KOMPANIA E VJEDHESVE & QYTETI I PERHUMBUR

Nga fusha e psikologjisë organizative na vjen një mësim i madh, i mbështetur nga eksperimente dhe studime të shumta, i cila, megjithëse vëzhgohet brenda mikrokozmosit të një kompanie, shpjegon mekanizma që veprojnë edhe në shkallën e një shoqërie të tërë.

Ish-të dënuar për vjedhje punësohen në një mjedis të paramenduar, ku rregullat janë të qarta, mbikëqyrja është e kujdesshme dhe çdo sjellje e ndershme përforcohet vazhdimisht me shpërblime të vogla, por të qëndrueshme. Rezultati është pothuajse paradoksal: ata nuk vjedhin më. Madje, në shumë raste, shndërrohen në punonjës të dalluar. Nuk ka asnjë mrekulli të mbinatyrshme në këtë, thjesht një dëshmi se sjellja njerëzore nuk është gjithmonë rob i së kaluarës apo i kodit gjenetik, por shpesh pasqyrë e mjedisit që e formon.

Dikush mund të qeshë me këtë histori. Vjedhësit e djeshëm, të kthyer në model i sjelljes korrekte? Por a nuk jemi ne të gjithë, në qytetet tona të çrregullta, pak a shumë hajnë të përditshëm? Vjedhim hapësirat e përbashkëta duke i hedhur plehrat aty ku nuk duhet, vjedhim ajrin me tymrat e makinave tona, vjedhim heshtjen e tjetrit me muzikën e lëshuar nga lokali, vjedhim ligjin duke e shkelur pa menduar, vjedhim kohezionin social duke menduar vetëm për vete në dëm të sistemit. Nuk kryejmë krime të mëdha, por të voglat, ato që rrënojnë një qytet, i bëjmë pa ndrojtje.

Atëherë, nëse një kompani arrin t’i mësojë kusarët e djeshëm të mos vjedhin, a nuk mund të arrijë një qytet të mësojë qytetarët e vet të respektojnë hapësirën publike? Me sa duket jo, sepse ose nuk do ose nuk di. Bile, qyteti ynë shpesh duket më i braktisur se një fabrikë e vjetër, më i çrregullt dhe më i plaçkitur se një treg në kaos, ku institucionet që duhet të na udhëzojnë nuk kuptohen me njëra-tjetrën, nuk kujdesen për ato që kanë kuptim, përsërisin e përsërisin të njëjtat politika, të njëjtat mënyra. Kopjojnë modele të huaja pa i marrë vesh, ose pa dashur t’i zbatojnë, sa për të thënë se janë në hap me botën. Nga jashtë, gjithçka duket në lëvizje, projekte, nisma, postime në rrjete sociale, por në thelb mbetet një gjendje që s’ndryshon: të gjithë bëjnë sikur punojnë, sikur diçka po ecën. Dhe ndërkohë, qyteti pret, i lodhur, midis asaj që thuhet dhe asaj që nuk bëhet.

Psikologjia, bihejviorizmi, etj, na mësojnë se njeriu nuk është asgjë më shumë se produkt i ambientit të tij. Njeriu është i programueshëm prej mjedisit sikur një paisje, një sistem, një softuer. Jepi një ambient ku sjellja e mirë shpërblehet dhe ajo e keqe ndëshkohet në mënyrë të qartë e të drejtë e të barabartë, dhe do të shohësh transformimin. Madje edhe kleptomani, i lindur për të marrë fshehurazi, mëson të respektojë kufirin, po qe se kufiri është i padiskutueshëm.

Shembulli më i afërt është vetë shqiptari: jashtë vendit i respekton me përpikëri të gjitha rregullat, nuk hedh një qese plastike në tokë, nuk parkon dysh, nuk prish radhën, sepse e di se aty kufijtë janë të hekurt dhe sistemi nuk fal. Por sapo kthehet në vendin e vet, përfshihet sërish në ritualin e hedhjes së mbeturinave nga dritarja, të parkimit mbi trotuar dhe të shkeljes së rregullave si një sport kombëtar. Jo se ka personalitet të dyfishtë, por sepse ambienti i jep atij dy fytyra: një jashtë që respekton, dhe një brenda që shpërfill.

