KONFLIKTI I INTERESAVE

Çdo mandat është një akt besimi, dikujt i besohet një rol, një detyrë, një përgjegjësi. Qoftë funksionar, gjyqtar, drejtues apo profesionist, pozicioneve u besohet një pjesë e interesit të përbashkët të organizatës, të grupeve të prekura, të publikut.

Konflikti i interesave lind kur detyra e besuar dhe përfitimi vetjak vihen në përplasje të drejtpërdrejtë dhe interesi depërton në hapësirën e vendimmarrjes, duke zhvendosur qendrën e gravitetit nga orbita e së mirës së përbashkët drejt një interesi shumë më të ngushtë. E thënë shkurt, është devijimi nga drejtimi që duhet të ndjekë çdo detyrë e besuar, shërbimin ndaj së mirës kolektive.

Interesi vetjak ndërhyn në hapësirën e gjykimit, dhe gjykimi nuk është më e pastër, ai bëhet i anshëm. Subjekti nuk qëndron më në një pozitë të palëkundur nga e cila gjykon sipas normës, por në një pozitë të pjesshme ku norma mërtiset nga interesi personal.

Edhe nëse vendimi përfundimisht rezulton i drejtë, fakti që ai është marrë nën hijen e një interesi privat minon integritetin e aktit. Sepse etika dhe vizioni i qëndrueshmërisë nuk kërkon vetëm që rezultati të jetë i drejtë, por, pikësëpari, kërkon pastërti në arsyetimin që e prodhon atë.

Dikush ngarkohet të përzgjedhë projektin më të mirë për një shesh publik. Ai ka përpara disa propozime, secili me vizionin e vet për hapësirën, për dritën, për komunitetin. Por mes tyre ndodhet edhe projekti i një miku të afërt. Ky fakt bën që peshorja e gjykimit të tij të mos jetë më e baraspeshuar. Edhe nëse ai përpiqet me ndershmëri të bindë veten se po vepron objektivisht, hija e interesit privat ka hyrë tashmë në dhomë.

Në këtë dhomë ai nuk është më thjesht një profesionist që gjykon në emër të qytetit, ai është një njeri që, në mënyrë të vetëdijshme ose jo, ndien joshjen e një përfitimi për vete. Çdo argument në favor të mikut të tij bëhet disi më i ndritshëm, çdo mangësi si më e zbehtë. Nuk është e nevojshme që ai të mashtrojë apo të falsifikojë, mjafton që vëmendja e tij të vagëllohet prej interesit dhe të anojë lehtësisht.

I konfliktuari zakonisht operon brenda një narrative vetë-justifikuese ku vendimi mbetet “objektiv”, ndërsa interesi personal shihet si periferik. Ai është i bindur në aftësinë e vet për të ndarë interesin personal nga gjykimi profesional, sikur mendja të ishte laborator steril i ngrirë në hapësire, por interesat, edhe kur janë të pavetëdijshme, ndikojnë fort në gjykim, e për rrjedhojë, drejtpërdrejt në procesin e vendimmarrjes.

Natyrisht që jo çdo konflikt interesi buron nga mjegullimi psikologjik i vetë-justifikimit. Ekzistojnë edhe raste kur konflikti është produkt i qëllimshëm i personave të paskrupullt, të cilët e kuptojnë plotësisht natyrën e papajtueshme të interesit karshi rolit të tyre dhe megjithatë zgjedhin ta instrumentalizojnë atë për përfitim personal. Këtu nuk kemi të bëjmë me verbëri morale, por me kalkulim cinik, me fshehje, me manipulim. Në këto raste, konflikti i interesit është strategji.

Rastet individuale të konflikteve precipitojnë në ndërthurje interesash që përshkojnë jetën ekonomike dhe institucionale palë më palë, në çdo nivel, në çdo kind. Një marrëdhënie miqësore, një bashkëpunim i hershëm, një lidhje familjare, një pritshmëri e heshtur për mirëkuptim në të ardhmen. Këto lidhje shumëzohen dhe ndërthuren, krijojnë një rrjetë të dendur e të gjerë, që lidh individët, organizatat dhe institucionet. Në këtë rrjetë, efekti devijues i konfliktit grumbullohet përqendrueshëm, duke tjetërsuar mënyrën se si merren vendimet, si shpërndahen burimet dhe si formohen normat e bashkëpunimit. Dhe burimet shpërndahen në mënyrë jo-optimale, kostot ekonomike rriten paqendrueshmërisht dhe vendimet humbin racionalitetin afatgjatë.

