RREZIKU I SHTETIT

Lajmi se hetuesve tatimorë do t’u jepeshin armë m’u duk si një kumt që duhet të kishte udhëtuar gjatë në korridoret e padukshme të shtetit, duke mbledhur me vete një heshtje të ndenjur dhe një lloj fataliteti burokratik. Në të lexohej një zhvendosje e prajshme në mënyrën se si përfytyrohen instrumentet e pushtetit, e shprehur me po atë gjuhë administrative të njohur, që rrallëherë shpjegon, por nënkupton. Dhe prej këtij nënkuptimi më lindi natyrshëm pyetja: në çfarë realiteti institucional mendohet se arma është zgjidhja?

Fatmirësisht nuk jemi një vend ku shteti përdor armën, por prapëseprapë, armë në duart e administratës tatimore? Në një vend ku fjala “inspektim” përjetohet më shumë si paralajmërim për “surpriza” të pakëndshme sesa si garanci për ligjshmëri? Pse mendojnë se shtimi i forcës do të prodhojë drejtësi, kur ajo që mungon nuk është forca, por integriteti?

Arma, në vetvete, është vetëm një mjet, por në këtë kontekst, ajo ishte edhe simbol. Simbol i zgjerimit të pushtetit në duart e një administrate, që për vite me radhë kishte vuajtur nga mungesa e llogaridhënies, nga diskrecioni interpretativ i zgjeruar dhe nga kultura e paprekshmërisë. Problemi këtu  nuk ishte se një hetues mund të mbante armë, nuk ishte te arma, por te logjika nga pas dhe tek fakti se një hetues, një inspektor, një zyrtar, gëzon një hapësirë vendimmarrjeje, manovrimi, apo mosveprimi dhe e gëzon këtë hapësire, përgjithësisht, pa kontroll real dhe pa pasoja kur abuzon me të.

Si mund t’i japësh kompetenca të gjera një inspektori kur dihet që ai diskrecion mund të shndërrohet në monedhë ryshfeti? Si mund të zgjerosh kompetencat e policisë, inspektorateve, drejtorive, kur kultura e përgjegjësisë individuale është e dobët, kur mekanizmat disiplinorë janë simbolikë, kur procedurat e brendshme për hetimin e shkeljeve ndiqen pa transparencë, pa emra dhe pa pasoja?

Në teori, çdo pushtet shtesë duhet të shoqërohet me mekanizma mbikëqyrjeje më të forta. Ky është principi i mirëqeverisjes: sa më shumë forcë të përqendrohet në një dorë, aq më shumë sy duhet ta përndjekin atë dorë. Por në praktikë shikojmë të kundërtën. Edhe pse dihet se gjasat e abuzimit janë të larta, pushteti rritet, shtohet forca, shtohen kompetencat, por nuk ndërtohen mekanizma monitorimi dhe nuk forcohen strukturat e brendshme të integritetit.

Në fakt, përshtypja e krijuar është se çfarëdo që të bëjë një inspektor, një polic, një nëpunës, ndaj individit apo biznesit, ai rrallëherë do të përballet me pasoja reale. Mund të vendosë një gjobë abuzive. Mund të bllokojë aktivitetin. Mund të interpretojë rëndë rregullin që rëndon vetëm mbi disa. Mund të ushtrojë presion verbal apo procedural dhe prapë, individi apo biznesi është ai që duhet të luftojë për të provuar të drejtën e vet, ndërsa zyrtari mbetet i paprekshëm nën ombrellën e institucionit.

Ky lloj zgjerimi i kompetencave nuk mund të quhet reformë. Reformë do të ishte forcimi i kontrollit, kufizimi i hapësirës për arbitraritet, ndërtimi i mekanizmave që e bëjnë abuzimin të vështirë dhe që rrisin besimin e qytetarit te shteti i vet. Por nëse ndodh e kundërta, nëse rritet pushteti pa u ulur rreziku i keqpërdorimit të pozicionit, ajo që institucionalizohet nuk është efikasiteti, por rreziku i shtetit. Është një rrezik që po nuk u mbajt, nuk mbetet më individual, i rastësishëm apo sporadik, bëhet strukturor, bëhet pjesë e mënyrës si funksionon sistemi, bëhet objekt i sistemeve korporative për menaxhimin e rrezikut dhe vlerësohet me pikë të larta.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo përmbysje, mbi mekanizmat e topitur të mbikëqyrjes bien edhe forca të tjera, të pashkruara, por të njohura nga të gjithë: nepotizmi që lidh zyrat me familjet, lidhjet e heshtura që bashkojnë administratën me partinë, asocimet që shndërrojnë shërbimin civil në territor besnikërish. Kur kontrolli duhet të ushtrohet mbi një zyrtar që është “i dikujt”, që i përket një rrethi njerëzish, ai kontroll zbutet, relativizohet ose shtyhet. Nepotizmi, lidhja partiake apo afërsia me qendrën e vendimmarrjes bëhen mburojë, dhe në këtë mënyrë pushteti rritet në volum, rritet në paprekshmëri, pa u shoqëruar me një kontroll të vërtetë, fillon të marrë trajtat e një strukture që i përgjigjet vetes dhe jo ligjit.

