Shoqëritë kanë kaluar nga pushtete të ndërtuara nën shpatën e mbretërve në pushtete të ngritura mbi fjalën e qytetarëve. Demokracia, ajo shpikje e rrallë e njerëzimit, u bë si një ndërtesë e ndritshme prej xhami, e brishtë, por e nëpërdukshme, që drita e arsyes të hynte nga të gjitha anët. Megjithatë, edhe xhami më i pastër, nëse ndraget vazhdimisht, arrin një pikë që nuk e lë më dritën të hyjë nga asnjë anë. Dhe qëllon që mërtisjet e sotme të mos vijnë nga diktatorë të deklaruar, siç do ishte e pritshme, por nga diçka më tinëzarë, më dyfytyrëshe: politika e identiteteve.
Këtu nuk e kemi për rastet pozitive të politikës së identitetit, të cilat kanë qenë të domosdoshme për të siguruar barazi dhe për të korrigjuar padrejtësi historike. Lufta e grave për të drejtën e votës, lëvizjet për të drejtat civile të afroamerikanëve apo mbrojtja e minoriteteve, etj., janë shembuj ku politika e identitetit ka shërbyer si një mjet emancipimi dhe demokratizimi. Problemi njëmendësohet kur identiteti kthehet nga kërkesë për barazi në pretendim për përjashtim, pra, kur përdoret jo për të zgjeruar shtrirjen e lirisë, por për ta ngushtuar atë në emër të një grupi të vetëm. Ky deformim i politikës së identitetit, e kthen atë në kërcënim për institucionet demokratike, sepse në vend që të ndërtojë ura të përbashkëta, ajo ngre mure ndarëse.
Nëpër botën e kohëve të fundit, politika e identiteteve po rritet si një valë e përmbytur. Ajo ka filluar të përhapet, madje, në disa raste, edhe të mbizotërojë mbi ideologji dhe norma përgjithësisht të pranuara, duke i shpallur ato të pavlefshme.
Kur pllakos efektshëm kjo lloj politike, nuk janë më programet ekonomike, sociale dhe as vizionet e përgjithshme për të ardhmen ato që tërheqin vëmendjen. Jo, vëmendjen e marrin etiketat: çfarë je, kujt i përket, çfarë ngjyre, çfarë gjinie, çfarë rrënjësh, dhe me to, një mënyrë e re ndarjeje dhe përjashtimi hyn në gjakun e shoqërive, dhe jo si armik i dukshëm, por armik fsheharak.
Ajo shpërfaqet dhe kumbon me fjalë të rënda për “dinjitetin”, “përkatësinë” dhe “historinë e veçantë”. Dhe është e vërtetë, njeriu kërkon të njihet, të pranohet, të përkasë. Feja, etnia, gjuha, kujtesa e përbashkët të gjitha janë pjesë të shpirtit të tij, por kur këto shndërrohen në armë politike, kur përkatësia kthehet në levë për pushtet, atëherë fillon rrëqethja e institucioneve demokratike.
Problemi me politikën e identiteteve që shohim sot është se ajo e zëvendëson idenë e së përbashkëtës me dallimin, duke futur skizmën mes grupeve. Në vend të pyetjes “Çfarë duhet të ndërtojmë së bashku?”, fillohet me pyetjen “Çfarë na takon neve si grup?”. Dhe në këtë shndërrim, shteti kthehet në plaçkë, institucioni në pronë, ligji në armë e njërës palë kundër tjetrës.
Në këtë lojë, çështjet e identitetit etnik, fetar, gjinor, etj. janë hapësirë e gjerë për keqpërdorim dhe mashtrim. Një udhëheqës i paskrupullt mund të fshihet pas flamurit të një grupi, të thërrasë për mbrojtjen e tij, ndërsa në të vërtetë kërkon vetëm të forcojë pushtetin personal. Kështu, në vend që të shërbej për barazi dhe drejtësi, e shohim identitetin të shndërrohet në objekt manipulimi. Populli ndahet, emocionet shpërthejnë, dhe në këtë mjegull të krijuar, e vërteta bëhet e parëndësishme. Nga Lindja në Perëndim, nga Lindja e Mesme në Europë, shembujt tregojnë se politika e identiteteve, e futur pa skrupuj në lojën e pushtetit, bëhet fushë pjellore për mashtrime dhe iluzione të rrezikshme.
