Ka vende ku robi, sapo del nga shtëpia, ndesh fytyrën e një njeriu tjetër. E sheh atë pamje në sheshe, nëpër rrugë, në fasadat e ndërtesave, brenda korridoreve dhe zyrave të institucioneve dhe, herë pas here, edhe atje ku nuk do të kishte menduar se mund ta gjente, në ndërtesat diplomatike jashtë shtetit.
Vetëm përmasat ndryshojnë, fytyra është gjithmonë e njëjta. Herë është e madhe sa fasada e një pallati, herë sa një derë, herë sa një fotografi në murin e zyrës. Fytyra në fjalë është një institucion më vete, që rri më lart se çdo ministri, pa sportele, pa radhë dhe pa nevojë për të dhënë shpjegime.
I tillë është Irani. Dhe në republikën islamike, portretet e Udhëheqësit Suprem të vendosura në hapësira publike e institucionale nuk shpjegohen dot thjesht si çështje zbukurimi politik. Ato janë pjesë e një gjuhe të tërë pushteti, në të cilën figura e udhëheqësit shndërrohet në shenjë të rendit, të besimit dhe të vazhdimësisë së shtetit.
Portreti i një udhëheqësi mund të duket i padëmshëm në pamje të parë. Çdo shtet ka simbolet e veta, çdo institucion mund të promovojë figura historike dhe çdo shoqëri mund të nderojë njerëzit që i konsideron themelues të saj. Por çështja merr trajtë më të turbullt kur nderimi pushon së qeni zgjedhje dhe shndërrohet në detyrim, ose kur figura e një individi nuk paraqet më një kapitull të historisë, por pretendon të përfaqësojë të gjithë historinë.
Mund ta quanim kultin e individit, nëse do të kërkonim një emër për këtë dukuri. Por emërtimi është i vjetër, i njohur dhe për këtë arsye, ndoshta tepër modest për të përshkruar përmasat e fenomenit. Sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një udhëheqës që dëshiron të admirohet, por me një sistem të tërë që nuk e konsideron të mjaftueshme bindjen e qytetarit. Ai kërkon edhe peizazhin e bindjes. Dëshiron që njeriu të jetojë brenda një bote ku pushteti i shpërfaqet vazhdimisht, edhe kur askush nuk po mendon për të.
Në rastin në fjalë, ky mekanizëm merr një ngarkesë të veçantë nëse konsiderojmë se udhëheqja nuk është thjesht maja e një piramide administrative. Rasti është më kompleks dhe i lidhur xhungë me konceptimin fetar të autoritetit, edhe me doktrinën politike të Republikës Islamike, edhe me pretendimin se rendi politik ka një legjitimitet që shkon përtej vullnetit të zakonshëm të qytetarëve.
Si rezultat, figura e udhëheqësit përfiton nga një lloj shenjtërimi që nuk është i njëjtë me nderimin e një presidenti të zakonshëm, apo të një kryekleriku të zakonshëm. Autoriteti politik mbështillet me gjuhën e besimit për të krijuar një kombinim të fuqishëm që e bën pushtetin të pakundërshtueshëm. Sepse, ngado që ta rrotullosh e ta kthesh, kundërshtimi i tij nuk do të interpretohet si çështje politike, por si cenim i një rendi më të lartë dhe kritika ndaj tij mund të trajtohet si herezi.
Kjo është pika ku portreti fillon të bëhet i rrezikshëm. Kur udhëheqësi shpallet mishërim i një të vërtete të epërme, kur pushteti është i shenjtë dhe, në këtë këndvështrim, i pagabueshëm. Dhe kur kundërshtimi politik merr pamjen e mëkatit, pushteti ka siguruar një super armë që nuk ka nevojë ta mbajë gjithmonë në dorë apo në serverin e kontrolluar, mjafton ta ketë të pranishme në psikikën e njerëzve.
Në këtë mënyrë, portreti kryen një punë të dyfishtë. Ai e lartëson udhëheqësin dhe, njëkohësisht, e zvogëlon qytetarin. I pari bëhet gjithnjë e më i madh në hapësirën publike, ndërsa i dyti duhet të mësohet me idenë se hapësira nuk i përket atij.
Kjo dukuri nuk është gjë e re, historitë e diktaturave dihen, ato rrallë shpikin nga e para mënyrën se si duhen adhuruar supremët. Mënyrën e marrin nga njëra-tjetra, si aktorët që marrin të njëjtin kostum për të interpretuar drama të ndryshme.
