Ka shoqëri që ecin përpara duke u përballur me të tashmen dhe duke ndërtuar të ardhmen. Ato nuk kanë nevojë të bërtasin për madhështinë e tyre, sepse ajo flet vetë. Ka të tjera që ecin mbrapsht, duke u kthyer vazhdimisht te një e kaluar e stërmadhuar, e lustruar dhe e ripërfytyruar gjithë merak. Në këto të fundit, koha nuk rrjedh, por rri në vend, si një orë e prishur që tregon gjithmonë të njëjtin çast lavdie. Dhe, nëse katranosen punët ose mungojnë arritjet në të tashmen, nuk përbën problem, sepse mungesa mbushet lehtësisht me mite ose maskohet e fshihet pas ndonjë çasti “të artë” në të shkuarën. Në këto të fundit, pothuajse gjithmonë madhështia historike përdoret si mjet i volitshëm për të justifikuar pushtetin, për të fshehur dështimet dhe për të ushtruar kontroll të gjerë.
Këto vende nuk flasin për liri, të drejta minoritetesh, shoqëri civile, drejtësi sociale. Nuk flasin as për mirëqenie reale dhe as për ide të reja. Flasin për madhështi. Madhështia, në këtë rast, nuk është një rezultat, por një gjendje shpirtërore kolektive, e ushqyer me histori të shkuara, të zgjedhura me kujdes të ekzagjeruar, e stolisur me simbole të vjetra të ringjallura artificialisht, dhe e kënduar me një gjuhë fataliste që e shndërron nostalgjinë në program politik.
Kuptohet se historia në këto shoqëri nuk është një disiplinë objektive, madje, më shumë mund ta krahasosh me një repertor justifikimesh për pushtetin. Fakte të pakëndshme hiqen, ngjarje të errëta fshihen, përgjegjësi të rënda relativizohen ose mohohen kategorikisht. Ajo që mbetet është një narrativë e thjeshtë: ne kemi qenë të mëdhenj, jemi të rrethuar nga armiq dhe bota na detyrohet respekt. Një super tregim, i institucionalizuar përmes arsimit, medias dhe diskursit publik, përsëritet deri në normalizim, dhe eventualisht fillon të perceptohet si e vërtetë e padiskutueshme, edhe atëherë kur logjika e përgënjeshtron sistematikisht.
Dhe në këtë proces deformimi, historia humbet thellësinë e saj morale. E kaluara kthehet në mekanizëm për pushtet, për të përcaktuar se çfarë lejohet të mendohet, të thuhet dhe të diskutohet në të tashmen. Nuk ka më dilema, gabime apo mësime, ka vetëm fitore, heroizëm, sakrifica të shenjta dhe teori konspirative. Pasi në të tilla regjime, e shkuara nuk kujtohet asnjëherë, vetëm administrohet pareshtur. Edhe kujtesa kolektive, nuk rrjedh si kujtim i lirë, por si arkiv i kontrolluar imët, rregullohet me urdhër dhe mësohet përmendësh. Që nga lart përcaktohet se çfarë duhet mbajtur mend dhe çfarë duhet harruar, në mënyrë që vuajtja e së kaluarës të shndërrohet në kapital politik, të kthehet në bazë legjitimiteti për vendime politike, politika përjashtuese ose për luftë. Të kuptohemi drejt, këtu nuk flasim që vuajtja e së kaluarës të shërbejë për të shmangur përsëritjen e saj, por për të justifikuar dhunë të reja, dhunë që shpresojnë se konsolidon pushtetin e ndenjur.
Dhe shohim që, si pasojë e referimit të vazhdueshëm te lavditë historike dhe e fryrjes deri në ndezje të aspiratave për rikuperimin e lavdisë, justifikohet përqendrimi i pushtetit, shtypja e kritikës dhe delegjitimimi i çdo kërkese për ndryshim. Bile, kritika dhe kërkesat për ndryshim përjetohen si cenim i identitetit kombëtar ose i rendit “natyror”. Çfarë shohim tjetër, shohim që një paradë armësh vlerësohet më shumë se një reformë funksionale, që një poster vlerësohet më shumë se një shkollë cilësore. Shohim që paaftësia strukturore justifikohet me ligjërime morale: “sakrifikojmë sepse jemi të rrethuar”, saqë, kur i dëgjon, të krijohet ideja se mirëqenia është diçka e dyshimtë, pothuajse e rrezikshme. Propaganda e tyre përpiqet ta paraqesë këtë sakrificë si heroike, duke i reflektuar vështirësitë si qëndresë, duke e ngjyrosur varfërinë si dinjitet, dhe izolimin duke e shitur si pastërti morale dhe mbi të gjitha, mburojë ndaj qytetërimeve satanike. Kur vjen puna, qytetarëve u thonë se po vuajnë për një kauzë të madhe, për një lavdi kolektive që premtohet, por kurrë nuk do të vijë. Dhe sa më gjatë të zgjasë pritja, aq më e pamundur bëhet pyetja: a ia vlen?
Gjithashtu, nuk mund të thuhet se ka llogaridhënie. Të gjithëfuqishmit nuk i japin hesap askujt mbi dhé të tillë. Kur pushteti paraqitet si trashëgimtar i një misioni shekullor, llogaridhënia bëhet e panevojshme. Pushteti nuk jep llogari për veprimet e veta, sepse ai i referohet një historie të mitizuar që e vendos përtej përgjegjësisë.
Për të ushqyer këtë realitet gati-halucinogjenik, simbolet kombëtare marrin një peshë psikadelikisht disproporcionale. Flamuj, himne, uniforma, rituale të harruara, ringjallen dhe vihen në qarkullim si pjesë e një koreografie të detyruar, të ideuar për të prodhuar emocion, bindje dhe uniformitet. Këto simbole nuk janë më shenja identiteti, por mjete mobilizimi emocional, dhe kritika ndaj tyre barazohet me tradhti.
