VIKTIMA ËSHTË AUTORI I KRIMIT

Kriminalizimi i posedimit të drogave duket sikur është shkruar në të gjithë botën nga e njëjta dorë. Nga një sistem në tjetrin, nga një regjim në tjetrin, ligji ndryshon trajtën, por jo substancën. Anembanë, ndëshkimi i përdoruesit duket si një pasojë normale dhe e natyrshme e ligjit.

Kudo i njëjti refren, të njëjtat justifikime, shëndeti publik, familja, komuniteti, morali, rendi, të shqiptuara me sigurinë e së vetëkuptueshmes, sikur bota të kishte rënë dakord, pa debat, mbi të njëjtin version të së drejtës dhe të frikës.

Thonë se mbrojnë familjen, moralin, shëndetin, duke i vënë gishtin përdoruesit. Megjithatë, ura që ndërtohet mes poseduesit dhe dëmit të pretenduar mbetet një mjegull e dendur, një mugëtirë e vërtetë, e pranishme në diskurs, por e pakapshme në formë.

Asociimi i përdoruesit me dëmin që ligji kërkon të parandalojë, nuk përshkruhet kurrë qartë, nuk merr kurrë trajtë të dallueshme, ekziston më shumë si insinuatë sesa si fakt. Dëmi që i atribuohet është gjithmonë i shtyrë drejt një të ardhmeje hipotetike, një mundësi e ngrirë në kohë, e ndërmjetësuar nga frika, e ndërtuar me supozime, dhe e mbajtur gjallë jo nga prova, por nga përsëritja. Domethënë një dëm, kështu, i përgjithshëm, pa viktimë të drejtpërdrejtë dhe pa një lidhje të qartë shkak-pasoje.

Ligj i drejtë është ai që të ndëshkon për veprime që shkaktojnë pasoja të njohura dhe të përcaktueshme tek të tjerët, megjithatë, në rastin e posedimit, sjellja nuk gjykohet për atë që ka prodhuar, por për atë që mund të prodhojë disi tërthorazi dhe potencialisht.

Në këtë arkitekturë të fajit, dështimet reale të politikave, të institucioneve, të sistemit shëndetësor, të vetë shtetit në luftimin e dukurisë së drogës, zhvendosen dhe përqendrohen mbi individin. Barra morale dhe penale bie mbi përdoruesin, i cili shndërrohet në bartës të një faji kolektiv. Dhe ndëshkimi është burgu, mjeti më i rëndë që shteti njeh, që paraqitet si zgjidhje për një faj që nuk e provon dot, vetëm mund ta spekulosh. Është një ndëshkim që nuk i bën drejtësi askujt dhe nuk mbron askënd nga ndonjë dëm i drejtpërdrejtë.

Kriminalizimin e posedimit e justifikojnë me logjikën e uljes së kërkesës. Skema është e thjeshtë, dënimi supozohet të trembë përdoruesin dhe kështu të tkurrë tregun. Kjo logjikë e përsëritur për dekada nuk ka arritur të japë rezultatet që premtonte, megjithatë i mëshohet pa ia nda. Personi nuk shihet si subjekt me histori, dhimbje, trauma, apo nevoja, sepse në këtë rast, për shtetin, nuk ka rëndësi pse njerëzit përdorin substanca, për sa kohë ai përpiqet t’i frikësojë ata që të mos i përdorin. Varfëria, izolimi, depresioni, ankthi, trauma dhe mungesa e perspektivës nuk trajtohen si shkaqe, më shumë si zhurmë në sistem.

Një tjetër justifikim është ndërprerja e zinxhirit të shpërndarjes. Posedimi kriminalizohet që shteti të mund të ndërhyjë në çdo hallkë, jo vetëm tek trafikantët. Trafikantët nuk do kenë mundësi të fshihen mes përdoruesve dhe as policët nuk do të kufizohen në ndërhyrjen e tyre në hallkën më të dobët të zinxhirit. Në teori, kjo mund të duket si zgjerim i frontit kundër krimit, në praktikë, do të thotë se përdoruesi  bëhet objektivi kryesor. Sepse realiteti i zbatimit ndjek rrugën më të kollajtë. Është shumë më e lehtë të arrestosh dikë me një qese të vogël në xhep sesa të çmontosh rrjete ndërkombëtare. Prandaj dhe shohim që statistikat e arrestimeve mbahen ose rriten, ndërsa strukturat e njëmendta të tregut vazhdojnë të funksionojnë të paprekura.

Pastaj vjen parandalimi përmes frikës, logjika e deterrencës. Dënimi supozohet të edukojë, frika supozohet të zëvendësojë trajtimin. Por frika nuk shëron, as nuk krijon besim, përkundrazi, i shtyn njerëzit të fshihen, të izolohen, të mos kërkojnë ndihmë. Frika krijon kushte më të rrezikshme përdorimi, dhe në vend që sistemi shëndetësor të jetë porta e parë, porta e parë bëhet komisariati.

Një shtresë tjetër në koren e justifikimeve, më e vjetër dhe më e thellë, është moralizimi i përdorimit të drogës. Në shumë kultura, përdorimi i substancave nuk shihet vetëm si rrezik shëndetësor, por si dështim moral. Përdoruesi nuk është vetëm dikush që ka bërë një zgjedhje, ai është dikush që ka “rënë”. Ligji, në këtë kuptim, nuk vepron vetëm si rregullator, por si gjykatës moral, prodhon turp. Turpi është një armë e fuqishme shoqërore, ai e përjashton individin, e bën të heshtë, e bën të padukshëm prej ndrydhjes.

