HISTORIA E MUNGUAR E LEZBIKEVE

Nëse gërmon librat e vjetër, kronikat e mbretërive, sagat, legjendat, procesverbalet e gjykatave apo arkivat e manastireve nëpër botë, do të vësh re një zbrazëti të çuditshme. Për burrat që deshën burra, herë pas here historia ka lënë ndonjë gjurmë, për shembull, si janë dënuar. Por për gratë që deshën gra, heshtja është pothuajse e plotë. Sikur ato të mos kishin ekzistuar kurrë. Sikur njerëzimi të kishte kaluar mijëra vjet pa njohur një ndjenjë që sot e dimë se ka ekzistuar në çdo epokë.

Ka një lloj verbërie të rrezikshme këtu. Është verbëria e atij që sheh gjithçka përveç asaj që nuk është i gatshëm ta përfytyrojë.

Nga njëra anë, historia njerëzore është shkruar nga njerëz që vëzhguan me një durim të admirueshëm çdo hollësi të botës. Ata numëruan ushtarët në fushat e betejës. Regjistruan emrat e kuajve të mbretërve. Përshkruan me përpikëri gjatësinë e shtizave, diametrin e mureve, peshën e monedhave dhe numrin e shkallëve që të çonin në tempull. Llogaritën yjet, kadastruan tokat, krijuan sisteme për të shpjeguar universin dhe ligje për të rregulluar jetën deri në hollësinë më të vogël.

Por kundruall dy grave që dashuroheshin, nuk panë asgjë. Jo se ato fshiheshin, por sepse mendja e kohës nuk kishte një vend ku t’i vendoste, dhe kështu nuk i vendoste askund.

Ndoshta pasi qytetërimi ka pasur gjithmonë një dobësi të çuditshme: të mos shohë me sy, por me kategori. Sytë janë vetëm një instrument biologjik dhe në të vërtetë, njeriu sheh vetëm atë që gjuha e tij ka mësuar ta emërtojë. Gjithçka tjetër vjen e nëpërdukshme pastaj.

Kështu ka ndodhur me ato gra që jetuan, dashuruan, u plakën dhe vdiqën, dhe historia ua mohoi ekzistencën, pa i sulmuar, duke mos i parë.  

Nëpërmjet këtij prizmi, historia nuk është thjesht kujtesë, është edhe një mekanizëm i madh harrese. Jo çdo gjë që nuk është shkruar nuk ka ekzistuar. Përkundrazi, ndonjëherë nuk është shkruar pikërisht sepse ka ekzistuar në një mënyrë që shkruesi nuk ishte në gjendje ta kuptonte ose ta pranonte.

Si një lloj censure pa flamuj që valëvitet e gatshme për të mërtisur çdo gjë, si një dorë e padukshme që ka lënë jashtë dorëshkrimeve gjithçka që nuk i shkonte botëkuptimit të kohës, harresa përshkoi shekuj. Sot, disa ende mendojnë, zakonisht pa e thënë me zë, se dashuria mes grave është një dukuri e vonë, një shpikje moderne, kur në të vërtetë ajo është vetëm një e vërtetë e vjetër që kishte mbetur pa kronikanë.

Historia nuk është oqeani, është rrjeta që hidhet mbi të. Dhe asnjë rrjetë nuk e kap të gjithë ujin dhe ç ‘mban uji. Ajo ruan vetëm atë që, prej llojit të thurimës, është e kushtëzuar të ruajë. Dhe për shekuj të tërë, thurja e saj u mor përsipër nga mendja mashkullore, ndaj shumë jetë e shumë dashuri kaluan përmes të çarave të saj pa lënë as gjurmën më të vogël.

Nuk është se nuk ekzistonin lezbike më parë, por thjesht rrjeta nuk ishte ndërtuar për t’i kapur historitë e tyre.