Tradita, e cila në shoqëri të shëndetshme është një dialog i gjallë mes brezave, këtu ngurtësohet, bëhet njëfarë kuboidi me kënde të palëvizshme, i cili nuk ndryshon, por ngrihet në piedestal. Etiketimi si rrezik ndaj vlerave tradicionale, vjen i menjëhershëm sa herë shfaqen përpjekje për ndryshim. Kjo është hapësira, ku në emër të ruajtjes së identitetit, mbyllen dritaret e mendimit të freskët dhe të dëlirë, dhe ku në emër të autenticitetit, refuzohen të drejtat universale të njeriut.
Dhe gjithmonë, kulti i së kaluarës shoqërohet me një mosbesim të thellë ndaj së tashmes. E tashmja përshkruhet si një betejë e vazhdueshme. Institucionet moderne shihen si të huaja, si transplantime artificiale, si agjentë të rrezikshëm. Ligji ndërkombëtar konsiderohet i padrejtë krahasuar me “të drejtat historike”, kurse arsyetimi i kulluar, logjika, sensi, zhvlerësohet automatikisht përballë instinktit nacionalist.
Siç është dëshmuar në praktikë, ky është terren është mjaft i përshtatshëm për pushtet të centralizuar, që flet në emër të historisë dhe jo në emër të qytetarëve të vet, prandaj dhe fuqia dhe arritjet, në këto vende, shpeshherë maten me aftësinë për të kërcënuar, dhe jo për të ndërtuar. Një armë e tmerrshme, një raketë, një strategji dizinformimi, këto janë burimet e madhështisë, të kanalizuara drejt të frikës dhe shkatërrimit, jo se këto e bëjnë shoqërinë më të fortë, por ngaqë e bëjnë pushtetin më të sigurt.
Në këto vende, gjuha e politikës është thellësisht emocionale. Është një gjuhë që nuk bind por vetëm ngacmon. As nuk argumenton, por thërret me metafora që tingëllojnë ushtarake, me një fjalor të mbushur me terma sakrifice, stërmundimi dhe mbijetese. Sigurisht që nuk është e paqëllimshme, kjo gjuhë e tensionit të përhershëm e mban shoqëritë në një gjendje mobilizimi artificial, ku frika dhe krenaria ushqejnë njëra-tjetrën.
Ashtu si historia, politika dhe vetë gjuha e vlerave tradicionale, edhe arti e letërsia fillojnë të deformohen në mjedis të tillë. Në letërsi dhe art, diktohet një kthim i detyruar te temat epike, te figurat e mëdha, te tonet solemne, sepse reflektimet kritike, ironia, dyshimi, ambiguiteti, shenja të një kulture të pjekur, shihen me dyshim. Duhet, pra, që arti të kufizohet, të tkurret, pasi vetëm në këtë trajtë të shfytyruar mund t’i shërbejë pushtetit dhe kultura t’i shërbejë ilustrimit të ideologjisë.
Gjithashtu, në këto vende, suksesi i të tjerëve nuk shihet si nxitës, por si provokim. Inovacioni i huaj interpretohet si kërcënim, tregu i hapur si komplot, dhe konkurrenca si luftë e pabarabartë. Në vend që të pyesin veten pse nuk arrijnë të prodhojnë institucione, dije, teknologji apo vlera të mirëfillta, ata pyesin pse bota nuk sillet sipas dobësive të tyre. Dhe kur përgjigjja nuk u pëlqen, reagimi është agresiv. Shkojnë të bombat, se nuk kane tjetër me se të shfaqen konkurrues. Ngaqë nuk arrijnë të krijojnë vetë korporata globale, institucione kërkimore serioze apo teknologji të përparuara, ata fillojnë të sulmojnë vetë idenë e konkurrencës, nuk e duan krahasimin dhe e sulmojnë. Krahasimi me botën e jashtme është i rrezikshëm për ta, sepse tregon se fuqia e vërtetë nuk matet me predha, por me aftësinë për të prodhuar dije, për të tërhequr talent, për të krijuar besim.
Ndoshta një nga aspektet më problematike të këtij rrëfimi është mënyra se si individi zhduket në këto shoqëri. Qytetari nuk vlerësohet për krijimtarinë, mendimin kritik apo kontributin e tij konkret, por për besnikërinë ndaj mitit. Talenti që nuk përshtatet me narrativën mbetet në hije ose largohet. Truri ikën, por flamuri mbetet. Dhe flamuri, i lënë vetëm, valëvitet mbi një hapësirë gjithnjë e më bosh.
Prandaj, këto vende nuk janë të forta. Ato mbajnë peshën e armëve mbi një themel social të rrënuar. Dhe sado e madhe të jetë bomba, ajo nuk frymëzon krijimtari, nuk shëron plagët e përbashkëta dhe nuk ndërton të ardhmen që të gjithë e meritojnë. Fuqia që lind nga sakrifikimi i gjithçkaje njerëzore është një fuqi e zbrazët, e destinuar të trembë të tjerët, por kurrë nuk do të fitojë respekt.
Megjithatë, asnjë shoqëri nuk mund të jetojë pafundësisht në të kaluarën. Historia e ngrirë fillon të plasaritet, të çahet dhe eventualisht të shkokëlohet nën peshën e realitetit. Kur kontrasti mes mitit dhe jetës së përditshme bëhet gjithnjë e më i dukshëm, atëherë lind pyetja më e rrezikshme për këtë lloj pushteti: po sikur mania e madhështisë të mos mjaftojë?

Lini një koment