Kemi Bashkimin Sovjetik kur fytyra e Stalinit shoqëronte qytetarët në sheshe, fabrika, shkolla dhe institucione. Portreti i tij ishte pjesë e një universi ku udhëheqësi paraqitej si strateg i pagabueshëm, baba i popujve dhe garant i së ardhmes.
Në Shqipërinë komuniste, portretet e Enver Hoxhës, së bashku me ato të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit, përbënin një lloj ikonostasi politik omniprezent. Ato shfaqeshin në mitingje, në ndërmarrje, në shkolla dhe në ceremonitë zyrtare, sikur historia të kishte përfunduar së prodhuari njerëz të tjerë të denjë për t’u parë.
Në të gjitha këto raste, fytyra nuk ishte vetëm fytyrë, ishte edhe një përgjigje e gatshme përpara se të shtrohej pyetja.
Nëse ekonomia dështonte, udhëheqësi mbetej i madh. Nëse mungonte buka, portreti nuk zvogëlohej, zmadhohej, pothuajse në mënyrë përpjesëtimorë. Nëse një qytetar arrestohej, figura mbi mur vazhdonte të buzëqeshte prajshëm me qetësinë e atij që nuk mund të mbahej përgjegjës për asgjë.
Bile sa më e vështirë të bëhej jeta e njerëzve, aq më e nevojshme dukej madhështia e udhëheqësit, realiteti mund të ishte në rrënim, por përfaqësimi i tij duhej të ishte triumfal.
Si në Shqipërinë totalitare, ku qytetari mund të mos gjente një palë këpucë të mira, por shteti gjente gjithmonë material të mjaftueshëm për të vendosur parulla. Mund të mungonin mallrat, por jo fjalët për bollëkun. Mund të kishte frikë në familje, por jo në çehren e portretit. Të gjithë e dinin se frika ishte e qytetarëve kurse madhështia ishte e udhëheqësit.
Për regjimin, kulti i individit ishte pjesë e mekanizmit të mbijetesës. Portreti ishte përpjekja për të zgjidhur me bojë atë që regjimi nuk arrinte ta zgjidhte me qeverisje.
Udhëheqësi duhej të dukej i kudogjendur, sepse nuk mund të ishte vërtet i kudogjendur. Duhej të dukej i pagabueshëm, sepse institucionet e tij prodhonin gabime. Duhej të dukej i dashur, sepse pushteti nuk mund të mbështetej vetëm te frika.
Diktaturat komuniste dhe Republika Islamike e Iranit nuk janë sisteme identike, ato kanë burime të ndryshme ideologjike, struktura të ndryshme institucionale dhe marrëdhënie të ndryshme me fenë.
Prapëseprapë, të bën përshtypje ngjashmëria që kanë me njëra tjetrën lidhur me pretendimin se zotërojnë të vërtetën e fundit, dhe kur vjen puna për ta shndërruar përfaqësuesin e vet në një figurë që qëndron mbi kritikën.
Ka dhe pika të tjera ku takohen në ngjashmëri. Revolucioni komunist që dikur premtonte çlirimin e njeriut krijon një figurë përpara së cilës njeriu duhet të përkulet. Feja që duhet të hapë një horizont moral përtej interesave të kësaj bote mund të përdoret për të mbrojtur interesat e një pushteti shumë tokësor.
Në një diktaturë komuniste, mund të dëgjoje se udhëheqësi ishte mishërimi i popullit. Në një sistem autokratik të legjitimuar prej fesë, mund të dëgjosh se autoriteti i tij mbron rendin moral dhe besimin. Por pyetja e qytetarit mbetet e njëjtë: nëse udhëheqësi mishëron popullin, pse populli nuk mund ta kundërshtojë? Nëse ai mbron të mirën morale, kush e kontrollon kur vepron në kundërshtim me të?
Këto pyetje janë të rrezikshme pikërisht sepse janë të thjeshta. Megjithatë, një pyetje mund të shkaktojë shqetësim të panevojshëm, kurse një mijë portrete mund ta bëjnë shqetësimin të duket si faj i atij që pyet.
