SHOQËRI TREGU

Vite më parë, në fillim të viteve 90, Shqipëria nuk e kuptoi se çfarë po përqafonte. Ajo doli nga një rend i mbyllur, ku gjithçka ishte e varfër por e parashikueshme, dhe hyri në një hapësirë të hapur ku gjithçka dukej e mundur, por asgjë nuk ishte e sigurt. Fjalët e reja “”treg”, “privatizim”, “kapital”, tingëlluan përnjëherë si të huaja, u përkthyen me ngut dhe u vendosën mbi një realitet që nuk i njihte dhe nuk i kuptonte.

Fasadat e vjetra filluan të mbuloheshin me tabela të reja gjithë shkëlqim. Dyqane të vogla u shfaqën si kërpudhat pas shiut, secili me një dritë të zbehtë brenda dhe një uzdajë të madhe mbi derë. Në to, njerëzit hynin e dilnin jo vetëm për të blerë, por për të provuar një ndjesi të re: zgjedhjen. Ishte një ndjenjë e paprovuar më parë, pothuajse e dyshimtë, si një liri që nuk dihej ende si të përdorej, dhe që më vonë u mësua të keqpërdorej.

Pa vonuar, bashkë me mallrat hyri edhe një mënyrë tjetër e të menduarit, që nuk u shpall, nuk u diskutua, thjesht u përhap. Kështu ndodhi që, dalëngadalë, gjërat të maten ndryshe. Jo më me nevojë apo detyrim, por me çmim. Ajo që dikur ndahej, filloi të shitej, dhe ajo që dikur kërkonte leje, tani kërkonte para.

Ishte një ndryshim pa ceremoni. Askush nuk tha: tani po hyjmë në një shoqëri të tregut, të gjithë flisnin vetëm për ekonominë e tregut, edhe pse shenjat e shoqërisë së tregut që po formohej si mjegull e dendur përmbi pyll të lashtë, ishin kudo. Në mënyrën se si njerëzit filluan të shikonin njëri-tjetrin, në mënyrën se si fjala “mundësi” mori një kuptim të ri, në mënyrën se si pritja u zëvendësua nga nxitimi, në mënyrën se si koha vetë u bë një lloj monedhe e padukshme.

U ngatërrua ekonomia e tregut, e cila kërkonte konkurrencë, iniciativë, liri ekonomike, me shoqërinë e tregut, e cila kërkonte diçka tjetër, që gjithçka të kishte çmim. Gjithçka, jo vetëm mallrat, shërbimet, apo  puna, por edhe nderi, edhe miqësia, edhe kujtesa.

Duke menduar se ishin e njëjta gjë, si dy emra të ndryshëm për të njëjtin mall, askush nuk e ndjeu nevojën të dallonte mes një mekanizmi për të prodhuar pasuri dhe një tjetri që fillon të rregullojë jetën. Në mjegullën e viteve të para, kur çdo gjë e vjetër duhej rrëzuar dhe çdo gjë e re duhej adhuruar, dallimi mes tyre u tret përgjithmonë si një kufi i vizatuar me shkumës mbi ndonjë rrasë mermeri nën shi.

Në atë ngatërrim të pandalshëm, logjika e tregut kishte dalë nga kufijtë e ekonomisë, e depërtuar në vetë qelizat dhe indet e jetës shoqërore. Tregu, një mekanizëm për shkëmbimin e mallrave, filloi të diktonte mënyrën si njerëzit vlerësonin gjërat, marrëdhëniet dhe njëri-tjetrin.

Gjuha e çmimit ishte e vetmja gjuhë që mund të shpjegonte botën. Njerëzit vazhdonin të flisnin për lirinë, por kishin parasysh vetëm lirinë për të blerë. Flisnin për suksesin, por shpesh nënkuptonin vetëm pasurinë, ndërkohë që pa kuptuar kishin krijuan një pasqyrë të çuditshme ku qytetari dhe konsumatori nuk dalloheshin me njëri-tjetrin.

Gjithnjë e më shumë, tregu behej një mënyrë e të menduarit, një gjuhë e heshtur që përkthente vlerat, marrëdhëniet dhe madje edhe identitetin njerëzor në terma të çmimit dhe përfitimit. Megjithatë, njerëzit ishin në mohim. Disa syresh filluan ta nuhasin se disa gjera, sapo hynin në treg, ndryshonin natyrë dhe se tregu nuk ishte një hapësirë neutrale, por një forcë që i jepte trajtë zakoneve, dëshirave dhe vetë gjykimit moral. Ata vunë re se disa të mira, sapo merrnin një çmim, humbnin një pjesë të kuptimit që kishin pasur më parë. Miqësia, detyrimi qytetar, nderi, madje edhe arsimi apo shëndeti, nuk mbeteshin të paprekura kur trajtoheshin si mallra të zakonshme. Kur një shërbim, një veprim apo një marrëdhënie vendosej në treg, ajo nuk mbetej më e njëjtë. Vetë akti i vendosjes së një çmimi mbi diçka e ndryshonte mënyrën e perceptimit. Ose një gjest që buronte nga solidariteti, merrte një tjetër peshë kur shndërrohet në pagesë. Një angazhim qytetar merrte një tjetër kuptim kur kompensohej në mënyrë monetare.

