KTHESA ‘WOKE’

Në fillesat e saj moderne, e majta politike në hemisferën perëndimore u shfaq si zëri i atyre që nuk dëgjoheshin, një projekt politik, një përpjekje për të përmbysur një rend që e kishte përjashtimin e punëtorit, të gruas së diskriminuar, të minoriteteve, etj., pjesë të vetvetes.

Për vite të tërë ishte aleate e madhe e demokracisë liberale, madje e detyronte atë, në njëfarë mënyre, të bëhej ajo që premtonte se ishte.

Një e majtë që kishte këmbëngulje për të dhënë vazhdimisht për zgjerimin e të drejtave, për institucionalizimin e barazisë, për përkthimin e lirisë nga një parim abstrakt në një përvojë më të prekshme. Ajo kërkonte që shteti social, politikat ridistributive dhe ndërhyrjet korrigjuese të kapërcenin mekanizmat teknikë, për të shprehur një ide më të thellë dhe me të gjerë: se demokracia nuk mund të qëndrojë mbi pabarazi të theksuara pa rrezikuar drejtpeshimin e vet.

Një e majtë e cila mundohej që nocioni i përfshirjes të mos ishte më vetëm një njohje simbolike, por akses i njëmendtë në ekonomi, në burime, në punë të denjë, në arsim, në mundësi për të ndërtuar një jetë që nuk varet nga rastësia e lindjes.

Por, eventualisht, si në çdo tregim që zgjatet përtej një brezi, edhe këtu ndodhi një kthesë. Nga kjo e majtë që kërkonte të përmirësonte rendin, lindi një tjetër. Kjo tjetra, kjo e reja, ishte më e paduruar, më doktrinare, më dogmatike dhe më skeptike ndaj principeve bazë të demokracisë.

Dhe kjo kthesë, ose më saktë, kjo zhvendosje është ajo që soditim sot, me identitetin që merr përparësi ndaj universalizmit, me kalimin nga politika e kushteve materiale drejt politikës së njohjes simbolike, drejt një politike që pretendon se ka ekskluzivitet moral, me një hulli të trashë ndarëse midis “të drejtëve” dhe “të gabuarve” dhe që supozon se vetëm zëri i një grupi ka autoritetin për të përcaktuar se çfarë është e drejtë.

Aktorët e kësaj të majte të këtij lloji, ata s’të falin. Me një gjuhë absolutiste, kryesisht gjuhë fajësimi, ata çdo devijim nga ortodoksia morale e interpretojnë si tradhti ose si shenjë e një ndërgjegjeje të korruptuar.

Dhe përcaktimet i kanë të thjeshta. Shoqëria ndahet në kategori të ngurta, të bardhezeza: shtypës dhe të shtypur, fajtorë dhe të pafajshëm. Ndërsa hapësira për nuancë, dialog dhe vetëkritikë mbyllet që pa nisur ose pllakoset përtokë, shkelet si copa e mëndafshit mbi rrasë të përbaltur.

Politika i rrotullohet rreth identiteteve racore, gjinore, seksuale apo kulturore, si shtjella që të çon në një pikë kur shoqëria fillon të perceptohet si një mozaik grupesh në konkurrencë morale me njëri-tjetrin. Çdo grup ndërton narrativën e vet të vuajtjes, ndërsa rrota politike është një garë për statusin e viktimës.

Dhe fokusi, duke rënë si spirancë mbi kategori të caktuara, bën që pëlltupshëm meritokracia dhe parimet e barazisë të zbehen duke ia lënë vendin favoreve të fragmentuara dhe rivalitetit midis grupeve. Domethënë, në vend që të gjithë të jenë të barabartë, lindin privilegje të veçanta për disa grupe, lind edhe konkurrenca midis grupeve, e cila shumëfishon ndasitë dhe intesifikon tensionet shoqërore.

Një lëvizje që synon të korrigjojë padrejtësitë mund të ndodhë pra, në mënyrë paradoksale, të minojë themelet e përbashkëta të barazisë dhe solidaritetit social dhe të duket tamam sikur identitetin grupor e vendosin mbi përkatësinë qytetare. Po për hapësirën e përbashkët politike, për konceptin e qytetarisë së përbashkët, që kështu mund të dobësohen, pse nuk merakosen.

Pastaj, shteti është garant i barazisë formale dhe ligjore për të gjithë, nuk është instrument që duhet të rregullojë balancat mes grupeve të ndryshme identitare, duke e mbajtur debatin larg parimeve universale dhe mes negociatave të pafundme për privilegje simbolike.

Dhe më pastaj, ku është problemi me mendimin ndryshe, aq sa nuk tolerohet. Në emër të mbrojtjes së grupeve të ndjeshme? Kjo nuk e legjitimon censurën, stigmatizimin dhe përjashtimin simbolik.

Punët i ngatërrojnë edhe më keq, kur marrëdhënien mes politikës së identitetit dhe pabarazive ekonomike i ngatërrojnë me njëra-tjetrën. Pra, kur neglizhojnë shkaqet materiale të padrejtësisë, sa herë e zhvendosin vëmendjen nga kushtet jetësore drejt simbolikës kulturore. Një shoqëri ndjeshme në gjuhë, por që vjen e pabarabartë në shpërndarjen e pasurisë dhe të mundësive.

E majta woke, ka dhe një karakteristike tjetër, indiferencën ndaj grupeve të tëra shoqërore që ndihen të përjashtuara nga një diskurs që nuk flet më gjuhën e tyre. Të atyre që nuk e shohin veten në pasqyrën morale të majtës radikale dhe, për pasojë, largohen prej saj, e për çfarë, që të krijohet një vakum që mbushet lehtësisht nga forma të tjera të politikës së identitetit, që për fat të keq, marrin forma më ekskluzive dhe më autoritare.

Sa paradoksale. Duke e zvogëluar politikën në konflikt identitetesh, e majta radikale kontribuon në normalizimin e së njëjtës logjikë te kundërshtarët e saj. Pasi nëse puna është luftë mes grupeve, atëherë çdo grup do të mbrojë identitetin e vet. Në këtë mënyrë universalizmi liberal, që tenton të kapërcejë përkatësitë e ngushta, zëvendësohet nga një pluralizëm konfliktual ku çdo identitet kërkon legjitimitet ekskluziv.

Një e majtë që sikur përgatit terrenin për ndonjë të djathtë konspiracioniste, mitologjike apo ultraromantike në atdhedashuri, duhet të rimendojë themelet e veta dhe të rikthehet te një vizion përfshirës i politikës. Një vizion që e njeh pluralizmin e identiteteve, pa lejuar që ai të fragmentojë hapësirën e përbashkët, që e qëndërzon dinjitetin individual mbi përkatësitë grupore dhe që e kupton shtetin si garant të barazisë para ligjit e jo arbitër të hierarkive morale.

Sepse sprova nuk është vetëm të pranojmë dallimet, por të ndërtojmë mbi to një solidaritet universal.

Lini një Përgjigje

Postime të fundit