Në këtë mjedis, reputacioni i vendit apo i institucionit ulet, profesionistët e ndershëm ndihen të pavlerësuar dhe të dekurajuar, ndërsa kapitali njerëzor kërkon hapësira ku integriteti shpërblehet dhe nuk anashkalohet. Në këtë mjedis, dëmtohet vetë themeli i sundimit të ligjit, sepse norma humbet fuqinë orientuese dhe kthehet në manovër prej atyre në konflikt me detyrën. Në këtë mjedis, edhe nocioni i paanshmërisë s’ka më të njëjtin kuptim, paanshmëria nuk kuptohet si distancë nga interesat personale, por si një përpjekje për të balancuar interesat e ndryshme.

Për ta luftuar, natyrisht, janë të domosdoshme mekanizma të fortë kontrolli, sepse aty ku integriteti individual mungon, vetëm arkitektura institucionale mund të vendosë kufij realë. Megjithatë, vetëm me ligje, rregullore, formularë deklarimi të plotësuar me kujdes, një rrezik i gjithanshëm si konflikti i interesit, nuk mund të trajtohet. Çdo organizatë, sado e kopsitur në dukje, mbështetet gjithmonë mbi elemente të padukshme, si karakteri i atyre që vendosin brenda tyre, si gjykimi i atyre që ushtrojnë një detyrë që kërkon paanshmëri, ndërkohë, interesi personal ndodhet shumë pranë këtij gjykimi. Kontrollet mund të vendosin kufij, por nuk mund të mbushin boshllëkun që krijohet kur ndërgjegjja institucionale mbetet e papjekur, kur  vetëdija etike kolektive e një organizate rri somnambul dhe kultura e brendshme e paanshmërisë, e përgjegjësisë, kalamendet në gjysmëterr.

Kur tension mes detyrës dhe interesit është i rrallë, ai mund të trajtohet. Kur është i përhapur, ai mund të menaxhohet. Por kur bëhet universal, ai pushon së qeni një problem për t’u zgjidhur dhe bëhet një mënyrë ekzistence e sistemit. Gjithçka duket e rregullt pastaj. Asgjë nuk duket jashtë vendit të vet. Institucionet ekzistojnë, ligjet janë të shkruara, kontratat nënshkruhen, mbledhjet mbahen dhe vendimet shpallen me gjuhë formale. Vendimet duken për arsye arsyeshme. Dikush zgjedh një partner biznesi sepse e njeh prej kohësh. Një drejtues i beson një projekt dikujt që e ka provuar më parë. Një institucion mbështetet tek ata që konsiderohen “të sigurtë”. Asgjë nuk duket e jashtëzakonshme. Por, kapur pas nyjave të interesit, një strukturë e çuditshme është formuar. Çdo vendim lidhet në mënyrë të padukshme me një tjetër, çdo interes prek një interes tjetër, si në një labirint ku korridoret lidhen mes tyre pa plan të dukshëm, por megjithatë krijojnë një sistem të plotë.

Në këtë sistem askush nuk është plotësisht i jashtëm dhe askush plotësisht i pavarur. Secili është, në një mënyrë apo një tjetër, i lidhur me një interes, një borxh të vjetër, një pritshmëri për të ardhmen.

Paradoksi është se sistemi nuk ndalet. Përkundrazi, ai funksionon. Kontratat vazhdojnë të jepen, projektet realizohen, institucionet mbijetojnë, gjithçka duket sikur ecën përpara. Ndërkohë, ideja e interesit të përbashkët, gjithnjë e më e paqartë, më e padallueshme prej interesave të ngushta, që ndërthuren si fije në tezgjah dhe humbasin pëlhurave.

Konflikti i interesit nuk është një rastësi, ai është një gjendje e vazhdueshme, në të cilën, ngadalë, pa zhurmë, sistemi orientohet nga graviteti i marrëdhënieve dhe jo sipas kornizave të rregullave. Vendimet rrjedhin aty ku nyjet në rrjetë janë më të dendura, më të forta, aty ku interesat fryhen dhe takohen më shpesh.

