TË GJITHËDITURIT

Ka ardhur një kohë e çuditshme së cilës nuk patëm mundësi t’i druheshim pasi ndodhi fare pa u kuptuar. Ndoshta më e çuditshmja që ka njohur njerëzimi.

Nëse dikur, për të folur me autoritet mbi një çështje, duhej të dije diçka rreth saj, sot kjo nuk është më e nevojshme. Mjafton të kesh një telefon, një fytyrë që t’i drejtohet kamerës dhe, mbi të gjitha, një numër të konsiderueshëm njerëzish që të ndjekin. Pak nga pak, kështu, autoriteti nisi të shkëputej nga dija dhe të lidhej me ndjekësit. Deri sa erdhi puna që nuk është më e nevojshme të jesh i ditur, mjafton të dukesh i tillë dhe të kesh goxha ndjekës. Dhe nga kjo përmbysje e çuditshme, ku dukshmëria nisi të vlente më shumë se dija, filloi të merrte formë një figurë e re shoqërore: i gjithëdituri i mediave sociale.

Ai mund të mos ketë diplomë, profesion, kërkim shkencor, përvojë në fushën për të cilën flet, apo edhe njohuri elementare mbi të, por ka diçka shumë më të rëndësishme. Ai ka vetëbesimin. Një vetëbesim që të përqeth krejt e që i cili, në epokën e algoritmit, është bërë një lloj çelësi që shkyç shumë dyer.

Në epokën e algoritmit mund të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh një influencer duke shpjeguar ekonominë botërore, pas drekës duke analizuar gjeopolitikën e Lindjes së Mesme, në mbrëmje duke dhënë këshilla mbi mjekësinë, ndërsa para gjumit të shpjegojë se si duhet reformuar arsimi.

Askush nuk e di se ku e ka marrë këtë gjithëdituri. Por kjo, në njëfarë mënyre, nuk ka më rëndësi, sepse ai ka 800 mijë ndjekës. Dhe 800 mijë ndjekës, për shkaqe që merren me mend, vlejnë më shumë se një bibliotekë me gjithë ato libra.

Historikisht shoqëritë kanë përdorur një mekanizëm modest, por tejet efikas, për të dalluar atë që dinte nga ai që nuk dinte. Quhej ekspertizë. E shpjeguar me fjalë të thjeshta, një mjek merrej me mjekësinë për një kohë të gjatë, një inxhinier me urat, ekonomisti me ekonominë, konstitucionalisti me kushtetutën, e kështu me radhë.

Sidoqoftë, kjo ndarje kishte një të metë të madhe: kërkonte vite pune. Por rrjetet sociale e korrigjuan këtë padrejtësi. Pasi tani të gjithë mund të jenë gjithçka, si t’i vijë gjithësecilit, pa humbur as edhe një vit.

Prandaj shpesh na rastis t’i shohim si gëlojnë përdhunshëm ekraneve të telefonave. Një i shkencave kompjuterike zbulon sekrete akadiane. Një këngëtar shpjegon psikologjinë e fëmijëve. Dhe duket sikur sa më pak të dish për një temë, aq më e lehtë bëhet të flasësh për të.

Por çudia më e madhe nuk janë ata që flasin. Janë ata që dëgjojnë. Sepse më parë një i ndritur që fliste pa pushim kishte një kufi natyror: askush nuk e dëgjonte për shumë gjatë. Në një tavernë mund të fliste me katër veta, ja pesë. Sot ai ka algoritmin dhe algoritmi nuk pyet nëse ke të drejtë, as nëse ke lexuar ndonjë libër. Nuk pyet nëse ajo që thua është e vërtetë. Pyet vetëm një gjë: Sa ia shohin postimin?

Kështu që sot kemi arritur një pikë në evoluimin social ku injoranca e artikuluar me siguri mund të shndërrohet në karrierë, në para, në status. Sa më kategorik të jesh, sa më sypatrembur, aq më mirë.

Ja, për shembull, “Shkencëtarët ende debatojnë” nuk të sjell shumë shikime. “Shkencëtarët po na gënjejnë” të sjell miliona. E tillë është ekonomia e re e vëmendjes, ku pasiguria është e mërzitshme, ndërsa marrëzia e sigurt është argëtuese.

Kjo botë e re ku influenceri e arrin ngadhënjimin nga vetëbesimi i mosdijshëm, mund të jetë e mosrrokshme për disa, por influenceri e kupton shpejt. Pasi atij nuk i duhet ta hulumtojë një çështje për ta shpjeguar, atij i duhet vetëm të marrë një pozicion mbi të.

Kjo është edhe më e leverdishme. Sepse një ekspert mund të thotë: “Është një problem kompleks, ka prova kundërthënëse dhe nevojiten më shumë të dhëna.” Por s’mund të jetohet me ketë mister, prandaj duhet influenceri, që të thotë: “Unë e kam kuptuar.”

Dhe turma merr frymë e lehtësuar. Më në fund, dikush e ka kuptuar.

Në këtë gjendje, numri i ndjekësve fillon të përdoret gjithashtu edhe si provë e së vërtetës. “Ka 500 mijë ndjekës.” Sikur 500 mijë njerëz të kishin shqyrtuar dhe konfirmuar saktësinë e një teorie. Sikur të ishin mbledhur në një sallë dhe ta kishin shoshitur hollë-hollë çështjen. Sikur numri i atyre që klikojnë të ishte referencë akademike.

Një njeri me një milion ndjekës mund të flasë për gjithçka. Kurse një profesor me tridhjetë vjet punë mund të flasë për një temë të vetme. Në ekonominë e vëmendjes, profesori ka humbur sepse ka vetëm një problem të pakapërcyeshëm, të papërballueshëm dhe rrënimtar: di shumë për atë që flet.

Heroi është influenceri, ai ka narrativen e cungët dhe bindjen e lëmuar e të fortë si rrasë mali. Problemi është sistemi i ndërtuar ku budallallëku i shprehur me vetëbesim mund të shpërblehet, amplifikohet dhe shndërrohet në autoritet.

Çfarë tragjikomedie, njerëzimi shpiku internetin për ta bërë dijen të disponueshme për të gjithë, dhe pak si me vonesë zbuloi se ai mund të përdorej edhe për ta bërë padijen po aq të disponueshme.

Një herë e një kohë, propaganda kërkonte një gazetë, një radio ose një televizion, sot mjafton një telefon. Ata kanë telefon, kanë algoritëm dhe, më keq se të dyja bashkë, kanë një ushtri ndjekësish që çdo çast u thonë:

“Posto përsëri. Ne po të ndjekim.”

Postime të fundit