Nëse do ta shihnim Shqipërinë me syrin e ftohtë të krahasimit, vendosur krah për krah me vendet e zhvilluara të Europës, pamja do të dukej pa asnjë dyshim e zymtë. Institucionet ende të brishta, shteti i së drejtës i përkulur përpara interesit privat, besimi qytetar tejet i kufizuar, ndërsa emigracioni i vazhdueshëm flet për një pakënaqësi indore me mënyrën se si funksionon shoqëria. Pothuajse çdo tregues, qoftë produktiviteti, cilësia e jetës, kultura qytetare, kultura institucionale, tregon që vendi mbetet dekada pas modeleve europiane të zhvillimit.
Përballë vendeve të zhvilluara, gjykimi është i ashpër. Shohim gjithçka që mungon, gjithçka që nuk funksionon, gjithçka që na mban prapa. Në këtë krahasim horizontal, atdheu shfaqet si një projekt i papërfunduar, një realitet gjithmonë në vonesë.
Por nëse do ta ndryshonim boshtin e krahasimit, në vend që të shohim anash, të shohim pas, panorama ndryshon tërësisht. Kur e shohim vendin në krahasim me të shkuarën, gjykimi zbutet, madje merr një dozë dinjiteti, sepse në raport me të kaluarën, vendi nuk ka qenë kurrë më mirë se sot, asnjë periudhë e mëparshme nuk ka ofruar kaq shumë liri, akses, mundësi dhe dinjitet sa e tashmja.
Pavarësisht mënyrës se si matet ky realitet, qoftë përmes treguesve ekonomikë, nivelit të lirive individuale, aksesit në arsim cilësor dhe informacion, apo thjesht përmes përvojës së përditshme të qytetarit, rezultati mbetet i njëjtë. Edhe kur krahasimi bëhet me kriteret më minimale të funksionimit shoqëror, prapë dallimi me të kaluarën është i pakundërshtueshëm.
Zhvillimet historike që sollën të sotmen u shoqëruan me tejshtrirjen e informacionit dhe shumëfishimin e kontakteve me botën e jashtme. Në këtë shtjellë lindi një vetëdije e re shoqërore, e ndikuar nga përvoja dhe nga krahasimi me realitete të tjera. Jo një vetëdije e përkryer, as një kulturë qytetare e konsoliduar në kuptimin europian të fjalës, por gjithsesi vetëdije, se personi ekziston si subjekt me të drejta, se jeta nuk është vetëm mbijetesë, se pushteti duhet mbajtur përgjegjës dhe të japë llogari, se autoriteti nuk është i shenjtë, se kufijtë gjeografikë, socialë apo mendorë janë të kalueshëm.
Kjo vetëdije e re, e lindur mes kontradiktave dhe zhgënjimeve, ka prodhuar fshehurazi një emancipim moral që meriton të njihet e të vlerësohet. Qytetarët sot e dallojnë padrejtësinë, e njohin arbitraritetin dhe nuk e pranojnë më verbërisht pushtetin, e kuptojnë kur po mashtrohen, kur ligji përdoret si instrument dhe e ndiejnë qartë distancën mes fjalës publike dhe realitetit.
Megjithatë, pas këtij emancipimi moral, që ka lindur si pa u kuptuar, shfaqet një ngecje diku midis vetëdijes morale të individit dhe kulturës shoqërore në tërësi, ose ndryshe, një hendek midis ndërgjegjes dhe jetës së përditshme.
Çështja është se ky emancipim moral nuk është shndërruar ende në emancipim kulturor. Normat e bashkëjetesës publike, kuptimi i pushtetit, marrëdhënia me ligjin, me institucionin, me hapësirën publike, vazhdojnë të mbeten jashtë shinave.
Gjithashtu, kapitali shoqëror (besimi shoqëror që lidh individët me njëri-tjetrin dhe me institucionet), cilësia e tij është e ulët. Emancipimi moral është parakusht, por jo i mjaftueshëm, dhe është emancipimi kulturor fuqia që e kthen ndërgjegjen në praktikë, kurse kapitali shoqëror është ajri ku zhvillimi i vërtetë mund të frymojë. Pa këto tre dimensione, progresi nuk mund të jetë i qëndrueshëm, dhe krahasimi horizontal do vazhdojë të jetë i sikletshëm.
Megjithatë, ky kontrast i dyfishtë, prapambetje në krahasim me të tjerët dhe përparim në krahasim me vetveten, nuk është shenjë kontradikte, por shenjë zhvillimi prapëseprapë, sepse progresi nuk është kurrë absolut, ai është përherë i pjesshëm, relativ dhe i ndërlikuar.
Marrim një periudhë të freskët. Rënia e sistemit komunist në fillim të viteve 90 solli një çlirim të menjëhershëm, por edhe një kaos po aq të menjëhershëm. Liria erdhi pa drejtësi, tregu pa rregulla, demokracia pa institucione. Tranzicioni ishte një “eksperiment historik” i adoptimit të shpejtë të modelit liberal perëndimor, në ekonomi, institucione dhe në konceptimin e individit. Në vetëm tri dekada, një njerëzi e izoluar për gjysmë shekulli në totalitarizëm u përball menjëherë dhe pa paralajmërim me globalizimin, teknologjinë, kapitalin dhe individualizmin, koncepte krejt të reja, që në vende të tjera janë përftuar në të paktën dy shekuj.
