BAMIRËSI BESËTYTNORE

Për një pjesë të njerëzve fetarë dhe besëtytë, asgjë nuk humbet në univers dhe asnjë vepër e mirë nuk mbetet pa shpërblim, në një mënyrë ose një tjetër.

Pritshmëria është se çdo akt i mirë shihet, regjistrohet dhe, në një moment të përshtatshëm, shpërblehet. Nëse jo gjatë jetës, atëherë pas vdekjes. Nëse jo me pasuri, atëherë me shëndet, mbrojtje, fat ose me një vend të rezervuar në përjetësi.

Sa e çuditshme mënyra si këta njerëz e kuptojnë mirësinë. Ata ndihmojnë të varfrit, u japin ushqim të uriturve, kujdesen për të sëmurët dhe u zgjasin dorën njerëzve në nevojë. Në pamje të parë, gjithçka duket fisnike. Por në prapaskenë, diku përtej vetëdijes së plotë, fshihet një marrëveshje e heshtur, një lloj kontrate pa shkrim në të cilën njëra palë jep diçka, ndërsa një forcë e padukshme pritet të shpërblejë dhënësin.

Kështu, njeriu mëson të ndihmojë një të panjohur jo meqë ai është në vështirësi, ose të paktën kjo nuk është arsyeja e vetme, por edhe sepse shpreson se kjo vepër do t’i kthehet në një formë tjetër. Një bamirësi sot mund të pasohet nga një lajm i mirë nesër, një ndihmë për një të varfër mund të shpërblehet me shëndet, sukses në punë apo zgjidhjen e një problemi personal, ku i dihet. Nëse nuk ndodh asgjë, ndoshta shpërblimi është vonuar. Nëse ndodh diçka e mirë, atëherë lidhja bëhet e qartë: Zoti e ka parë dhe është përgjigjur.

Kësisoj bamirësia nuk është më thjesht një gjest dhembshurie a vëllazërie ndaj një tjetri, por kalkulohet si një investim afatgjatë, ku monedha është mirësia dhe interesi paguhet në një valutë metafizike. Universi sipas kësaj logjike nuk perceptohet si një vend i rëndomtë ku ndodhin ngjarje, por si një sistem i madh shkëmbimi, ku asnjë e mirë nuk humbet dhe ku Zoti kujdeset që llogaritë, herët a vonë, të mbyllen në favor të atyre që kanë kontribuuar.

Është një mekanizëm pothuajse i përsosur, sepse çdo rezultat mund të interpretohet në favor të besimit. Nëse ndodh diçka e mirë, është shpërblim për gjestin e mirë. Nëse nuk ndodh asgjë, atëherë është sprovë. Po ndodhi diçka e keqe, është një plan që njeriu nuk arrin ta kuptojë, dhe në këtë mënyrë, sistemi nuk humbet kurrë.

Por këtu mbin një problem moral. Nëse unë ndihmoj dikë duke pritur që Zoti, e mbinatyrshmja, të më shpërblejë, atëherë a po më intereson vërtet fati i atij njeriu? A është vuajtja, vështirësia e atij personi arsyeja e veprimit tim apo thjesht rasti që më është paraqitur për të fituar një favor hyjnor?

Në njëfarë mënyre, kjo është një formë shumë e sofistikuar e interesit personal. Sepse çfarë mund të jetë më me përfitim sesa ta mbash mirë me të plotfuqishmin? Çfarë mund të jetë më fitimprurëse sesa të sakrifikosh një shumë të vogël këtu për të shpresuar një shpërblim të pakufizuar atje? Asnjë investitor financiar nuk do të refuzonte një ofertë të tillë, me kusht që të besonte në institucionin që e administron sistemin.

Madje, në këtë marrëdhënie, bamirësi nuk ka pse të shqetësohet për kthimin e investimit gjatë jetës. Ai mund të vdesë pa marrë asnjë përfitim të dukshëm. Nuk ka rëndësi. Afati i kontratës është përtej vdekjes. Është një marrëveshje që nuk mund të anulohet nga falimentimi, sepse askush nuk mund të provojë se institucioni ka falimentuar.

Prapëseprapë, njeriu që merr ndihmën mund të jetë i kënaqur, por motivi i bamirësit mbetet një çështje tjetër. Çështja është se pret të shpërblehet. Nëse shpërblimi vjen nesër apo pas vdekjes, logjika mbetet e njëjtë, mirësia nuk bëhet për tjetrin, por tërthorazi për veten. Dhe altruizmi, në vend që të të çlirojë nga egoizmi, bëhet një prej formave të tij më të rafinuara.

Kjo e bën kontradiktën edhe më interesante. Njeriu mund të kalojë gjithë jetën duke bërë mirë, thellë-thellë pa e konsideruar mirësinë një vlerë në vetvete, por sepse beson se dikush, diku, do t’ia kthejë në një formë tjetër.

Njeriu i varfër merr bukën si ndihmë, bamirësi fiton pikë në qiell. Dikush siguron darkën e sotme, një tjetër shpreson të sigurojë përjetësinë, pak e nga pak.