Thuhet se historia i ka shtypur gratë. Dhe kjo është shumë e vërtetë. Por lezbiket, sikur padukshmëria qe iu imponua, i ka mbrojtur njëfarësoj. Burrit që dashuronte një burrë, qytetërimi i siguroi ligje, gjyqe, predikime, burgje dhe turrat e druve me zjarr. Për të u shqetësuan mbretër, peshkopë, gjykatës e moralistë. U shkruan nene të posaçme, u shpallën dënime shembullore, u ngritën mekanizma të tërë shtetërorë për t’i ndëshkuar. Ishin armiq në tokë dhe në pasjetë, por të paktën kishin fituar statusin e ekzistencës.

Kurse gruaja që dashuronte një grua nuk e gëzoi këtë privilegj. Historia nuk u lodh ta persekutonte, ta dënonte, ta shkrumbonte, por zgjodhi një metodë shumë më ekonomike dhe më fine: bëri sikur nuk ekzistonin. As ligj, as gjyq, as kronikë për lezbiket. As zjarr, as falje. Vetëm një heshtje e pafund. Sikur njerëzimi të kishte jetuar për mijëra vjet pa qenë kurrë në gjendje të dashuronte një grua dhe një grua tjetër.

Sa madhështore kjo verbëri! Për burrin homoseksual u ndërtuan skela për varje, për gratë u ndërtua boshllëku. Njëri grup u fut në librat e historisë si mëkatar, tjetri nuk u lejua fare. Historia i trajtoi me një pabarazi të rrallë, burrave u njohu të drejtën për të qenë të dënuar, ndërsa grave ua mohoi edhe të drejtën për të ekzistuar.

Edhe gjuha ka qenë bashkëpunëtore në këtë zhdukje. Nuk kishte një term për këtë dashuri rozë. Kur mungon fjala, mungon edhe mundësia për të rrëfyer veten. Fjalët mungonin, ose përdoroheshin si fyerje.

Sa e çuditshme është kjo mendje njerëzore. Arriti të shpikte ferrin me nëntë rrathë, por nuk gjeti një dhomë të vetme për dy gra që dashuroheshin. Shkroi mijëra faqe mbi moralin seksual, por përballë këtij fenomeni mbetej pa fjalë.

Nëse dy burra do të shkëmbenin letra të zjarrta, historiani do të kërkonte një skandal, xhelatin, drurin dhe kovën. Nëse një burrë dhe një grua do të shkruanin të njëjtat fjali, do të fliste për dashuri. Dy gra shkëmbenin letra dashurie për dekada, shkruhej: “ishin mike të ngushta.”

Është një alkimi e habitshme. Miqësia hyn në arkiv. Dashuria del prej tij. Jo sepse faktet ndryshojnë. Sepse syri mbante një tis. Prandaj, historia nuk duhet lexuar vetëm për atë që thotë, duhet lexuar edhe për atë që nuk thotë. Heshtjet e saj janë po aq të rëndësishme sa fjalët. Ndonjëherë edhe më shumë. Sepse një gënjeshtër mund të zbulohet, eventualisht. Një boshllëk është shumë më i vështirë të dalë në sipërfaqe. Ai nuk kundërshtohet dot, sepse nuk ekziston asgjë për të kundërshtuar.

Megjithatë, e vërteta ka një ves të lashtë: nuk zhduket. Ajo mund të varroset, por nuk përzihet me dheun as me krimba. Del në sipërfaqe si një mozaik i fshehur që bie nga suvaja e një kishe të vjetër, si një shënim i harruar në një motel, si një portret pa emër në fund të një galerie.

Sot studiuesit rilexojnë letrat, ditarët dhe kronikat me një sy tjetër. Shoqëritë kanë ndryshuar, por mekanizmi i fshirjes nuk është zhdukur plotësisht. Çdo epokë ka tundimin të vendosë se cilat histori meritojnë të tregohen dhe cilat jo. Prandaj kujtesa nuk i shërben vetëm historisë, por edhe drejtësisë.  

Pyetja ishte pse për kaq gjatë u shkrua sikur nuk kishin ekzistuar. Frika e kronikanëve për të pranuar se bota ka qenë gjithmonë më e larmishme sesa konceptet e tyre për të.

Postime të fundit