KUOTAT E RENDIT

Në çdo institucion ekziston një zonë e padukshme ku vendimi lind përpara se të shpallet. Aty, në atë hapësirë të brendshme të gjithsecilit aty brenda, përzihen frika dhe ambicia, instinkti për të mbrojtur veten, dëshira për t’u dukur i suksesshëm dhe nevoja për të mos dështuar. Në këtë pështjellim, asnjë vendim nuk është thjesht produkt i rregullores a i planit, është gjithashtu rezultat i një ekuilibri vazhdimisht të ndryshueshëm prej ndërveprimit të shtysave të brendshme dhe presioneve të jashtme.

Megjithatë, pavarësisht se pështjellimi është një realitet i njohur dhe i pamohueshëm, në shumë sisteme policore bashkëkohore, vlerësimi i punës së oficerëve është i lidhur drejtpërdrejt me ca statistika të thata. Sa arrestime janë kryer, sa gjoba janë vendosur, sa shkelje janë regjistruar në fund të muajit. Në shikim të parë, mund të duket si mënyrë logjike për të matur efektivitetin, sikur sa më shumë raste, aq më shumë siguri për qytetarët. Por, një qasje e tillë i ka të gjitha premisat për ta kthyer ligjin në një makinacion i cili nxit sjellje që i qëndrojnë larg standardit të dëshiruar të drejtësisë.

Çështja është se njeriu nuk është makinë normative që zbaton rregullin me indiferencën e një algoritmi. Ai nuk funksionon si një orë që lëviz akrepat sipas një mekanizmi të pandikuar nga bota përreth. Përkundrazi, ai dëgjon, ndien, nuhat klimën morale dhe materiale të mjedisit ku jeton dhe të gjitha këto ia ndikojnë sjelljen.

Dhe vëmendja e tij nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë mbi realitetin, ajo kapton drejt atyre shkëndijave ku ndriçon shpërblimi, domethënë, ku i plotësohet interesi. Ashtu si bima që kthehet nga dielli, mendja njerëzore kthehet nga drita e incentivës. Aty ku sistemi vendos dritë, d.m.th., bonus, vlerësim, avancim, etj., aty përqendrohet energjia. Ndërsa kur ka heshtje, kur nuk ka matje, kur nuk ka duartrokitje, interesimi zbehet, detyra shmanget.

Makina normative do ta aplikonte rregullin njësoj në çdo rrethanë, pa u ndikuar nga metoda e vlerësimit. Njeriu është ndryshe, e përkthen rregullin përmes pritshmërive të sistemit ku ndodhet. Ai pyet, ndoshta pa vetëdije: çfarë njihet? çfarë shpërblehet? çfarë do të mbetet e padukshme? Dhe gradualisht dhe rrjedhshëm, si rrjedha e ujit që gjen birën më të lehtë drejt shtratit të nëndheshëm, sjellja e tij formësohet nga këto përgjigje.

Të vendosura nga lart dhe të ngulitura në mendjen e çdo oficeri, kuotat krijojnë kështu një realitet ku qëllimi i punës nuk është më parandalimi i krimit apo përballja me të fortët, por arritja e një shifre boshe në fund të muajit. Përse të përballesh me grupet e armatosura, me rrjetet e drogës që kontrollohen nga njerëz të fuqishëm, ku rreziku është i madh dhe përplasja e tutshme? Është më e thjeshtë të ndalosh një student arti.


Kuotat në këtë mënyrë e deformojnë funksionin e policisë. Burimet dhe energjitë e saj marrin drejt më të “lehtëve” dhe i largohen krimit të organizuar apo sigurisë së njëmendtë publike. Ngatërrohen përparësitë, ata që duhej të ishin mbrojtësit e qytetarëve, bëhen përndjekës të gabimeve të vogla të qytetarit të zakonshëm, ndërsa shkeljet serioze, krimi i madh, mbeten paprekur.