Dhe të gjithë duket se janë të kënaqur me këtë marrëveshje, me Zotin si kundërpalë që pa shumë ceremoni e kanë shndërruar në një lloj administratori të madh të një banke kozmike. Ai sheh gjithçka, mban shënime dhe, në fund, bën bilancin. Një ndihmë për një të moshuar, një kontribut për një jetim, një thes miell për një familje të varfër, të gjitha depozitohen në llogarinë personale të bamirësit. Askush nuk e di saktësisht se si funksionon sistemi, por besimi në të është i palëkundur. Madje, ndoshta pikërisht sepse sistemi nuk i nënshtrohet asnjë auditimi, dhe është krejt i pamatshëm, ai gëzon një besueshmëri të admirueshme.

Por nëse ndihmoj dikë me shpresën se Zoti do të më shpërblejë, atëherë sa i pastër është motivi im? A po e ndihmoj tjetrin sepse vuajtja e tij më prek, apo sepse vuajtja e tij më ofron një mundësi për të fituar diçka për veten? Në rastin e parë, tjetri është qëllimi. Në të dytin, ai rrezikon të bëhet mjeti. Dhe të mendosh se filozofët dhe humanistët e përbotshëm na kanë mësuar se pikërisht këtu duhet të fillojë morali, te aftësia për ta parë tjetrin si qëllim në vetvete, jo si një instrument për shpëtimin personal.

Por ka diçka edhe më paradoksale. Nëse njeriu bën mirë sepse pret një shpërblim hyjnor, atëherë çfarë ndodh me vetë idenë e mirësisë nëse ky shpërblim hiqet? A do të vazhdonte të ndihmonte të varfrin nëse do ta dinte me siguri se Zoti nuk do ta shpërblente kurrë? A do të vazhdonte të ishte bujar nëse nuk ekzistonte as parajsa, as ferri, as gjykimi i fundit, asnjë regjistër ku të depozitoheshin meritat e tij?

Kjo pyetje mund të jetë më shqetësuese sesa duket, sepse nëse përgjigjja është jo, atëherë nuk kemi të bëjmë me një njeri që e do të mirën në vetvete, por me një njeri që ka gjetur një arsye të leverdishme për ta praktikuar atë.

Ai nuk e ndihmon tjetrin sepse tjetri ka nevojë. E ndihmon sepse vetë ka nevojë për shpëtim.

Madje, bamirësia fillon e merr trajtën e një siguracioni shpirtëror. Njeriu paguan primet gjatë jetës, duke shpresuar se, kur të ndodhë ngjarja apo kur të vijë momenti i fundit, polica do të mbulojë të gjitha rreziqet. Një jetë e tërë me veprime të mira mund të shndërrohet në përpjekje për të siguruar një vend në përjetësi, me cdo prim të paguar sa herë që bën mirë. Dhe si në çdo siguracion, frika nga humbja mund të jetë një motiv më i fortë se dashuria për atë që mbrohet.

Ndoshta kjo shpjegon edhe një aspekt tjetër të çuditshëm të kësaj forme bamirësie, që ajo nuk është domosdoshmërisht e interesuar për drejtësinë në këtë botë. Mund të ndodhë që një njeri të jetë indiferent ndaj varfërisë strukturore, korrupsionit, padrejtësive dhe shfrytëzimit gjatë gjithë vitit, por të bëhet jashtëzakonisht bujar në ditët e shënuara fetare, madje sa më pisk ta kenë punën aq më të prirë janë për bamirësi besëtytnore. Një dorë jep lëmoshë, ndërsa dora tjetër mund të vazhdojë të tolerojë padrejtësinë që prodhon varfërinë.

Por lëmosha nuk është drejtësi dhe një thes ushqime nuk e zëvendëson një shoqëri të drejtë.

Megjithatë, për llogarinë personale të bamirësit këto dallime mund të mos kenë shumë rëndësi. Ai e ka bërë veprën e tij të mirë, e ka kryer detyrimin, dhe tani mund të presë shpërblimin.

Përballë besimtarëve dhe besëtytëve, mund të përfytyrojmë një ateist që ndihmon një njeri në nevojë. Ai nuk beson se dikush po e vëzhgon nga lart. Nuk pret që emri i tij të regjistrohet në ndonjë libër të kozmik. Nuk ka parajsë ku të fitojë pikë dhe as ndëshkim të përjetshëm që duhet të shmangë. Ai sheh një njeri që vuan dhe vendos ta ndihmojë. Nuk ka marrëveshje të fshehtë, nuk ka as interes metafizik. Nuk ka një palë të tretë që duhet të bindet për virtytin e tij.

Sigurisht, edhe ateisti mund të jetë egoist. Mund të ndihmojë për famë, për status, për mirënjohje apo për të ndërtuar imazhin e një njeriu të mirë. Por nëse i heqim edhe këto motive, mbetet një akt interesant në thjeshtësinë e tij, një njeri ndihmon një tjetër sepse ai ka nevojë për ndihmë. Kaq.

Ndoshta kjo është forma më e bilurtë e altruizmit, të bësh diçka për një tjetër pa pritur që universi të të detyrohet për këtë. Sepse nëse bëjmë mirë vetëm nga frika se mos na ndodh diçka e padëshiruar, nuk jemi edhe aq njerëz të mirë, më shumë jemi njerëz që kemi frikë nga pasojat, nga e panjohura.

Lini një Përgjigje

Postime të fundit