Marrim politikën e sotme europiane, ku po shfaqet gjithnjë e më qartë një lloj i ri aktori: parti dhe udhëheqës që mbështeten më shumë te britmat e turmës sesa te shpjegimet e hollësishme. Ata nuk janë mjeshtër të detajeve teknike, as arkitektë të politikave të menduara gjatë, as të programeve zhvillimore të menduara mirë. Në vend të kësaj, ata janë mjeshtër të emocionit, të ndezjes së një ndjenje të menjëhershme rreziku ose krenarie, të krijimit të një skene ku arsyetimi mbytet nga thirrja e instinktit dhe mjegullimi i paragjykimit.
Këto parti nuk përfaqësojnë të gjithë skenën politike, por janë simptomë e një tendence të re që po fiton terren: prirja për të zëvendësuar vizionin afatgjatë me thirrjen e çastit, programin me retorikën, kompromisin me polarizimin.
Çdo fjalim i tyre të ngjan më shumë me një alarm, ngjan më shumë me një kambanë që bie pa pushim, se sa me një plan ndërtimi për të ardhmen. Ata predikojnë për një kështjellë të rrethuar, që duhet mbrojtur me çdo kusht nga armiq të paqartë, herë të brendshëm, herë të jashtëm. Në retorikën e tyre, ndihen kufijtë e padukshëm që ndajnë “ne” nga “ata”. Herë Islami, herë emigrantët, herë Brukseli, të gjitha marrin trajtën e përbindëshit që rrezikon të përthithë identitetin kombëtar. Ashtu si në legjendat ku një fshat i tërë mblidhej për të përballuar dragoin, edhe këta politikanë u flasin popujve të tyre për rrezikun e shuarjes së identitetit, duke u vetëdeklaruar si “mbrojtësit e mbramë”.
Sigurisht, programet e tyre janë të mjegullta, shifrat dhe planet u treten si sheqeri në lëngun e arsyes. Sepse për ta, çdo temë politike, ekonomike apo sociale shndërrohet në një emocion të zhveshur, në një ndjesi të përhershme kërcënimi dhe në një krenari që duhet ringjallur çdo mëngjes, sikur të rrezikonte të venitej para mesditës, gjithmonë me justifikimin e nevojës për të ruajtur “identitetin kombëtar”, “dinjitetin e grupit” nga kërcënimet e llojllojshme.
Demokracia është e ndërtuar mbi kompromisin. Politika e identiteteve e përmbys këtë logjikë, kompromisi shihet si tradhti, dialogu si mohim, kundërshtari si kërcënim për vetë ekzistencën. Në vend që qytetarët të bashkohen rreth një vizioni, ata grumbullohen si fiset e lashta rreth simboleve të ngushta dhe njëfarë mitologjie tejet fantazmagorike. Një shoqëri e tillë nuk mund të mendojë për shkolla e spitale, për reforma apo për progres afatgjatë, pa u marrë më parë me trillet konspirative të momentit, me plagët e së shkuarës dhe pa ngritur barrikada të paimagjinueshme mes njëri-tjetrit.
Institucionet demokratike janë të brishta pikërisht sepse jetojnë nga besimi. Kur politika e identiteteve i zëvendëson këto me dallime të pakalueshme, besimi fillon të precipitojë në mohim. Dhe këtu shfaqet absurdi. Në emër të identitetit, institucionet humbasin funksionin, në emër të përkatësisë, humbet e përbashkëta, në emër të “dinjitetit”, harrohet vetë liria.
Në Shqipëri, ende nuk kemi rënë në këtë kurth. Përkundrazi, krahasuar me rastet e sipërpërmendura, duket se kemi një prirje për t’i kapërcyer dallimet. Ndoshta shoqëria jonë, e dalë nga shekujt e historisë, ka njëfarë kujtese të hidhur dhe për këtë arsye, ende qëndron larg tundimit të politikës së identiteteve. Mirëpo, pikërisht ky distancim i përjetuar mund të jetë rreziku i mprehtë, mendimi se jemi të imunizuar, se kjo sëmundje nuk do të na prekë.
Ndaj, paralajmërimi fshihet korridoreve, duke pritur që të dallohet përpara se të bëhet zhurmë e pakthyeshme. Nuk ka asgjë të keqe në përkatësi, me bindjet që të lidhen me një fe, një kujtesë, një histori, ato janë thesari i çmuar i çdo njeriu. Por ky thesar e humbet dritën sapo shndërrohet në mall politik, në monedhë që fiton vlerë duke i ndarë njerëzit, duke përjashtuar, duke ngritur mure aty ku duhet të kalojnë ura.
