Në fundin e viteve shtatëdhjetë, prej Tiranës me pak drita e në krejt Shqipërinë, historia mori një kthesë që nuk u ndje menjëherë. Shqipëria, e vogla, e ngjeshur midis maleve të larta e deteve të thella, vendosi t’i mbetej besnike miqësisë me Kinën, në vend që të ndahej prej saj. Dhe nga ai vendim i vetëm, si nga një gur i hedhur në ujë, u përhapën valë të reja që ndryshuan përgjithmonë syprinën e shoqërisë.
Sepse Kina pak vite më pas do të hynte në një epokë të re, në epokën e reformave ekonomike, të tregut, të hapjes me botën. Dhe nën hijen e atij dragoi gjigant, Shqipëria mori pjesë në të njëjtin udhëtim, si vëlla i stërvogël, që mëson, përshtatet, imiton dhe sajon rrugën e vet.
Në këtë Shqipëri alternative nuk pati kolaps të viteve 90, as zbrazje qytetesh, as ikje masive. Kishte fabrika që nuk u mbyllën, por u transformuan; të tjera gëluan. Kishte punëtorë që nuk u kthyen në shitës ambulantë, por në inxhinierë softuerësh. Dhe, pa hequr dorë nga idealet socialiste, kishte një shtet që vendosi të mos luftojë kundër botës por ta kuptojë atë.
Në vitin 2026 të kësaj Shqipërie imagjinare, Tirana nuk është më një qytet me banueshmëri minimale. Në qendër ngrihen kulla qelqi dhe çeliku, ndërtuar me mjeshtëri të përbashkët sino-shqiptare, ku arkitektura moderne përzihet me gurin e traditës. Nga “Skënderbeu Tower” deri te “Pylli Vertikal i Kombinatit”, fasadat e qytetit të ndriçuara dhe të integruara me panele diellore.
Transporti publik është një rrjet i ndërlidhur trenash, autobusësh elektrikë dhe biçikletash inteligjente. Metroja nëntokësore e përfunduar në vitin 2015 lidh Portin e Durrësit me Aeroportin e Tiranës në më pak se njëzet minuta. Një tren me levitacion magnetik, fjala e fundit e teknikës, dhuratë e qeverisë kineze, lidh Korçën me Shkodrën në vetëm tre orë.
Rrugët janë të heshtura, sepse makinat e shumta ecin pa zhurmë. Në këtë botë, vendi është bërë qendër teknologjike e Ballkanit. Falë pilotimeve dhe investimeve të hershme kineze që nisën në vitet 80, u zhvilluan rrjete komunikimi, laboratorë për elektronikë dhe universitetet e para teknologjike.
Në vitin 1998, kur pjesa tjetër e rajonit sapo mësonte çfarë ishte interneti, Shqipëria nisi rrjetin e vet kombëtar të fibrës optike, një projekt i përbashkët me “Huawei Balkan Group”. Më pas, në vitin 2019, Tirana u bë qyteti i parë me rrjet 5G në Europën Juglindore, duke e tejkaluar disa vende të BE-së.
Në vitin 2026, çdo shtëpi shqiptare ka asistent virtual të zhvilluar nga kompania kombëtare “DoraAI”, një sistem inteligjent që flet shqip, kupton dialektet, dhe ndihmon edhe administratën publike.
Në qendrat e mëdha teknologjike të Shkodrës dhe Durrësit, inteligjenca artificiale përdoret për menaxhimin urban, analizën e trafikut, madje edhe në bujqësi. Bujqit përdorin dronë inteligjentë për të monitoruar fushat dhe klimën, ndërsa fermerët në Korçë menaxhojnë sera të automatizuara përmes tabletëve. Dhe kur pyet një fëmijë dhjetëvjeçar se çfarë do të bëhet kur të rritet, ai thotë: “programues robotësh”.
Deri edhe në zonat malore të Thethit dhe Leskovikut, fëmijët mësojnë online me mësues nga shkollat e Tiranës. Në Shkodër një kampus modern i ndërtuar mbi modelin e “Institutit të Tecnologjisë në Pekin përgatit mijëra studentë në fusha si inxhinieri elektrike, energji të rinovueshme dhe kibernetikë. Universitetet nuk diplomojnë më të papunë, por inxhinierë që punojnë në startup-et vendase që eksportojnë teknologji në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Ose universiteti “Fan Noli” i Korçës, i cili është kthyer në një nga qendrat kryesore të inteligjencës artificiale dhe automjeteve autonome në Europën Juglindore, ndërsa “Politekniku i Tiranës” është partner me Universitetin e Çongqing dhe Suzhou në programe të përbashkëta për robotikë dhe nanoteknologji.
Në Sarandë turistët përdorin aplikacione të realitetit të shtuar për të parë si dukej Butrinti në shekullin e tretë para Krishtit. Në çdo fshat ka internet të shpejtë. Çdo spital me robotë që ndihmojnë në kirurgji. Në çdo shkollë, një mësues virtual është aty për nxënësit.
Durrësi është kthyer në “Shenzhen-in shqiptar” ku operojnë kompani nga gjithë rajoni. Në këtë realitet, vendi nuk eksporton më vetëm mallra bujqësore apo tekstile. Ai eksporton softuer, automjete elektrike, dronë bujqësorë dhe sisteme komunikimi.
Shqipëria është bërë vendi me nivelin më të ulët të papunësisë në Ballkan dhe me të ardhurat për frymë që rivalizojnë vendet e Europës qendrore falë orientimit të hershëm drejt arsimit SHTIM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri, Matematike) dhe një ekonomie tregu vibrante.
Shqiptarët e kësaj bote nuk jetojnë në pasuri të pakufijshme, por jetojnë me siguri, punë, arsim dhe dinjitet. Ata udhëtojnë me pasaporta që u hapin dyert e botës, jo sepse ikin për të mbijetuar, por sepse shkojnë për të tregtuar, për të mësuar, për t’u kthyer.
Telekomunikacioni është zemra e kësaj Shqipërie. Që nga viti 1987, kur u nënshkrua marrëveshja për zhvillimin e rrjetit kombëtar digjital, vendi përfitoi një avantazh që u kthye në kulturë: një popull i lidhur.
Por një vend mund të jetë i lidhur me veten, me botën, i arsimuar, i pasur dhe teknologjikisht i përparuar, dhe sërish të mbetet pyetja themelore: sa të lirë do të ishin njerëzit?
Nobelisti i shquar Amartya Sen e lidh lirinë me mundësinë reale për të pasur akses në burime, në dije, e lidh lirinë me mundësinë e njëmendtë të individit për të zgjedhur dhe për të jetuar një jetë që ka se për çfarë ta vlerësojë. Të kesh të drejta në letër nuk mjafton, liria kërkon edhe mundësitë dhe mjetet reale për ta ushtruar atë.
Nëse e shohim historinë përmes kësaj ideje, paradoksi bëhet i fortë. Në një Shqipëri që do të kishte ndjekur rrugën e Kinës, mund të kishim pasur më shumë liri reale, më shumë arsim, dije, teknologji, shëndet, informacion, lëvizje dhe mundësi ekonomike. Do të kishte ende komunizëm, një komunizëm të ndriçuar nga dritat e teknologjisë.
Sigurisht që liria është koncept më i gjerë se këto, dhe ndoshta teknologjia do të jetë armiku më i madh i lirisë. Megjithatë, ndoshta në këtë histori alternative, për herë të parë në kujtesën e saj të gjatë, Shqipëria do të kishte arritur të ishte një shëmbëlltyrë e asaj që ka dashur gjithmonë të jetë: e respektuar dhe moderne.

Lini një koment