ARSYEJA ISHTE LIBRI

Ka çaste në histori kur nuk është e qartë nëse njerëzimi po ecën përpara apo po kthehet mbrapsht. Një nga ato çaste ndodhi një ditë të vitit 1989, kur udhëheqësi suprem i Iranit shpalli një fetva që kërkonte vrasjen e shkrimtarit Salman Rushdie, meqë paskësh shkruar romanin “Vargjet Satanike”.

Sikur libri të ishte një armë dhe fjalitë, krim, në rastin e Rushdies fjala u përplas drejtpërdrejt me pushtetin, i cili e përdori autoritetin dhe plotfuqinë e vet për të shpallur të dënuar me vdekje një romancier.

U sulmua shkrimtari, u sulmua hapësira ku letërsia merr fryme, u sulmua edhe e drejta për të provokuar, për të hyrë në territore të cilëve pushteti u ka vendosur kangjella. Dhe ajo që u vu në gjyq dhe për ekzekutim nuk ishte vetëm romani, shkrimtari, përkthyesit, botuesit, por edhe e drejta e botës për të patur shkrime dhe shkrimtar si Sir Ahmed Salman Rushdie.

Është shkruar e dëgjuar për perandorë që kanë djegur biblioteka, për mbretër që kanë ndaluar libra dhe diktatorë që kanë burgosur poetë. Por ka diçka të çuditshme, pothuaj metafizike, kur një udhëheqës shtetëror e konsideron një roman aq të rrezikshëm, saqë mendon se përgjigjja e vetme është eliminimi fizik i autorit. Të jetë shenjë force apo dëshmi frike, frikë e atij që i trembet fuqisë së ideve dhe të imagjinatës, saqë përpiqet që t’i mposhtë me dhunë.

Sa e habitshme, një teokraci e përveshur me ushtri, polici, burgje, institucione dhe aparat propagande, ndihet e kërcënuar nga një burrë i vetëm që shkruan në një tavolinë, me një stilolaps ose në ordinator.

Shume vetë mund të mos pajtohen me Rushdien. Edhe kritika më e ashpër ndaj veprës së tij është plotësisht legjitime, se letërsia jeton nga kundërshtimi. Por ekziston një vijë që ndan kuptimin nga e kundërta, libri kundërshtohet me një libër tjetër, ideja me një ide tjetër, argumenti me një tjetër argument. Por kur përgjigjja bëhet kama ose thirrja për vrasje, historia ka marrë fund dhe ka filluar tirania.

Sir. Ahmed Salman Rushdie dënohej, dhe dënohet akoma, për një trill, për letërsi. Edhe pse romani nuk është traktat fetar dhe nuk pretendon të shpallë të vërteta absolute, edhe pse shkrimi artistik jeton pikërisht nga paqartësia, nga shumëkuptimësia dhe nga e drejta për të imagjinuar.

Por çfarë presin nga letërsia? Të mos vërë në dyshim të vërtetat e shpallura një herë e përgjithmonë? Letërsia këtë bën, pyet, dyshon, ironizon, ëndërron dhe shpreshherë blasfemon, për të sfiduar dogmën, për të hapur çarje në atë që duket e padiskutueshme, për të imagjinuar atë që mendimi i ngurtësuar nuk e lejon dhe për të na treguar se asnjë ide, besim apo rend nuk është aq i shenjtë sa të mos vihet në sprovën e mendimeve.

Dhe shkrimtari në fjalë, për më tepër, nuk i përket vetëm Britanisë, Indisë apo diasporës së vet. Ai i përket letërsisë botërore. Veprat e tij janë pjesë e atij thesari të madh kulturor me të cilin njerëzimi ruan kujtesën, fantazinë dhe lirinë e vet. Prandaj, të kërkosh vdekjen e tij, të zhdukësh veprën e tij, do të thotë se një pushtet apo shtet i caktuar ka të drejtë të vendosë se çfarë mund të lexojë bota dhe çfarë duhet të harrojë.

Kush ia ka dhënë këtë të drejtë? Asnjë shtet nuk është pronar i imagjinatës njerëzore, asnjë fe nuk është pronare e metaforës dhe asnjë udhëheqës nuk mund të shpallet gardian i vetëm i ndërgjegjes universale.

Teokracitë priren të kërkojnë një të vërtetë të vetme. Letërsia shkrep në kah të kundërt krejt, jeton nga shumësi i të vërtetave dhe kjo e bën romanin të papajtueshëm.

Shkrimtarët, që nuk kanë as tanke, nuk komandojnë batalione, apo të kontrollojnë banka qendrore, janë ndër figurat më të rrezikshme për regjimet e mbyllura.

Dhe nëse do të pyesnim. Çfarë qytetërimi do të kishim sot nëse çdo autor do të shkruante vetëm atë që nuk zemëron askënd? Çfarë do të mbetej, nëse çdo metaforë do të duhej të kalonte fillimisht filtrin e një autoriteti politik ose fetar?

Përgjigjja më e frikshme është se nuk do të kishim letërsi. Prandaj mosmbrojtja e Salman Rushdies do të thotë të mos mbrosh të drejtën e njerëzve për të marrë kenaqësi, pasuri shpirtërore dhe dije nga krijimtaria. Sepse në fund të fundit, çdo libër i madh i përket gjithë botës. Dhe askush, qoftë edhe udhëheqësi më i fuqishëm i një shteti teokratik, nuk ka të drejtë t’ia konfiskojë njerëzve këtë përkatësi.

Postime të fundit