Çuditërisht, krimet më të rënda në historinë e njerëzimit janë kryer gjithnjë nga ata që dinin të justifikonin vetveten.
Akoma sot, një nga misteret e shkoduara të shoqërisë moderne mbetet fakti se si individë të caktuar, madje edhe kur janë të arsimuar dhe të respektuar, arrijnë të bëjnë hapa që bien ndesh me çdo rregull etike, pa u trazuar as sadopak.
Këtë e mundëson një mekanizëm psikologjik që studiuesit e quajnë “shkëputje morale” (moral disengagement), një proces mashtrues i mendjes, përmes të cilit njeriu riformulon realitetin sipas rehatisë së vetëdijes. Për qetësi të mendjes e zbut peshën e fajit derisa faji të bëhet pothuaj i padukshëm. Është një mekanizëm fsheharak që nuk e mohon shkeljen, por e tret atë në një rrëfim të pranueshëm, edhe pasi ka kaluar një vijë që dikur ishte e pakalueshme.
Qoftë prej interesit, frikës apo presionit të momentit, nëpërmjet këtij procesi psikologjik, njerëzit justifikojnë veprimet e veta mosetike, duke i larguar ato nga vetëdija si diçka e gabuar dhe duke i vendosur në një kind tjetër të vetëdijes si diçka e drejtë. Në vend që të ndihen fajtorë, ata krijojnë arsyetime që i bëjnë të ndihen në rregull me vetën, pa ndjenjën e fajit. Robi nuk thotë: “kam gabuar”, nuk e pranon me veten, por sajon një arsyetim që e bën të ndihet mirë, sikur çdo gjë të ishte pjesë e një zhvillimi të zakonshëm.
Shkëputja morale nuk është një shpikje e kohëve të fundit. Historikisht, sundimtarë të ndryshëm bindeshin se masakrat apo sakrifikimet njerëzore ishin të nevojshme për nderimin e perëndive ose për ruajtjen e rendit shoqëror. Ndërsa në shoqëritë moderne ajo merr forma më të sofistikuara, në zyrat e biznesit, në tryezat e këshillave administrativë, në të folurën pa dorashka të një punonjësi që thotë: “po nuk e bëmë ne, e bën dikush tjetër”.
Shfaqet në forma të ndryshme. Forma më e njohur është “justifikimi moral”, i cili ia ndryshon petkun një veprimi të gabuar, të keqen e pagëzon si të mirë, të tmerrshmen, si të nevojshme. Njeriu nuk e sheh më veprimin e vet si shkelje, por si domosdoshmëri, si shërbim ndaj një qëllimi më të epërm. Nga luftërat e shpallura në emër të progresit deri tek shkeljet e vogla në zyrë, që shpesh justifikohen me shabllonin e “të mirës së përgjithshme”, historia njerëzore është plot me të tillë shembuj.
Një tjetër formë është spostimi i përgjegjësisë. Sa herë kemi dëgjuar frazën: “unë thjesht zbatova urdhrat”? Një mënyrë krejt e zakonshme për të hequr barrën nga vetja dhe për ta vënë mbi shpatullat e një autoriteti. Në një strukturë hierarkike, për shembull, fajin e merr gjithmonë tjetri: komandanti, drejtori, sistemi. Individit i mbetet vetëm të përjetojë lehtësinë e një marionete që nuk ka bërë gjë tjetër veçse t’i përgjigjet detyrimisht fijeve.
Dehumanizimi është një tjetër skenë e kësaj drame. Tjetri nuk shihet më si njeri, por si një figurë e zvogëluar, pa vlera. Kur ky transformim ndodh, çdo trajtim i padrejtë duket i pranueshëm. Kur tjetri nuk është më njeri, çdo akt kundër tij shfaqet si i arsyeshëm, sikur bën sens. Kështu shpalosen si të pranueshme padrejtësi të rënda në përditshmëri, në marrëdhënie pune, në shoqëri e gjetkë.
“Krahasimi i favorshëm” është një tjetër formë e njohur. “Mund të kem gabuar, por ka që bëjnë edhe më keq”. Ky është arti i lashtë i zhvendosjes së vëmendjes. Në vend që njeriu të përballet me përgjegjësinë e vet, ai shikon krimet më të mëdha dhe i krahason me veprimin e tij, që tashmë duket fare i lehtë, pothuaj i padukshëm.
Një tjetër, gjuha. Fjala bëhet veshje për të zbukuruar fajin. Një vjedhje quhet “optimizim i burimeve”, një shkelje ligji quhet “fleksibilitet”, një mashtrim, “krijimtari financiare”. Eufemizmat, termat e butë, shërbejnë si jastëkë mbi të cilët mbështetet e qetë ndërgjegjja, pa u trazuar.
Imagjinoni një bankë të madhe, ku një departament marketingu vendos të fshehë disa komisione e interesa të një produkti të reklamuar. Në mbledhje, dikush ngre pyetjen “A nuk është ky mashtrim?”. Por përgjigjja vjen e shpejtë: “Jo, është thjesht komunikim strategjik. Klientët duhet të lexojnë më mirë.” Në atë çast, shkëputja morale e ka bërë punën e saj, e ka zhvendosur fajin nga institucioni te viktima.
Një grup përballet me një shkelje dhe zgjedh heshtjen kolektive. Nuk është miratim i hapur, është shpërndarje e përgjegjësisë në aq shumë duar saqë ajo humbet tërësisht peshën e saj dhe askush nuk ndihet më përgjegjës.
Megjithatë, pavarësisht formave dhe kontekstit, në çdo rast, shkëputja morale është një tradhti e brendshme, mendja e njeriut e mashtron veten. Në vend të përballjes me ndërgjegjen, kemi justifikim të ngjashëm me një perde të imagjinuar që mbulon fytyrën e vërtetë të fajtorit. Fajtori është prapë aty, pas perdes së imagjinuar, nuk është larguar, vetëm është fshehur.
Po pse ndodh kjo? Sepse njeriu nuk e duron dot përballjen e drejtpërdrejtë me fajin. Mënyra e vetme për të vazhduar, pa u thumbuar nga ndërgjegjja, është të krijojë një perde fjalësh dhe arsyetimesh.
Për më tepër, problemi nuk është indiferent dhe moskokëçarës ndaj ambientit ku ekziston. Bile, terreni më pjellor e më ushqyes, ku shkëputja morale lulëzon si një bimë helmuese, është një shoqëri që shpërblen suksesin dhe jo moralin, që vlerëson fitimet dhe jo ndërgjegjen, pakë a shumë si kjo e sotmja.
Shkëputja morale është vërtetë një art i errët, paramendo, përmes një fjale të butë si mëndafshi, të çliron nga barra e moralit. E parë më hollë, është një mënyrë se si një organizatë, një qytet apo një komb mund të shndërrohet në bashkëpunëtor të së keqes, pa asnjë kollitje me nënkuptim, pa asnjë britmë, pa asnjë rigë gjaku, vetëm me një varg arsyetimesh të qeta, të përsëritura deri në mpirje.