A ka mekanizma ankimi? Po. A ka gjykata? Po. Sa efektive janë në praktikë? Hmm… Edhe kur një vendim administrativ rrëzohet në gjykatë si i paligjshëm, çfarë ndodh me zyrtarin që e ka nxjerrë? Zakonisht, asgjë. Nuk ka përgjegjësi personale, as dëmshpërblim të drejtpërdrejtë nga ai që ka abuzuar dhe as pasoja disiplinore të dukshme. Kostoja bie mbi buxhetin e shtetit, taksapaguesin, qytetarin, ndërsa nëpunësi konkret, ai që ka shkaktuar dëmin, mbetet anonim dhe i paprekur.

Pa pasoja personale për abuzimin, gabimet me faj apo tejkalimet e kompetencave, diskrecioni shndërrohet lehtësisht në instrument presioni. Kur shteti vazhdon, me ose pa vetëdije, të mbrojë strukturat e veta pa kërkuar përgjegjësi nga individët që abuzojnë me detyrën, lind bindja se qeveria është më e gatshme të mbrojë aparatin sesa qytetarin.

Madje duket sikur ekziston një strategji e heshtur për të konsumuar dhe lodhur mirë palën private. Edhe kur një gjobë është qartazi abuzive dhe rrëzohet në shkallë të parë, agjencitë urdhërohen të apelojnë. Jo domosdoshmërisht sepse kanë argumente të forta ligjore, por sepse ekziston një direktivë për të mos lënë asnjë çështje të mbyllet pa u ezauruar çdo shkallë.

Dhe kështu barra zhvendoset mbi shpatullat e individit apo të biznesit. Është ai që duhet të jetojë me dosjen e hapur, me pasigurinë që ndjek çdo vendim, me frikën se një mundësi mund të humbë për shkak të një procesi që zvarritet. Është ai që duhet të bllokohet, të shtyjë planet, të përballet me bankën, me partnerët, me punonjësit, ndërsa mbi krye i qëndron shtëllunga e dendur e një konflikti pambarim me shtetin. Edhe kur ka fituar një betejë në gjykatë, ai nuk gëzon dot qetësinë e fitores, sepse çështja ringjallet sërish në një shkallë tjetër, si një dënim procedural që zgjat përtej arsyes. Zgjatet procesi si formë presioni që prek drejtpërdrejt jetën ekonomike dhe dinjitetin e atij që, në vend që të mbrohet nga shteti, detyrohet të mbrohet prej tij.

Edhe kur pala private fiton përfundimisht, ajo ka paguar një çmim të lartë, vite me procedura, avokatë, kohë të humbur, besim të dobësuar, energji të harxhuar. Ndërkohë, institucioni vazhdon normalisht dhe askush nuk mban përgjegjësi për veprimin apo aktin fillestar të gabuar. Askush nuk dëmshpërblen për stresin, për bllokimin e aktivitetit, për humbjen e mundësive.

Në këtë kontekst, kur dëgjon për armë në duart e hetuesve tatimorë, nuk mund të mos pyesësh, a po forcohet shteti, apo po forcohet frika? Po pse? Frika nuk funksionon. Dyzetepesë vite komunizëm e vërtetuan se vetëm me frikë njeriu nuk përmirësohet. Dhe për më tepër, ç‘është e vërteta, një shtet i fortë nuk është ai që frikëson, por ai që është i drejtë. Prandaj është pa kuptim nëse qytetarët dhe bizneset e perceptojnë shtetin si aparat që mund t’i dëmtojë lirshëm, pa ndonjë përgjegjësi të agjentëve që operojnë për hesapin e vet, pa ndonjë rrjedhim për cenimin e tjetrit. Është pakuptim sepse dobëson edhe më shumën besimin në institucione. Dhe besimi është kapitali më i rëndësishëm i një shteti, por ai nuk ndërtohet me gjoba, as me kontrolle të shpeshta, as me apelime automatike. Ai ndërtohet me barazi përpara ligjit, me kufizim të pushtetit, me mbikëqyrje të vetvetes dhe me ndëshkim të qartë të abuzimit.

Vite më vonë, gjasat janë se nuk do të mbahet mend nëse një hetues tatimor mbante apo jo armë, por do të mbahet mend diçka më e thjeshtë dhe më e vështirë për t’u fshirë, kujtesa se llogaritej rreziku i shtetit si një variabël, si moti apo kursi i këmbimit.

Postime të fundit