Nga shembulli i kompanisë që punëson hajdutë, megjithatë, mund të kuptojmë diçka esenciale: mënyra si ndërtohet dhe organizohet një qytet ndikon drejtpërdrejt në sjelljen e banorëve të tij. Rregullat nuk funksionojnë vetëm duke u shkruar, por nga mënyra si zbatohen e përjetohen çdo ditë përmes gjërave të vogla që shpesh nënvlerësohen: një tabelë që të kujton të mos hedhësh mbeturina ose kosha të shpërndarë në distancë të matur, një aplikacion ku mund të raportosh shkeljet, një stimul i vogël financiar që të nxit të veprosh, një sinjal dritash që rregullon sjelljen e këmbësorëve, apo një hapësirë publike e kuruar mirë që të fton ta respektosh. Këto mekanizma të thjeshtë, kur kombinohen me kujdes, kanë fuqinë të ndryshojnë zakone, të krijojnë përgjegjësi dhe të kthejnë qytetin në një mësues të heshtur të sjelljes qytetare.

Një shembull të rëndomtë mund ta marrim nga Australia ose Koreja e Jugut. Atje qytetarëve u ofrohet një kanal i posaçëm raportimi përmes aplikacioneve të mesazheve, ku mund të denoncojnë hedhjen e mbeturinave, sidomos nga automjetet. Ata mund të ngarkojnë foto ose video me targën e makinës dhe, kur rasti verifikohet, shpërblehen me stimuj financiar që netohen nga gjoba që i shkon me postë shkelësit. Kjo krijon një rreth virtuoz: qytetarët bëhen sytë dhe veshët e ligjit, shkelësit mendojnë dy herë para se të hedhin plehrat në rrugë, dhe bashkësia mëson se respekti për hapësirat publike ka një vlerë të qartë dhe të prekshme. Për më tepër, kjo masë është e lehtë për t’u implementuar dhe shumë efektive, duke treguar se shtysat dhe mbikëqyrja nuk kërkojnë infrastruktura të komplikuara, por dizajn të zgjuar dhe koordinim të thjeshtë.

Nëse një kompani arrin të rregullojë sjelljen duke strukturuar mjedisin e vet, pse një shtet nuk mund ta bëjë të njëjtën gjë? Pse rrugët tona janë ende arenë për shkelje, parqet ende të mbuluara me mbeturina, ligjet ende të injoruara si urdhëresa të largëta? Sikur lakmohet përçudnimi kolektiv, askush nuk kujdeset, askush nuk ndien më detyrë të kujdeset, sepse qyteti nuk është projektuar si një strukturë që e detyron sjelljen e ndershme. Nuk ka mbikëqyrje të qëndrueshme, nuk ka shpërblime të vogla, por reale, për ata që respektojnë. Ka vetëm ndëshkime të rastit, që bien mbi disa dhe shpëtojnë të tjerët, duke e kthyer ligjin në një lojë me zare.

Studimet mbi sjelljen flasin qartë: mos prit nga njeriu të bëhet engjëll krijo rrethana ku edhe djalli detyrohet të sillet si engjëll. Ky është mësimi i madh që vjen nga kompania e ish-të dënuarve. Dhe ky është leksioni që qyteti ynë nuk e ka mësuar ende.

Shihni sheshet tona pas një tubimi politik, rrugët pas një feste kombëtare, parqet pas një pasditeje verore. Ato janë dëshmi të një shoqërie që nuk di të respektojë përbashkësinë.

E megjithatë, sa herë kujtoj kompaninë e vjedhësve, mendoj se shpresa ekziston dhe rri e pret. Një gropë asfalti e rregulluar shpejt, një kosh plehrash i vendosur në çdo qoshe, një kamerë që nuk fal, një ligj që zbatohet njësoj për të gjithë.

Ndoshta nuk është shumë e vështirë që, ashtu si hajduti i djeshëm i punësuar në një kompani të strukturuar mirë kthehet në punëtor shembullor, edhe qytetari i sotëm, në një shoqëri të menduar me kujdes, mund të kthehet në qytetar të mirë.

Postime të fundit