Megjithatë, të mbytur me hallet e ditës, konsiderata të tilla nuk para trazuan mendimet e njerëzve, të cilët me një indiferencë të akullt dhe gjithë pluhur, as nuk u shqetësuan se cfarë ekonomi tregu po krijojmë, dhe as me çfarë ndodh me jetën publike dhe me kuptimin moral kur gjithçka bëhet e këmbyeshme dhe mund të blihet.

Si rrjedhojë, ekonomia e tregut nuk e mori kurrë formën e një rendi të qartë, dhe sot i ngjan më shumë një pazari të çrregullt, një hapësire ku rregullat nuk janë të fiksuara, ku kufijtë janë të paqartë, ku çdo gjë mund të vendoset ndryshe nga dita në ditë. Paradoksalisht, u bëmë dhe mbetëm një shoqëri që jeton besnikërisht me logjikën e tregut, por pa një strukturë të fiksuar të tij.

Ndërsa dukuria e zgjerimit të tregut përtej ekonomisë vazhdoi në mënyrë të heshtur, pa pikë reflektimi kolektiv. Transformimi moral i shoqërisë nuk erdhi përmes diskurseve të plota dhe as përmes vendimeve të qarta. Praktika të reja filluan të pranohen jo sepse ishin diskutuar dhe miratuar si të drejta, por sepse vinin nga jashtë, ose ishin bërë të zakonshme ose ishin teknikisht të mundshme. Kaq mjaftonte. Ndërsa tregu bëhej modeli dominues i organizimit shoqëror, njerëzia programohej në palcë të optimizonte zgjedhjet e veta në funksion të interesit personal. Ky kalkulim filloi të aplikohet në çdo fushë të jetës, sikur çdo marrëdhënie të ishte një kontratë, sikur çdo angazhim të ishte është një transaksion.

Dinjiteti njerëzor, besimi, solidariteti, integriteti institucional, këto koncepte abstrakte që mbajnë së bashku jetën shoqërore, u trajtuan si mallra dhe e humbën kuptimin e tyre të brendshëm.

Nëse çdo gjë mund të blihet dhe shitet, atëherë duhet bërë pyetja: a ka ende gjëra që i përkasin sferës së përbashkët morale, gjëra që nuk duhet të jenë objekt tregu? Dhe nëse po, kush e përcakton këtë kufi? Alternativa është të mos shtrohen këto pyetje, alternativa është një shoqëri që i redukton marrëdhëniet njerëzore në logjikën e tregut, duke rrezikuar fshirjen, zhdukjen e të gjitha lidhjeve që nuk janë të bazuara në përfitim. Sepse, miqësia, besimi publik, pjesëmarrja qytetare, këto nuk lindin nga llogaritja e fitimit, por nga një ndjenjë e përbashkët përgjegjësie dhe përkatësie. Kur këto zëvendësohen nga logjika e interesit, shoqëria bëhet e turbulluar në tërësi, e çrregullt.

Një shoqëri tregu e tillë përveç pabarazive materiale, ushqen pabarazi morale dhe krijon një ndarje të nderë midis atyre që jetojnë në një hapësirë më të mbrojtur nga tregu dhe atyre që janë plotësisht të ekspozuar ndaj tij.

Por nuk është vetëm pabarazia, është edhe transformimi i vetë kuptimit të së mirës së përbashkët. Në një shoqëri të tregut, e mira publike nuk arrin të kapë dimensionin moral të jetës së përbashkët, ku qytetarët angazhohen për vlera që nuk mund të reduktohen në interes individual. Prandaj, reflektimi mbi shoqërinë e tregut nuk është analizë ekonomike, por një reflektim mbi karakterin e jetës së përbashkët. Çfarë lloj marrëdhëniesh duam të kultivojmë? Çfarë vlerash duam të mbrojmë? Dhe deri ku jemi të gatshëm të lejojmë që logjika e tregut të formojë përgjigjet tona?

Sigurisht që tregu nuk duhet demonizuar, ai është një instrument i fuqishëm që mund të sjellë efikasitet dhe inovacion, por që ka nevojë për kufij moralë dhe institucionalë. Sepse shoqëritë nuk jetojnë vetëm me çmime, ato jetojnë edhe me gjëra që nuk mund të maten. Me bindjen se drejtësia nuk del në ankand. Me respektin për dijen, edhe kur ajo nuk sjell fitim. Me besimin që një mjek nuk do të të trajtojë sipas portofolit.

Ndoshta drama e kohës sonë është se nuk dimw kufirin përtej të cilit tregu duhet të ndalet. Si një lumë që ujit arat për sa kohë që rri në shtratin e vet, por që shndërrohet në fatkeqësi kur kërkon të përmbysë gjithçka. Ndoshta kundruall këtij përfytyrimi bëhet e qartë se liria ekonomike nuk është e njëjtë me shitjen e çdo gjëje, as prosperiteti me adhurimin e parasë. Se një komb mund të ketë tregje të gjalla dhe njëkohësisht të ruajë gjëra të shenjta, mund të ketë konkurrencë pa e kthyer njeriun në mall, mund të prodhojë pasuri pa varfëruar kuptimin e jetës. Dhe se tregu është një vend i shkëlqyer për të caktuar çmimin e bukës, por një vend i tmerrshëm për të caktuar vlerën e njeriut.

Postime të fundit