Kemi, pra, një shembull të rrallë të një transformimi të përshpejtuar, por të pabarabartë dhe të fragmentuar. Përparimi ekonomik është i dukshëm (krahasimisht me vetveten), infrastruktura është përmirësuar dhe një brez i ri po formohet në kontakt të përhershëm me botën. E megjithatë, pavarësisht këtij transformimi, ndjenja mbizotëruese mbetet ajo e pakënaqësisë. Pse? Sepse informacioni ka frymëzuar aspiratat e njerëzve më shpejt sesa janë mundësuar kushtet që i bëjnë ato të mundura. Krahasimi nuk bëhet më me të kaluarën, por me një horizont shumë më të lartë të pritshmërive.
Këtu vepron një ligj i brendshëm i zhvillimit liberalo-tranzicional si dhe i zhvillimit liberal në përgjithësi: zgjerimi i lirisë dhe i dinjitetit individual shoqërohet me rritjen e ndjeshmërisë kolektive ndaj padrejtësive, pabarazive dhe dështimeve institucionale. Pakënaqësia në këtë kontekst duhet kuptuar si produkt i një emancipimi moral dhe normativ që ka ecur më shpejt se emancipimi kulturor dhe zhvillimi ekonomik. Gjindja sot gëzon një qasje më të qartë mbi drejtësinë, dinjitetin dhe funksionimin e institucioneve, çka rrit edhe ndjeshmërinë ndaj pabarazive, abuzimeve dhe dështimeve institucionale. Si pasojë, diferenca mes pritshmërive dhe realitetit nuk perceptohet më si një fazë kalimtare e tranzicionit, por si një devijim sistemik nga standardet që tashmë konsiderohen legjitime.
Ky tension midis pritshmërive dhe kapaciteteve reale nuk është as çakordues, as i dëmshëm. Ai është një lëvizje e brendshme, një forcë shtytëse që mban shoqërinë në lëvizje dhe e thërret të reflektojë mbi vetveten. Ai vepron si një mekanizëm presioni, jo i imponuar nga jashtë, por i lindur nga ndërgjegjja kolektive që synon të afrojë idealin me realitetin. Ky tension ushqen vetëdijen kolektive dhe provokon ndryshimin, megjithatë procesi i ndryshimit mund të ecë ngadalë dhe të përballet me pengesa. Përmirësimi mund të vonojë dhe vonesa shton rrezikun që gjatë kësaj periudhe hendeku me shoqëritë ose standardet krahasuese të rritet, duke e bërë dallimin më të dukshëm dhe përafrimin më të vështirë.
Prandaj, nëse ndonjëherë do të arrijmë të krahasohemi me shoqëritë e zhvilluara, kjo nuk do të ndodhë përmes investimeve apo autostradave të reja, por përmes një evolucioni të brendshëm, kur vetëdija kolektive forcohet, kur normat institucionale nuk mbeten thjesht të njohura, por shndërrohen në praktikë të përditshme që udhëheq veprimet e individëve, dhe kur besimi e bashkëpunimi mes njerëzve të dalin nga rrethet e ngushta dhe të bëhen gjendje e përgjithshme. Vetëm atëherë mund të themi se shoqëria do të ketë realisht mundësi të përkthejë aspiratat në rend të qëndrueshëm dhe progresiv.
Është një gjendje e mbingarkuar, e ndarë në dysh. Nga njëra anë, ndihemi të vetëdijshëm për përparimin e bërë, për lirinë e fituar, hapësirën personale dhe një lloj normaliteti. Nga ana tjetër, krahasimi i pandërprerë me Europën e zhvilluar prodhon zhgënjim, ndjenjën e mospërputhjes dhe bindjen se gjithmonë jemi vonë. Kështu, shoqërinë e shohim të lëkundet e përdridhet si një nebulozë mes vetëkënaqësisë së fshehur në nënvetëdije dhe vetëpërçmimit publik të shpërfaqur vend e pa vend, pa arritur të ndërtojë një narrativë të qartë për veten.
Problemi zmadhohet kur këto dy krahasime nuk dialogojnë mes tyre. Kur krahasimi me të kaluarën përdoret për të justifikuar ngadalësinë e progresit, ndërsa krahasimi me vendet e zhvilluara shndërrohet në një listë akuzash pa përgjegjës dhe pa përgjegjësi. Kështu, shoqëria humbet busullën, nuk di nëse duhet të ndihet krenare apo e turpëruar, e përparuar apo e dështuar. Dhe kur një vend nuk ka një raport të qartë me veten, vështirë se mund të ndërtojë një raport të shëndetshëm me të ardhmen.
Për një raport të shëndetshëm, shoqëria ka nevojë të jetojë me dy kritere matjeje njëkohësisht, pa i fshehur dhe pa i shndërruar në justifikim. Të dyja matjet janë të nevojshme. Krahasimi horizontal mban gjallë ambicien, krahasimi historik mban gjallë shpresën, njëri na kujton se sa shumë na mungon, ndërsa tjetri se sa shumë kemi arritur. Njëri pa tjetrin prodhon ose vetëkënaqësi, ose dëshpërim. Së bashku, ato mund të krijojnë një vetëdije më të kulluar, që nuk e keqpërdor mjerimin e djeshëm, dhe as nuk e idealizon modelin e huaj, por i përdor të dyja si orientim për një zhvillim më të vetëdijshëm dhe më të qëndrueshëm.
Nëse progresi është një udhëtim drejt njohjes së dinjitetit njerëzor, vendi ecën me hapa të ngadaltë, i mbërthyer ende nga zakone të vjetra dhe lidhje që ngatërrojnë besnikërinë me rregullin, ose përkatësinë me të vërtetën. Rruga nuk është e drejtë, ajo dredhon mjegullore mes kujtimesh mosbesimi dhe dokesh që i druhen dritës së ndryshimit. E megjithatë, drejtimi duket i saktë dhe ndoshta, diku aty, mes mjegullës dhe dritës, fshihet fillimi i asaj që ende nuk dimë si ta quajmë: përparim apo përsëritje.
