar ngjarjesh, ku mjekët papritur harrojnë kodin etik, familjet planifikojnë përfitimet nga vdekja dhe shteti, i uritur për uljen e kostove të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, shndërrohet në makinë grirëse të të pambrojturve. Supozohet, pra, se njerëzit dhe institucionet do të degradojnë automatikisht moralisht sapo të hapet një kapitull i lirive individuale, prandaj, për të shpëtuar moralin shoqëror, individit duhet t’i hiqet e drejta mbi trupin e vet.
Pastaj është argumenti i “shpresës së detyrueshme”, sepse… duhet të vuash edhe pak. Në shumicën e rasteve, këtë argument e artikulojnë aq bukur ata që nuk përjetojnë asnjë lidhje me vuajtjen konkrete, por ata e dinë mire këtë punë, prandaj dhe shprehen ashtu, me zell. Kjo kundërshti flet për domosdoshmërinë e shpresës sikur shpresa nuk është një ndjenjë njerëzore, por një detyrim moral i imponuar nga të tjerët. Prandaj, sipas ithtarëve të kësaj logjike, pavarësisht se dikush mund të jetojë me dhimbje të padurueshme, pa rikuperim dhe me një ligështi në zemër që e vret çdo orë, është më e udhës që të presë edhe ca tjetër, se mos ndodh ndonjë mrekulli.
Nuk mungon as pikëpamja e “jetës si pronë shoqërore”, jeta është e jotja… por vendosim ne. Sipas kësaj pikëpamjeje, jeta e individit nuk i përket atij, por shoqërisë, kulturës apo doktrinës së kohës. Individi shikohet si një kalama i vogël në një skenë të madhe, ku të gjithë kanë të drejtë të vendosin për të, përveç atij vetë.
Këtij kampi nuk i mungojnë as “sentimentalistët”: “po po, por gjyshja ime u përmirësua”. Ata që e mbështetin mendimin mbi rastësitë personale dhe anekdotat emocionale, të cilat i përdorin si fakte universale. Nëse dikush, dikur, diku ka parë një të afërm që iu shtuan dy muaj jetë, pavarësisht cilësisë së saj, atëherë kjo përvojë individuale bëhet standard etik për të gjithë. Ngatërrojnë përvojën personale me normën morale shoqërore, njësoj sikur të themi se, pasi dikush fiton lotarinë, të gjithë duhet të blejnë bileta çdo ditë si detyrim qytetar.
Pastaj rreshtohen paternalistët me maksimën absolute se “ne e dimë më mirë se ti”, një lloj paternalizmi shabllon, por, gjithsesi, i pamëshirshëm. Paternalistët pretendojnë se individi, duke qenë se mund të jetë i turbullt, i dobët apo jo plotësisht racional kur përballet me vuajtjen, dikush tjetër duhet të vendosë për të. Të përkujdesur me fjali të avashta dhe me fjalë të buta si “kujdes”, “mbrojtje” dhe “vlerë e jetës”, e trajtojnë individin jo si një qenie të arsyeshme, por si dikush që duhet udhëhequr deri në frymën e mbrame.
Në diskursin kundër eutanazisë ka edhe zëra që damkosin ndonjë shtet si “destinacion turistik për fundin e jetës”. Me një sens që i afrohet melodramës së kinematografisë amatore, kritikët shprehin indinjatë për faktin se ndonjë shtet ka guxuar të ofrojë një proces të rregulluar, të monitoruar dhe etik për njerëzit që kërkojnë dinjitet në momentet e fundit. Sipas këtij argumenti, problemi nuk është vuajtja reale e individit, por fakti se ai duhet të marrë avionin.
Ironia e këtyre argumenteve qëndron tek fakti se shpesh artikulohen në emër të “dinjitetit”, por në praktikë mohojnë pikërisht dinjitetin: të drejtën e individit për të përcaktuar kufijtë e dhimbjes, autonomisë dhe kuptimit të jetës së vet.
Megjithatë, përtej retorikave dogmatike, emocionale apo politike, ia vlen që të konsiderojmë dhe pyesim: çfarë i detyrohemi individit kur ai përballet me vuajtje të papërballueshme?
Etika dhe e drejta bashkëkohore ofrojnë disa parime më të qëndrueshme që e ndriçojnë mirë këtë pyetje, duke e zhvendosur përqëndrimin te dinjiteti, autonomia dhe mirëqenia e njëmendtë e personit.