Të gjitha këto arsye, shëndeti, tregu, parandalimi, morali, rendi, ndërtohen mbi një lloj dëmi spekulativ, dëme të imagjinuara, të ekstrapoluara, të hiperbolizuara. Flitet për atë që mund të ndodhë, varësi, krim, prishje e shoqërisë, rrezik për rininë, rënie morale. Janë dëme të projektuar në të ardhmen, të përgjithësuara, shpesh të fryra për efekt politik. Ndërkohë, dëmi i drejtpërdrejtë, real, i prekshëm, ai që prek jetë njerëzish, atë e prodhon vetë ligji.

Ky dëm ka emra konkretë: papunësi. Një dosje penale për posedim, edhe për sasi minimale, mjafton për të mbyllur dyer. Punëdhënësit nuk shohin individin, shohin rekordin. Një qese e vogël bëhet më e rëndë se një diplomë, më e fortë se një rekomandim, më e zëshme se një CV e denjë. Talentet, aftësitë, përvoja, përkushtimi, të gjitha zbehen përballë tek fjale në certifikatë: “dënuar”. Dënimi në fjalë është një hall i zgjatur, shkon përtej vuajtjes së tij në qeli, është një hije që të ndjek për vite, ndonjëherë për gjithë jetën.

Ka pastaj humbjen e mundësive. Bursa, programe shkëmbimi, projekte ndërkombëtare, emërime, kontrata, të gjitha mund të digjen për shkak të një shkeljeje që nuk ka dëmtuar askënd tjetër përveç vetë përdoruesit. Në një botë gjithnjë e më të lidhur, ku lëvizshmëria është kapital, një rekord për drogë bëhet mur. Vizë e refuzuar. Udhëtim i pamundur. Kufij që mbyllen jo për atë që ke bërë ndaj të tjerëve, por për atë që ke mbajtur në xhep.

Ka ekspozimin ndaj jetës kriminale. Kur të mbyllen dyert e ligjshme, hapen dyer të tjera. Margjinalizimi i shtyn njerëzit drejt mjediseve ku krimi është më i pranishëm, më i normalizuar, më i pashmangshëm.

Ka stigmatizimin. Etiketimi “përdorues droge” nuk mbetet vetëm në dosje, ai depërton në familje, në komunitet, në marrëdhënie, në vetëperceptim. Njeriu fillon ta shohë veten përmes syve paragjykues të ligjit, si problem, si rrezik, si dështim. Po flasim për dëm psikologjik të thellë,  i cili krijon ankth, depresion, ndjenjë faji, ulje të vetëvlerësimit.

Ka përjashtimin. Shoqëria i mëson këta njerëz të qëndrojnë në margjina, me një shenjë të vogël pranë emrit, me një shpjegim për të dhënë, me një dyshim për të përballuar.

Po sa njerëz janë shkatërruar nga kjo? Sa artistë, shkencëtarë, inxhinierë, mjekë, shkrimtarë, sipërmarrës, studiues, sportistë, janë devijuar nga rruga e tyre për shkak të një momenti, një zgjedhjeje, një gabimi pa viktimë? Sa jetë janë ngushtuar, sa horizonte janë mbyllur, sa potencial është penguar, jo nga substanca, por nga ligji?

Një varësi, një episod, dhe më pas një jetë me pengesa. Ky është disproporcionaliteti i masës në formën e tij më të pastër.

Prandaj, kriminalizimi i posedimit nuk është thjesht politikë e gabuar, është padrejtësi strukturore. Është moralizim i institucionalizuar, ku turpi i abstraktuar përdoret si mjet qeverisjeje. Është ligj që prodhon dëm më të madh se ai që pretendon të parandalojë. Është sistem që sakrifikon jetë reale për rreziqe të imagjinuara dhe për probleme sociale për  të cilat është fajtore e tërë shoqëria.

Më e rëndë nuk është çështja pse kjo politikë ekziston, por pse vazhdon, pavarësisht provave të shumta për efektet negative të saj. Ndoshta përgjigjja është e pakëndshme sepse kjo politikë nuk është ndërtuar për të shëruar, është ndërtuar për të kontrolluar, për të disiplinuar, për të prodhuar kategori njerëzish që janë të menaxhueshëm përmes ndëshkimit. Në këtë kuptim, kjo nuk është një politikë e dështuar. Ajo ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë saktësisht sipas logjikës së pushtetit, edhe pse ka dështuar sipas logjikës së drejtësisë.

Kriminalizimi i posedimit shërben si instrument kontrolli shoqëror, pavarësisht justifikimeve. Ai i jep shtetit një arsye të përhershme për ndalim, kontroll, survejim dhe ndërhyrje në jetën private. Ai krijon një kategori njerëzish që janë gjithmonë të dyshuar, trupi i tyre është terren ligjor, jeta e tyre, çështje rendi publik. Kjo nuk është thjesht politikë droge, është teknologji pushteti.

Miliona njerëz në mbarë botën mbajnë në biografinë e tyre jo një krim të vërtetë, por një shenjë. Dhe kjo shenjë nuk është rezultat i një dhune, mashtrimi apo dëmtimi të tjetrit. Është rezultat i një ligji që ka zgjedhur të ndëshkojë individin për të mbrojtur një abstraksion.

Pyetja morale që duhet të tingëllojë si kambanë e ndërgjegjes është e thjeshtë, edhe pse përgjigjja politike është e vështirë, sa jetë jemi gati të sakrifikojmë për të ruajtur një iluzion kontrolli? Dhe sa talent, sa shpresë, sa mundësi do të vazhdojmë të rëndojmë, për hir të një turbullire që prej dekadash ka treguar se di të dënojë,  ka dëshmuar se di të prodhojë fajtorë të pafajshëm, t’i marrë ata më qafë, pa arritur të ndryshojë problemin.

Postime të fundit