Megjithatë askush nuk flet për rrezikun e konfliktit të interesave, njerëzit nuk e shohin si një rrezik që duhet menaxhuar, por si një mënyrë natyrale e organizimit të jetës ekonomike dhe institucionale.

Nuk flitet për vendimet që nuk merren në një hapësirë të lirë nga interesat, por që merren brenda një dimensioni të mbushur me interesa që kryqëzohen në çdo drejtim. Shoqëria jeton e sorollatet brenda një labirinti që vetë e ka ndërtuar, një labirint ku korridoret janë të njohura për të gjithë, por dalja nuk është e qartë për askënd.

Ndoshta lulëzon pa trazuar askënd sepse nuk e ka dramatikën e korrupsionit brutal, ngaqë nuk shpërthen domosdoshmërisht në skandale, përkundrazi, vepron si një acid i ngadaltë, që bren strukturën morale të institucioneve dhe integritetin e tregut.

Në sektorin publik, konflikti i interesave është më shumë se deformim administrativ. Zyrtari publik nuk është pronar i kompetencës që ushtron, ai është bartës i përkohshëm i një përgjegjësie. Çdo vendim i tij duhet të jetë i filtruar përmes parimit të paanshmërisë dhe të interesit publik, pasi, në fund të ditës, roli i tij është t’i shërbejë qytetarit. Por kur interesi personal ndërhyn në këtë proces, vendimmarrja nuk është më akt racional në shërbim të së përbashkëtës, por kompromis i heshtur midis detyrës dhe përfitimit, pra,  deformohet vetë logjika e përfaqësimit dhe e detyrës.

Në sektorin privat, merr shpesh forma më të rafinuara, por jo më pak problematike. Drejtuesit e kompanive, anëtarët e bordeve, këshilltarët financiarë apo juridikë veprojnë sipas një parimi themelor: detyrimi i besnikërisë ndaj subjektit që përfaqësojnë. Ky parim kërkon që ata të ushtrojnë gjykimin e tyre me ndershmëri dhe në interesin më të mirë të organizatës që u është besuar. Por kur interesi ndikon vendimin, shkelet një normë etike dhe preket vetë arkitektura e besimit mbi të cilën mbështetet funksionimi i tregut.

Ekonomia funksionon si duhet në kushtet e transparencës, njëtrajtshmërisë së rregullave, dhe simetrisë së informacionit, konflikti i interesit i prish këto ekuilibra, duke krijuar avantazhe të padrejta dhe duke shtrembëruar konkurrencën.

Efektet negative të konfliktit të interesit nuk janë as të izoluara, as lineare. Përhapen si valë që prekin njëra-tjetrën dhe përforcohen reciprokisht. Megjithatë,  mungesa e ndërgjegjësimit është aq e thellë për natyrën dhe pasojat e konfliktit të interesit, sa diskursi publik shpesh reduktohet në pyetjen nëse ka pasur përfitim financiar të drejtpërdrejtë, me një qasje komplet reduktive, që injoron faktin se konflikti i interesit është problem strukturor, jo episodik, që më shumë se me pasurinë e përfituar, ai matet me deformimin e procesit vendimmarrës.

Mungesa e edukimit etik, dobësia e mekanizmave të brendshëm të kontrollit, presioni social për lojalitet, si dhe një kulturë relativizmi ku rregullat shihen si fleksibël, janë faktorë të pamëshirshëm që spërkatin verbëri kolektive ndaj fenomenit.

Një vendim prek një mik, një tjetër një bashkëpunëtor, një tjetër prek dikë që nesër mund të bëhet partner. Çdo veprim ka një rezonancë në rrjetën e marrëdhënieve të vesuara me interes.

Rrjeta e padukshme qëndron përkrah rrjetës formale të institucioneve. Në nivelin formal ekzistojnë ligje, procedura dhe procese. Në nivelin real ekziston një rrjetë e dendur marrëdhëniesh ku interesat personale përshkojnë rolet publike e korporative në mënyrë të vazhdueshme.

Postime të fundit