Kësisoj, sa më shumë shifra të grumbullohen në raportet mujore, aq më pak drejtësi ndjen qytetari në përditshmëri. Sepse, nga një këndvështrim i gjerë shoqëror, sistemi i kuotave krijon tërthorazi një klimë cinizmi. Qytetarët fillojnë të besojnë se ligji nuk ekziston për të gjithë njësoj. Ai zbatohet aty ku është më e lehtë, aty ku rezistenca është minimale, e për rrjedhojë ka më pak besim tek drejtësia, humbet edhe vullneti për të bashkëpunuar me institucionet dhe për të respektuar normat.

Gjithashtu, vetë policët futen në një spirale cinizmi moral. Kur sistemi të shpërblen edhe për punë të lehta, njeriu mëson të justifikojë shmangien e detyrës së vërtetë dhe nuk e sheh më përmasën morale të veprimeve të veta, por vetëm komfortin personal. Një student i arteve nuk është më një i ri me të ardhme, por një “rast” i lehtë që mbyll tabelën e muajit.

Një sistem vlerësimi i ndërtuar mbi kuota numerike nuk e shndërron ligjin vetëm në aritmetikë, ai ndërhyn në algoritmin e gjykimit. Mënyra e matjes fillon të diktojë sjelljen. Nën presionin e kuotave, paragjykimet kognitive, që zakonisht veprojnë në sfond, bëhen më të spikatura, më të forta. Mendja anon drejt asaj që është e menjëhershme dhe e dukshme dhe shkeljet e vogla, të lehta për t’u zgjidhur e dokumentuar, marrin përparësi ndaj hetimeve të gjata e të pasigurta.

Ajo që është më e arritshme perceptohet si më e rëndësishme. Edhe koha fillon të sillet ndryshe. Sa më shumë afrohet fundi i periudhës së vlerësimit, aq më shumë intensifikohet veprimi, energjia përqendrohet aty ku rasti duhet të mbyllet me sukses. Numri bëhet gjuhë justifikimi dhe performanca ilustrohet me diagrame, pa ndikimin e duhur në siguri apo në besimin publik.

Përkundër kësaj tabloje të padëshiruar, është e nevojshme të ndryshohet mënyra se si matet performanca. Policia të mos vlerësohet për numrin e arrestimeve, por për cilësinë e rezultateve: uljen e krimit të organizuar, rritjen e sigurisë publike, rritjen e besimit qytetar.

Në vend që të shpërblehet numri i gjobave dhe i arrestimeve, duhet të vlerësohet respektimi i të drejtave të njeriut dhe integriteti i procesit. Në vend të statistikave të thata, duhet të përdoren tregues më të ndërlikuar, por më të ndershëm, që matin jo vetëm aktivitetin policor, por edhe ndikimin e tij real në sigurinë e qytetarëve.

Shifrat mund të mbushin raporte mujore, por nuk mund të mbushin boshllëkun moral që krijohet kur ligji ndëshkon të dobëtit dhe shpërfill të fortët, që ha peshqit e vegjël dhe lë të mëdhenjtë.

Në këtë kuptim, kuotat policore janë një pasqyrë e filozofisë me të cilën një shtet e kupton drejtësinë, dhe drejtësia nuk është vetëm çështje norme, por edhe çështje drite. Aty ku drita e shpërblimit bie mbi numrin, numri bëhet prioritet. Aty ku bie mbi efektivitetin dhe drejtësinë, ato forcohen.

Një shtet që zgjedh numrin mbi moralin, lehtësinë mbi përballjen, statistikën mbi realitetin, duhet ta ketë harruar se njeriu nuk është makinë, se ai është organizëm që përshtatet. Dhe sistemi që pretendon të udhëheqë për së mbari duhet të kujtojë se duke ndryshuar atë që shpërblen, ndryshon edhe atë që njerëzit zgjedhin të jenë.

Postime të fundit