Portreti i udhëheqësit shfaqet edhe në përfaqësitë diplomatike jashtë vendit dhe kjo ka një domethënie të veçantë. Sepse kur figura e udhëheqësit zë një vend dominues në këtë hapësirë, ndodh një zhvendosje simbolike, shteti rrezikon të ngatërrohet me personin që e drejton.
Në vend që ambasada të përfaqësojë një shoqëri të tërë, me historinë, kulturën, ekonominë dhe aspiratat e saj, ajo duket sikur përfaqëson një njeri të vetëm. Thua se miliona qytetarë, me bindje nga më të larmishmet, të kishin rënë dakord të përmblidheshin në një fytyrë.
Dhe fotografia është e gjithëpranishme, aq e gjithëpranishme sa i ngulit njerëzve idenë se shteti nuk mund të qëndrojë në këmbë pa fytyrën e udhëheqësit.
Le të imagjinojmë për një çast një mëngjes të pazakontë. Kudo në republikë të jenë zhdukur portretet.
Një punonjës hap derën e një zyre dhe zbulon se portreti i udhëheqësit është hequr. Muri është bosh. Asnjë shpjegim nuk është dhënë. Nuk ka pasur njoftime.
Çfarë do të ndodhte? Është thjesht një mur bosh. Por në një shoqëri ku pushteti ka depërtuar deri në përfytyrimin e përditshëm të njerëzve, kur njerëzit mësohen të lexojnë edhe heshtjen e mureve, mungesa e portretit mund të interpretohet si shenjë, paralajmërim ose kërcënim.
Kjo është prova e vërtetë e kultit të individit. Jo sa i madh është portreti apo sa e pamundur për mos t’u parë, por sa e vështirë është të përfytyrohet mungesa e tij.
Megjithatë, në fund të fundit, një autoritet që kërkon të mbushë çdo hapësirë me figurën e vet duket sikur trembet nga konkurrenca e heshtur e realitetit. Dhe realiteti është kundërshtari më kokëfortë i propagandës.
Ai nuk mund të mbulohet përgjithmonë me bojë. Ai të shfaqet në pagat e pamjaftueshme, pas dyerve të mbyllura, brenda padrejtësive të përditshme dhe në fjalët që qytetarët i thonë pas dyerve të mbyllura. Portretet sado qetësuese ta kenë pamjen janë të përkohshëm, pasi historia ka një zakon të pakëndshëm, ajo i heq nga muret njerëzit që dikur dukeshin të pazëvendësueshëm.
Në Shqipëri, rënia e regjimit komunist i ktheu portretet e Enver Hoxhës nga simbole të autoritetit në objekte të historisë. E njëjta fytyrë që dikur kërkonte bindje u bë, papritur, dëshmi e një kohe që kishte marrë fund dhe që nuk e do më njeri.
Ndërsa në Iran, muret përnjëmend nuk mund të zhvillojnë sondazhe dhe një portret nuk mund të tregojë sa njerëz e admirojnë vërtet atë që u paraqitet. Prandaj vlen të shtrohet pyetja se çfarë lloj marrëdhënieje ndërmjet shtetit dhe qytetarit prodhon ky ekspozim, sidomos kur ndërthuret me autoritetin fetar, me kufijtë e kritikës dhe me pretendimin se pushteti mishëron një të vërtetë më të lartë.
E njëjta pyetje vlen për diktaturat komuniste të së kaluarës dhe për regjimet autokratike të së tashmes.
Sepse, pavarësisht nëse udhëheqësi paraqitet si babai i popullit, arkitekti i revolucionit, shpëtimtari i kombit apo mbrojtësi i rendit hyjnor, tundimi mbetet i njëjtë: ta bindë shoqërinë se pa të nuk mund të ekzistojë rendi, se pa fytyrën e tij nuk ka identitet dhe se pa autoritetin e tij edhe e vërteta do të mbetej jetime.
Por kjo është çfarë pretendojnë autokratët dhe regjimet përkatëse. Një shoqëri fillon të çlirohet pikërisht kur mund ta imagjinojë të ardhmen e saj pa pasur nevojë të vendosë një fytyrë të vetme në qendër të jetës.
Deri atëherë, portretet do të vazhdojnë të qëndrojnë mbi mure, të heshtura dhe solemne, duke na kujtuar se disa pushtete kanë aq shumë frikë nga dita pas së cilës do të harrohen, sa përpiqen të mos lënë asnjë centimetër muri pa dëshminë e ekzistencës së tyre.

Lini një Përgjigje