Një nga argumentet në favor të eutanazisë lidhet me konceptin e dinjitetit njerëzor, i njohur si vlerë themelore në të drejtën ndërkombëtare dhe në etikë. Sipas së drejtës ndërkombëtare, dinjiteti njerëzor është ajo vlera e brendshme, e patjetërsueshme, që i takon çdo njeriu vetëm nga fakti se ai ekziston, dhe që secili ka të drejtë të trajtohet me respekt, të mos poshtërohet, të mos shndërrohet në mjet të të tjerëve dhe të jetojë një jetë që pasqyron lirinë, moralin dhe integritetin e vet. Dinjiteti është boshti rreth të cilit rrotullohen të gjitha të drejtat e njeriut dhe kufiri moral që shoqëritë nuk duhet ta kapërcejnë. Në këtë optikë, të jetosh në një trup që ka humbur funksionet bazë, të përballesh me dhimbje të pandalshme ose të jesh plotësisht i varur nga të tjerët, për shumë njerëz përjetohet pikërisht si asfiksim i dinjitetit të tyre, pasi fundi i jetës nuk është thjesht një moment biologjik, por një fazë që duhet t’i qëndrojë besnike vlerave të personit: lirisë, pavarësisë, vetëkontrollit dhe qetësisë shpirtërore.
Zërat pro eutanazisë mbështeten gjithashtu te parimi i autonomisë individuale, e drejta për të vetëvendosur për trupin dhe jetën tënde. Autonomia personale lidhet drejtpërdrejt me argumentet mbështetëse sepse nënkupton të drejtën e individit për të vendosur mbi trupin dhe jetën që ka. Zërat pro thonë se një person që përballet me vuajtje të pashërueshme duhet të ketë lirinë të zgjedhë mënyrën dhe momentin e fundit të jetës, jo për bestytni, por si shprehje e kontrollit, pavarësisë dhe respektit për vullnetin e vet.
Për shembull, në etikën mjekësorë, çdo person konsiderohet zotërues i padiskutueshëm i trupit dhe jetës së vet, dhe ka të drejtë të marrë vendime qoftë për fillimin, qoftë për refuzimin e trajtimit mjekësor. Atëherë, në rast se jeta është shndërruar në një seri vuajtjesh të papërballueshme dhe të pakthyeshme, mohimi i së drejtës për t’i dhënë fund asaj bie ndesh me këtë parim themelor, pasi autonomia nuk nënkupton vetëm lirinë për të jetuar sipas dëshirës, por edhe lirinë për të mbyllur jetën me dinjitet kur ajo është bërë e pamundur.
Nga etika mjekësorë vjen edhe parimi i beneficencës.Në shumë raste të pashpresa, teknologjitë moderne mjekësore zgjasin funksionet biologjike të trupit, pa ofruar asnjë përmirësim të cilësisë së jetës së pacientit. Jetesa në këto kushte nuk është një përvojë njerëzore e denjë, por një zgjatim mekanik i ekzistencës. Parimi i beneficencës, kërkon që çdo veprim të orientohet drejt së mirës së pacientit dhe lehtësimit të vuajtjes së tij. Në situata ku mjekësia nuk ka më asnjë mjet për të shëruar, përmirësuar apo qetësuar dhimbjen, vazhdimi i jetës biologjike të shndërrohet në burim vuajtjeje të panevojshme. Në këtë kuptim eutanazia përputhet me thelbin e beneficencës, sepse synon të mbrojë interesin real të pacientit, dhe këtu nuk nënkuptohet thjesht zgjatja e sforcuar e jetës, por pikësëpari, mirëqenia, dinjiteti dhe çlirimi nga dhimbja.
Nuk duhet harruar as barra emocionale dhe financiare për familjen, për të afërmit.Vuajtja e gjatë nuk prek vetëm individin, por edhe familjen dhe të dashurit e të ligështuarit, të cilët përballen me një peshë psikologjike të vazhdueshme, me stresin emocional të vështirë dhe, në mjaft raste, me barrën e rëndë financiare.
Debati mbi eutanazinë vazhdon dhe mbetet i ndarë mes këtyre dy kampeve të kundërta. Në njërën anë, kampi i frikës, i traditës dhe i misticizmave, në anën tjetër, një kamp më pragmatik dhe humanist, që kërkon të mbrojë dinjitetin, autonominë dhe kuptimin e individit, dhe që e vlerëson fundin e jetës si një moment që duhet t’i përkasë vetë personit.
Kundërshtarët janë të zëshëm dhe predikojnë një morali që s’e sheh dhimbjen nga afër. Flasin me një autoritet të ftohtë që imponohet mbi trupin e tjetrit, dhe e bëjnë këtë që nga larg, pa ia ditur as emrin. Flasin për mbrojtjen e jetës, ndërsa në të vërtetë mbrojnë vetëm zgjatjen e vdekjes, atë shtyrjen e pafund të ditëve të dhimbjes. Ndaj, ajo që quhet moral këtu nuk shpëton askënd, thjesht e lë njeriun të mbetet pezull mes dy botëve, i lidhur me një pritje dhe një fat, që as mjekët dhe as lutjet nuk mund ta ndryshojnë.
Ndërsa argumentet që mbështesin eutanazinë janë më të ndjeshme ndaj vuajtjes, më tokësore, flasin për njeriun që nuk kërkon të sfidojë as ligjet, as qiellin, por vetëm të ruajë dinjitetin e vet në çastin kur jeta nuk është më jetë, por një detyrim i imponuar.
